Trump anulon vizitën në Irlandë

11 Shtator 2018, 22:20Bota TEMA

Presidenti i SHBA Donald Trump nuk do ta vizitojë Irlandën muajin e ardhshëm, siç ishte planifikuar, sipas zyrtarëve në Dublin.

Vizita është shtyrë për “arsye planifikimi”, njoftoi qeveria irlandeze të martën.

Megjithatë, pas njoftimit të qeverisë irlandeze, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha në një deklaratë:

“Ende po finalizojmë nëse Irlanda do të jetë një ndalesë në këtë turne”, duke vënë në dukje se presidenti do të jetë në Paris më 11 nëntor për të marrë pjesë në një ceremoni që përkujton 100 vjetorin e armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

Anulimi i vizitës në Irlandë, e cila ishte planifikuar për në 12 nëntor, u raportua fillimisht nga gazeta “Independent” në Dublin dhe radioja publike RTE.

Vizita në Irlandë ishte planifikuar për të përtërirë “lidhjet e thella dhe historike midis dy vendeve”, siç tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim të 31 gushtit.

Kryeministri irlandez Leo Varadkar e vizitoi presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë në muajin mars.

Duke folur në radio RTE më 2 shtator, Varadkar pranoi se ishte i befasuar që presidenti i SHBA e kishte planifikuar vizitën në nëntor, pavarësisht një ftese të hapur për ta vizituar Irlandën në çdo kohë.

Zoti Trump kishte planifikuar të kalonte një ditë në Dublin para se të udhëtonte për në Doonbeg në bregun e Atlantikut ku ai zotëron një fushë golfi.

“Ky zhvillim do të jetë një lehtësim i madh” për qeverinë irlandeze, shkruante gazeta “Independent”, e cila e quante vizitën e zotit Trump burim polemikash, për shkak të planeve të Partisë Laburiste dhe të Gjelbër për të protestuar ndaj ardhjes së presidentit të SHBA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje