Hapen tenderët 40 milionë euro për tre mbikalime në Unazën e Re

11 Shtator 2018, 16:59Ekonomia TEMA
Hapen tenderët 40 milionë euro për tre mbikalime në

Planimetria e nyjes me tre nivele te “Shqiponja”.

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli hapjen e tre tenderëve me vlerë të përbashkët prej 40 milionë eurosh për ndërtimin e mbikalimeve në segmentin e Unazës së Re të Tiranës nga Pallati me Shigjeta deri te rrethrrotullimi “Shqiponja”.

Tre tenderët u hapën të martën në faqen zyrtare të prokurimeve publike APP.gov.al dhe sipas dokumenteve shoqëruese, punimet do të zgjasin për 24 muaj për ndërtimin e tre mbikalimeve me shumë nivele, ku më i madhi pritet të jetë mbikalimi te vendi i njohur si “Shqiponja”. Të tre projektet synojnë lehtësimin e trafikut në këtë segment të Unazës së Madhe si dhe shpejtësinë e daljes dhe hyrjes në Tiranë nga autostrada Tiranë-Durrës. Kjo është gjithashtu edhe një nga segmentet më të shtrenjta rrugore që ka ndërtuar ndonjëherë Shqipëria.

Tenderi i parë ka një fond limit prej 2.25 miliardë lekësh dhe ARRSH thotë se qeveria ka planifikuar kryerjen e këtij shpenzimi në planin buxhetor afatmesëm 2018-2020. Nyja e re që do të ndërtohet do të ketë tre nivele. Një nënkalim do të shtrihet në drejtimin e Rrugës Dritan Hoxha duke shmangur rrethrrotullimin për mjetet që nisen drejt daljes nga Tirana për në autostradë. Një mbikalim do të shërbejë për të lidhur rrugën “Teodor Keko” me segmentin vijues të unazës, i cili do të lidhë “Shqiponjën” me “Bulevardin e Ri” por që është ende në fazë projektimi ndërsa niveli aktual i rrugës do të shërbejë për kthesat. Në dokumentet e tenderit kjo njihet si “Loti 1”.

Loti 2 me një kosto prej rreth 1.6 miliardë lekësh ose 12.5 milionë eurosh, përfshin zgjerimin e nyjes te Ura e Lanës me dy nënkalime për të lidhur rrugët e lagjeve ekzistuese në të dyja krahët e Unazës si dhe një nënkalim tjetër më herët. Ura e Lanës në pikën ku Lana kalon poshtë Unazës së re pritet të zgjerohet në 70 metra.

Loti 3 me një kosto prej afro 1.2 miliardë lekësh synon të bëjë me dy korsi lidhjen e Rrugës së Kavajës me Unazën e Re.

Qeveria shqiptare ka miratuar projekte të përgjithshme me vlerë qindramilionë euro për ndërtim apo përmirësim rrugësh, pasi është përballur me kritika për ngecjen e projekteve kryesore ndërtimore të viteve të fundit, të tilla si autostrada Tiranë-Elbasan, bypass i Fierit apo ai i Vlorës si dhe zvarritje të pafundme të punimeve në segmentet e nisura një dekadë më parë, të tilla si Nyja e Milotit apo segmenti Lin-Pogradec.

Metoda e parapëlqyer e qeverisë për ndërtim rrugësh janë të shumëkritikuarat kontrata koncesionare, në të cilat, paratë paguhen me këste për 13 vite. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur këtë praktikë si shumë të kushtueshme dhe një rritje e borxhit publik në mënyrë të fshehtë. Qeveria ka hapur garat apo ka mbyllur kontratat për disa segmente rrugore në të cilat do të shpenzohen rreth 710 milionë euro për të ndërtuar rreth 100 kilometra rrugë.

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit i SHBA ka kritikuar veçanërisht mënyrën e prokurimit, në të cilën duket se nuk ka garë reale dhe kompanitë e huaja janë të përjashtuara nga procedurat. Kritika ka pasur edhe për fenomenin e inflacionimit të pabesueshëm të kostove të rrugëve. Aktualisht një kilometër autostradë kushton mbi 12 milionë euro ndërsa një rrugë interurbane me dy korsi kushton mbi 4 milionë euro.

Qeveria ka shpenzuar qindra milionë euro gjatë viteve të fundit zyrtarisht për ndërtim rrugësh, por rrugë të ndërtuara nuk ka pasur. Gjatë vitit 2017, fondi për ndërtimin e rrugëve ishte 20 miliardë lekë ndërsa janë ndërtuar gjithsej 10 kilometra rrugë, sipas raportit të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.(BIRN)

5 komente në “Hapen tenderët 40 milionë euro për tre mbikalime në Unazën e Re”

  1. IVONI says:

    .. DHE PAS KETYRE , SHPALLENI TIRANEN “AUTONOME “..!

  2. Kalec Dega says:

    Me ne fund menduan per nje hekurudhe dhe autobuza elektrik me kursimet e mamase….

    Me kryesore , Shqipera po ndryshon nga koncensionet dhe tenderat ku jemi te paret ne bote dhe lojrat e fatit, padiskutim.

    Tani ka ngelur vetem ai Teater i shkrete ? dhe Cadra 2 Intime qe Shqiperia te rilind si do Partia e xhaxhi E.

  3. Liu says:

    Pse nuk pasqyrohet projeksioni i tre mbikalimeve ne 2 km rruge?
    Cfare eshte gjithe ky shpenzim per 2 km rruge?
    Dyshoj se nuk ka transparence dhe ka korrupsion!

  4. Bogonica says:

    Po mire,Autostrada Tirane-Durres a do behet me pagese?Me siguri qe po,kjo eshte deklaruar tanime.ashtu sic po veprohet edhe per Rrugen e Kombit.Leket e perdorusve te kesaj rruge do t’i vjel Koncesionari,sepse shteti nuk perzihet ne keto pune,sepse jane pune te veshtira,te cilat mund t’i beje vetemprivati(!).Atehere,perse te mos e beje edhe kete investim Koncensionari i radhes i cili do te fitoje tenderin e shfrytezimit dhe mirembajtjen e kesaj Autostrade?Perse te perdoren para publike per investimin ne fjale?A nuk duket duket qe Koncesionartit po ja japim kete objekt te kryer me parate e Buxhetit te Shtetit,”llokum ne dore”?.Investimet me parate e Buxhetit te Shtetit duhet te behen ne ato objekte infrastrukturore te nevojshme,ne te cilat Koncesionaret Private nuk kane leverdi dhe nuk futen ne loje,por jo per objekte te tilla,sic eshte Autostrada Tirane-Durres,me te ardhura shume te sigurta.investimet mund dhe duhet t’i bejne privatet qe do ta gezojne kete Autostrade..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje