Gjigantët e internetit përballë mediave/ Reforma për të drejtat e autorit mbërrin në Parlamentin Europian

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Pas dy muajsh shtyrje, reforma europiane për të drejtat e autorit mbërrin në Europarlament. Me një të ardhme jo fort të qartë, për shkak se mbetet në dorë të “lojërave “ të Parlamentit Europian, kjo reformë ka njohur gjatë muajve të fundit disa amendime kontradiktore dhe ka çuar në ndarje mes grupeve politike. “Ose tani ose kurrë” është paralajmërimi i lëshuar nga Komisioni i BE-së në prag të votimit në Strasburg. Synimi i reformës është që gjigantëve të internetit si Facebook dhe Google t’u hiqet mundësia e fitimit në kurriz të mediave, pa pranuar t’i kompensojnë.

Dy pikat më të debatuara mbeten nenet 11 dhe 13. I pari ka të bëjë me vendosjen e një takse që gjigantët online si Google dhe Facebook duhet t’u paguajnë botuesve, në mënyrë që të kenë të drejtën për të publikuar dhe shpërndarë lajmet në platformat e tyre.

Ndërsa pika 13 parashikon që të gjitha materialet e ngarkuara online në Bashkimin Europian të kontrollohen para publikimit, në mënyrë që të shmanget publikimi i atyre që janë subjekt i të drejtës së autorit.

Pas presioneve të forta në seancën e korrikut, në të cilën u vendos edhe shtyrja e votimit të kësaj reforme, muajt e verës janë shfrytëzuar nga eurodeputetët për t’u thelluar mbis dosjen dhe për të hartuar amendamente me synim modifikimin e tekstit. Dhe amendamentet janë plot 252, që presin të kalojnë në votim.

Nga njëra anë qëndrojnë propozimet “përmirësuese” të relatorit Axel Voss, që sqarojnë përjashtimin e link-eve nga zbatimi i të drejtës së autorit dhe eliminimin e filtrave të materialeve të publikuara, duke i zëvendësuar me një “bashkëpunim” mes platformave online dhe atyre që gëzojnë të drejtën e autorit.

Nga ana tjetër janë ndryshimet që propozojnë liberalët, socialistët dhe grupet e përziera të eurodeputetëve francezë, deri te ideja për t’i hequr të dyja këto nene.

Ndërsa të blertët, e majta, eurskeptikët dhe konservatorët e kundërshtojnë reformën.

Rezultati më negativ për Brukselin do të ishte një votim që do të sillte si pasojë bllokimin e mandatit të Parlamentit për të negociuar me Komisionin dhe Këshillin tekstin final të reformës, ku nenet 11 dhe 13 mbeten më të debatuarat. Kjo do të shënonte kthim mbrapa, pra diskutim sërish në komisionet parlamentare. Praktikisht, kjo do të ishte “vdekja” e reformës, pasi ajo nuk do të kishte kohën e mjaftueshme për t’u diskutuar dhe ridërguar për miratim deri në fund të këtij mandati të Parlamentit Europian. (TemA TV)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *