Rovena Gashi u shkarkua për “përgjigje të pavërteta dhe deklarim të pamjaftueshëm”. Kontradikta mes kontratave noteriale dhe deklarimeve të saj për dy apartamente

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance të mëparshme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ekspozon një mori kërkesash të prokurores Rovena Gashi gjatë procesit të rivlerësimit, të cilat u konsideruan si përpjekje për të penguar vetingun. Vendimi për shkarkimin e prokurores u bazua te kontradiktat mes kontratave noteriale dhe deklarimeve të saj për dy apartamentet në pronësi.

Nga Vladimir Karaj

Gjatë procesit të rivlerësimit, prokurorja Rovena Gashi i dërgoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit 13 kërkesa; njëra prej të cilave kërkonte që dokumentet në dosjen e saj t’i ridërgoheshin pasi ishin “të skanuara me kokë poshtë”.

Në vendimin e zbardhur të KPK-së thuhet se prokurorja, e cila mbante më parë postin e Drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme kërkoi katër herë përjashtimin e trupit gjykues, dy herë pushimin e procesit të rivlerësimit dhe një herë rihapje të procesit të rivlerësimit, duke përfshirë edhe kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë të profesionalizmit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 25 korrik shkarkimin e Gashit, me argumentet se nuk mundi të justifikojë pasurinë dhe se kishte bërë deklarime të pavërteta dhe të pasakta.

“I ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj,” thuhet ndër të tjera në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Trupa gjykuese që bëri rivlerësimin e Gashit u kryesua nga Genta Tafa (Bungo), me relator Lulzim  Hamitaj dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa Mia Roessingh ishte vëzhguesja ndërkombëtare e procesit.  Më herët, më 15 mars, komisionerja Suela Zhegu u tërhoq nga shqyrtimi i rastit. Motivet e tërheqjes nuk bëhen të ditura në vendim.  Ndaj Zhegut pati më pas akuza në media për rrjedhje të informacionit dhe konflikt interesi sa i përket këtij hetimi.

Sipas KPK-së, prokurorja Gashi dhe bashkëshorti i saj gjithashtu prokuror, Dritan Gina nuk kishin burime për të justifikuar një apartament 80 mijë euro në bregdet dhe një tjetër me vlerë 38 mijë euro në Tiranë.

Gashi dhe Gina janë ndërkohë prej muajit maj nën hetim për  “fshehje të pasurisë” dhe ishin pezulluar me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Çifti i cilësoi akuzat si hakmarrje personale të Markut, pas padive që ata bënë më herët kundër saj.

Rovena Gashi dhe Dritan Gina mbanin poste drejtuese në organin e akuzës, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Ulja e tyre në detyrë ishte ndër aktet e para të ndërmarra nga kryeprokurorja Arta Marku, pas zgjedhjes së saj në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017.

Pas uljes në detyrë, Gashi dhe Gina i kundërshtuan vendimet e Markut në gjykatë, duke i cilësuar ato të kundraligjshme. Pretendimet e tyre u rrëzuan respektivisht nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata Administrative e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimet e kryeprokurores. Po ashtu Kolegji i Posaçëm i Apelimit, rrëzoi një kërkesë të çiftit kundër vendimit për pezullimin e tyre.

Caktimi i Gashit si përfaqësuesja e Prokurorisë së Përgjithshme në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në fillim të vitit 2017, shërbeu si shkëndinjë e përplasjes publike mes ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë Donald Lu.  Gashi ashtu si Llalla dhe një sërë funksionarësh të tjerë të drejtësisë, ishin mes atyre të cilëve ambasada e SHBA-ve u njoftoi heqjen e vizave. Ish- prokurorja madje u ankua për heqjen e  vizës në një letër publike.

Ankesa dhe kërkesa

Rovena Gashi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të zgjedhjes së saj si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së, kur hetimi ndaj saj po shkonte drejt fundit, Gashi kërkoi që procesi të pushohej. Në kërkesën e parë dërguar KPK-së më 18 qershor ajo i kërkonte Komisionit “përjashtimin e saj nga lista e subjekteve për t’u rivlerësuar me prioritet, për arsye se ajo tashmë ishte e pezulluar nga detyra”.

Por KPK e rrëzoi këtë kërkesë. Treshja që shqyrtoi çështjen e njoftoi Gashin se “përtej legjitimitetit, nuk konsiderohej në interes të ekonomisë gjyqësore për sa kohë hetimi administrativ ndaj saj ishte në fazën përfundimtare”Në të njëjtën kohë, KPK e njoftoi Gashin se kishte vendosur të mbyllte hetimin administrativ ndaj saj vetëm për kriterin e pasurisë, duke lënë mënjanë kriterin profesional dhe pastërtinë e figurës.

Pasi i nisi KPK-së shpjegimet e saj rreth rezultateve të hetimit dhe dokumentet që iu kërkuan nga Komisioni, Gashi depozitoi njëra pas tjetrës një sërë kërkesash. Në fund të qeshorit ajo kërkoi përjashtim të trupit gjykues. “Kjo kërkesë u shqyrtua nga një tjetër trup gjykues, i shortuar sipas rregullores së Komisionit, e cila vendosi rrëzimin e saj”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Por pesë ditë pas kësaj kërkese dhe para se të merrte përgjigje për të, Gashi i kërkoi KPK-së t’i riniste 34 dokumente “të cilat ishin skanuar me përmbajtje mbrapsht”, duke preteduar se nuk mund t’i lexonte. Kërkesa u pranua nga KPK e cila e ftoi Gashin të merrte një kopje fizike të dokumenteve.

Gashi po ashtu i kërkoi KPK-së shpjegime “mbi ndryshimet e trupit gjykues nga momenti i shortimit e në vijim”.  Nga vendimi i zbardhur del se relatorja e përcaktuar për çështjen, Suela Zhegu kishte dhënë dorëheqjen nga çështja dhe më pas KPK caktoi si relator Hamitajn. KPK thotë se sqaroi Gashin për ndryshimet. Ndërkohë në një kërkesë të dytë bazuar te këto ndryshime, Gashi kërkoi që hetimet të ribëheshin, pasi ato ishin bërë pjesërisht nga relatori i parë.

KPK e rrëzoi këtë kërkesë pasi siç shpjegohet në vendim “e gjeti të pabazuar në ligj dhe në fakte, dhe jo në përputhje me parimin e ekonomisë gjyqësore”.  Në vendim thuhet se aktiviteti hetimor ishte verifikuar dhe zhvilluar nga relatori zëvendësues “duke pasur ai të gjitha mundësitë dhe kohën për të konfirmuar apo modifikuar – nëse do të ishte rasti – çfarë ishte bërë më parë nga relatori i zëvendësuar”.

Sipas vendimit del se Gashi kërkoi edhe 3 herë të tjera përjashtim të trupës që po kryente rivlerësimin. Të treja kërkesat u rrëzuan, ndërsa e fundit u konsiderua e qëllimtë për të vonuar procesin.

Gashi kërkoi gjithashtu që hetimi të shtrihej edhe në dy kriteret e tjera.

KPK thotë se prokurores në këtë rast i ishin vënë në dispozicion materialet e institucioneve ndihmëse në lidhje me këto dy kritere, por njëkohësisht i ishte bërë me dije se KPK nuk e shihte të nevojshëm vijimin e hetimit administrativ ndaj saj. “Komisioni e risqaroi se hetimi ishte mbyllur vetëm për kriterin e pasurisë”, thuhet në vendim.

Në një kërkese të 7 korrikut,  Gashi paraqiti një tjetër kërkesë, në këtë rast për identifikimin e provave dhe pyetjen e dëshmitarëve të listuar nga ana e saj, por KPK e refuzoi këtë kërkesë pasi vendosi se ajo nuk kishte lidhje me çështjen dhe se ishte “gjithashtu e parëndësishme për vendimmarrjen”.

Në fund të sqarimit mbi ankesat e Gashit, KPK bën me dije se ajo nuk kishte qenë bashkëpunuese me Komisionin, “pasi është vërejtur një qasje për të zvarritur procesin e rivlerësimit, nëpërmjet paraqitjes së një numri të lartë kërkesash, shpesh të përsëritura dhe të pabazuara në ligj dhe fakte”.

Problemet me pasuritë

Praktikisht gjithë hetimi i KPK-së rreth pasurive të Gashit është fokusuar në dy apartamente, pasi më herët Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë e Konfliktit të Interesit, pati dorëzuar një raport në të cilin akuzonte Gashin për deklarim të pasaktë, mungesë burimesh financiare dhe deklarim të rremë.

KPK bën me dije se hetimet u zhvilluan nisur nga ky raport. Sipas vendimit të zbardhur Gashi së bashku me bashkëshortin Gina kishin blerë fillimisht një apartament të deklaruar me vlerë 80 mijë euro në Durrës.  Bazuar në kontratat noteriale që KPK mori në dorëzim, rezultoi se çifti kishte nënshkruar marrëveshjen me kompaninë “Balkan Investiment Group” (emri i anonimizuar në vendimin e zbardhur u përmend në seancën dëgjimore) për ta paguar apartamentin në dy këste 30,000 euro dhe 50,000 euro.

Kur KPK nisur nga këto deklarata noteriale i kërkoi shpjegim Gashit për këtë pasuri dhe burimin e parave me të cilën ishte bërë pagesa, ajo e fundit i paraqiti KPK-së një deklaratë nga ndërtuesi Oliver Ushina, njëkohësisht kunati i saj, sipas të cilës ata kishin pasur marrëveshje preferenciale dhe se kishin paguar vetëm 45 mijë euro për shtëpinë të cilat ishin marrë kredi.

KPK thotë se u gjend para dy deklarimeve të ndryshme. Në një anën ishin deklaratat noteriale të nënshkruara nga Gashi e Gina me kompaninë dhe me bankën, ku njëkohësisht bëhej me dije se ishin kryer pagesat e dy kësteve 30 dhe 50 mijë euro dhe në anën tjetër ishte qëndrimi i Gashit dhe ndërtuesit se kishin paguar vetëm 45 mijë euro të marra kredi.

Në përfundim, KPK vendosi të marrë parasysh deklarata noteriale dhe vendosi se Gashi kishte bërë “deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit”, ka bërë “deklarime të pasakta dhe me përmbajtje të ndryshme nga sa rezulton nga të dhënat e kontratave të nënshkruara prej saj” dhe “i ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta”.

Komisioni vlerësoi siç del në vendimin e zbardhur se kontratat noteriale kishin përparësi nga deklarimet e mëpasme të palëve “që pasi kanë firmosur përpara noterit një kontratë apo deklaratë, pohojnë diçka të ndryshme dhe në kundërshtim me vetë aktet noteriale”. KPK doli në përfundimin se bazuar në këto dokumente,  ishte provuar “deklarimi i pamjaftueshëm”.

Probleme të ngjashme KPK gjeti edhe sa i përket apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 121 metra. Në vendimin e KPK-së rezulton se Gashi ka pretenduar që apartamenti i është dhuruar nga babai dhe ka depozituar po ashtu një akt noterial të këtij të fundit në vitin 2013 në të cilin pretendohet dhurimi.

Por KPK thotë se regjistrimi i kësaj prone në vitin 2013 është bërë në bazë të një kontrate me kompaninë e ndërtimit, ku pagues të vlerës së apartamentit 38 mijë euro janë Gashi dhe Gina. Ndër të tjera, KPK thotë se përtej pretendimit të prokurores, babai nuk mund t’ia dhuronte apartamentin, për sa kohë ai nuk ka pasur asnjëherë pronësi mbi apartament dhe për këtë,  kontrata noteriale e tij nuk kishte fuqi ligjore. “Në rastin konkret mungonte titulli i pronësisë mbi sendin, nga ana e  N. G., që pretendohet që të jetë dhuruar, pra ai nuk kishte legjitimim për të dhuruar apartamentin për aq kohë sa nuk ishte pronari i tij,” thuhet në shënimin sqarues që shoqëron vendimin.

Po ashtu, KPK thotë se prokurorja nuk e kishte deklaruar në vite faktin që jetonte në një apartament në pronësi të dikujt tjetër, siç ishte e detyruar nga ligji. KPK thotë se nga dokumentet rezultonte që kontrata e energjisë dhe e ujit të apartamentit ishin në emër të bashkëshortit të Gashit, Dritan Gina, por kjo nuk ishte deklaruar më herët nga çifti në deklaratat periodike.

Përndryshe nga pretendimi i Gashit për pasuri të dhuruar nga babai, KPK-së i rezulton në dokumente se pasuria ishte paguar prej tyre dhe se ata nuk kishin mundësi finaciare për të bërë pagesat. “Veç të tjerash, në këtë drejtim të çon edhe fakti që sipas kontratës së shitblerjes së datës 12 nëntor 2013, pagesa në fjalë rezulton të jetë bërë në vitin 2013 nga vetë subjekti i rivlerësimit dhe nga bashkëshorti i saj,” thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK po ashtu bëri analizë finaciare të të ardhurave të subjektit dhe arriti në përfundimin se çifti nuk mund të paguante blerjen e apartamenteve me burim të ligjshëm financiar. KPK thotë se edhe nëse nuk përfshiheshin apartamentet, çifti kishte probleme me justifikimin e të ardhurave, kursimeve  dhe shpenzimeve në vite.

Për të vërtetuar pretendimet e Gashit, Komisioni thotë se hetoi edhe mbi pasurinë e babait, nga e cila rezultoi se ai nuk e kishte pasur mundësinë financiare që të blinte këtë apartament apo ta paguante atë. Nga analiza financiare e aktivitetit tregtar të babait të Gashit, KPK thotë se prej vitit 1990 deri në 2016 ai rezultonte me minus për 85.7 milionë lekë dhe se nuk kishte pasur mundësi të financonte apartamentin e të bijës.  Po ashtu, KPK gjeti se ai kishte kërkuar në gjykatë mbyllje aktiviteti në vitet 2005-2006 duke deklaruar se ishte “jo rentabël”.

Në konkluzion KPK thotë se bazuar në pasuritë e ligjshme të deklaruara për “periudhën kohore, 2004 – 2016, (babai i Gashit) ka pasur një mungesë të theksuar burimesh financiare  për të justifikuar shpenzimet e kryera ndër vite”.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *