PRAPASKENAT: Pesë emra në tryezën e Bashës për Bashkinë Tiranë, ja kush mund të jetë kandidati përballë Veliajt (polemika tek aleatët)

Forcat kryesore politike në vend kanë vendosur në lëvizje të gjithë mekanizmat partiakë që disponojnë në funksion të përgatitjes për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.  

Një nga “fushë-betejat” më të forta pritet të jetë “Bashkia Tiranë” ku nga njëri kamp kemi Partinë Socialiste që ka “çimentuar” kandidaturën e kryebashkiakut aktual Erion Veliaj, dhe nga kampi tjetër Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë futur në proces për të gjetur një figurë dinjitoze që mund të shndërrohet në magnet votash.  

Teksa na ndajnë veç disa muaj nga përcaktimi i datës së zgjedhjeve dhe shpallja e listës së kandidaturave, pranë “selisë blu” janë duke u negociuar emrat e parë të cilat kanë më shumë shanse për të bindur kryedemokratin.  

Referuar burimeve të gazetës “TemA” pranë PD, në tryezën e liderit të opozitës kanë mbërritur pesë emra konkretë të cilët janë duke u shqyrtuar si kandidatura të mundshme përballë Veliajt.  

Ndërkohë, pritet që nga strukturat e demokratëve të dalin edhe propozime të tjera me potenciale periferike për të krijuar përshtypjen se përzgjedhja ka qenë e gjerë, transparente dhe me vendim marrje unanime.  

Emrat në tryezën e Bashës:

Jorida Tabaku 

Një nga emrat më të lakuar në korridoret e PD është ai i deputetes Jorida Tabaku.  

E cilësuar si një ndër zërat që spikat për botën e shifrave brenda grupit parlamentar të demokratëve, Tabaku me gjasa mund të ngarkohet me këtë përgjegjësi.  

Ligjvënësja që le shije të mirë për komunikimin, prezantimin dhe sharmin e saj, vlerësohet në PD si një personalitet i pastër politikisht ku veç të tjerash vjen nga një familje e vjetër tiranase.  

E diplomuar për Administrim Biznes, Tabaku e njeh mirë pushtetin vendor ku ka mbajtur për dy vjet postin e nënkryetares së Bashkisë Tiranë në segmentin kohor 2011-2013 gjatë kohës kur i mandatuar në krye të saj ka qenë Lulzim Basha.  

Demokratja ka mbajtur edhe një sërë detyrash të tjera të rëndësishme ku mund të përmendet edhe ai i zv.ministres së Integrimit Europian në periudhën 2009-2011.   

Vetë Tabaku, e pyetur lidhur me gadishmërinë e saj për këtë garë, as nuk e ka pranuar por as nuk e ka përjashtuar.  

Nuk jam për sprint në politikë, jam për maratonë. Këtu do të jem shumë gjatë”, tha Tabaku në një emision televiziv duke shtuar se posti i kryebashkiakut është mbyllje karriere. 

Gjithsesi, lideri i demokratëve është duke e shqyrtuar këtë mundësi ku pritet të marrë edhe miratimin e partive aleate.  

Gerti Bogdani 

Garës së heshtur brenda demokratëve i është bashkuar sërish emri i Gerti Bogdanit. Edhe pse u përfol si një kandidaturë e mundshme gjatë zgjedhjeve të vitit 2015, ai ka dalë sërish në skenë për të synuar përsëri karrigen e kryebashkiakut. 

Ish-deputeti i dy legjislaturave që ngeli jashtë Kuvendit për shkak të pozicionimit i dymbëdhjeti në listën “Basha”, është konsideruar më herët si një “as” nën mëngë i Partisë Demokratike i cili mund të shfrytëzohej në situata të tilla.  

Bogdani e ka filluar karrierën politike nga pushteti vendor ku në zgjedhjet vendore të vitit 2007, garoi për njësinë bashkiake nr.10 nën logon e PD.  

Ai ka qenë testi i parë elektoral ku pas një gare dramatike me kryetaren socialiste të njësisë Mira Veizi, fitoi me një diferencë të ngushtë votash.  

Fill pas kësaj Bogdani ka mbajtur një sërë pozicionesh në strukturat e demokratëve ku më i rëndësishmi ka qenë posti i kreut të Forumit Rinor.  

Edhe këtë herë, ai me gjasa mund ta bindë Bashën për të firmosur emrin e tij.   

Dashamir Shehi

Një profil tjetër mjaft i diskutuar në ambjentet e PD-së është ai i deputetit Dashamir Shehi. 

I njohur për karizmin e tij, kreu i LZHK-së mund të “shpërblehet” nga kryedemokrati prej besnikërisë së treguar këto vitet e fundit.  

Kandidaturën e tij mund ta favorizojë edhe fakti se ai është një tiranas i vjetër dhe kjo mund të shërbejë si një plus më tepër.  

Edhe pse gjendet në politikë prej 28 vjetësh, vetëm kohët e fundit Shehi ka ndezur katalizatorët duke u bërë pjesë aktive e jetës parlamentare.  

Shehi vjen nga një eksperiencë e gjatë si zëvendës kryeministër, Ministër i Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe ish-të Përndjekurve Politikë, ministër i Ndërtimit dhe i Turizmit, etj.  

I pyetur mbi dëshirën e tij për të kandiduar, Shehi e ka lënë të hapur si mundësi.  

Penalizimi për të përfaqësuar opozitën në zgjedhje, atij mund t’i vijë nga Lëvizja Socialiste për Integrim ku herë pas here është bërë protagonist i kritikave ndaj bashkëpunimit Basha-Kryemadhi.  

Jamarbër Malltezi 

Emri i Jamarbër Malltezit mund të jetë një ndër dështimet më të mëdha të Demokratëve nëse arrin të kurorëzohet.  

Kjo për faktin se kontributet e tij në PD janë minimale dhe vetë emri i tij është i përlyer politikisht. 

I njohur ndryshe si dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, është duke u imponuar përmes grupit të tij për të bindur vjehrrin e tij si dhe Lulzim Bashën.  

Që pas humbjes në zgjedhjet e shkuara parlamentare, raporti mes këtij të fundit dhe Malltezit janë dobësuar për shkak të përplasjeve që kanë pasur. Kjo shënjon një minus që i dobëson shanset për të garuar nën siglën e opozitës.  

Klajda Gjosha 

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë lënë të kuptohet se do të hyjnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme.  

Kjo edhe për faktin se një përçarje tjetër mes tyre do të ndihmonte Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për të hapur zgjeruar hartën e bashkive të fituara.  

Burimet thonë se një ndër emrat që rezulton se po negociohet mes palëve është edhe ai i ish-ministres së Integrimit Klajda Gjosha.  

Kjo e fundit vjen nga përvoja pune në Ministrinë e Integrimit, Bashkinë e Tiranë, Drejtoria Rajonale e Punësimit dhe Agjensia Kombëtare e Turizmit.  

Gjosha është një produkt i ngritur nga strukturat e LSI-së dhe e promovuar masivisht vitete e fundit. (TemA) 

 

 

 

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...