Përplasjet Londër-Moskë: Putin mohon se të dyshuarit rusë punojnë për ushtrinë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se qeveria e tij e di identitetin e dy personave që Britania ka akuzuar për helmimin e një ish agjenti rus në muajin mars.

Ai hodhi poshtë akuzat e Britanisë se personat janë spiunë ushtarakë rusë dhe tha se ata janë civilë, pa bërë komente të tjera për identitetin e tyre.

Duke folur në një forum ekonomik në Lindjen e Largme të Rusisë, Presidenti Putin nguli këmbë se dy personat nuk punojnë për ushtrinë.

“Natyrisht, ne pamë se kush janë këta njerëz, ne e dimë se kush janë ata, i kemi gjetur tashmë; shpresoj se ata do të dalin vetë në publik dhe do të tregojnë për veten e tyre. Kjo do të jetë më mirë për të gjithë. Po ju them se këtu nuk ka asgjë të veçantë dhe asgjë kriminale. Do ta shohim këtë në të ardhmen e afërt,” tha presidenti rus.

Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit të konferencës, Presidenti Putin tha:

“Do të doja t’u bëja thirrje atyre me shpresën se mund të na dëgjojnë. Ata duhet të kontaktojnë ndonjë prej mediave. Shpresoj të dalin publikisht dhe të tregojnë se kush janë”.

Javën e kaluar, prokurorët britanikë identifikuan dy rusë që ata thonë se përdornin emra të rremë, Aleksandër Petrov dhe Ruslan Boshirov, dhe se u përpoqën të vrisnin Skripalët me një lëndë nervore ushtarake në Angli.

Një stacion televiziv rus njoftoi sot se kishte folur me njërin prej të dyshuarve, Petrov, dhe se ai nuk kishte pranuar të komentonte tani për tani, por kishte thënë se punonte për një kompani farmaceutike në Tomsk të Siberisë. “Tani për tani nuk kam koment, ndoshta më vonë, javën tjetër,” u citua të kishte thënë ai.

Rusia ka mohuar akuzat e Britanisë se dy personat e përmendur qëndrojnë pas sulmit me lëndë nervore që sëmuri ishin agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia në Salisbury të Britanisë.

Kanadaja, Franca, Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët ku shprehin miratim për akuzat e ngritura kundër dy të dyshuarve. Ato gjithashtu shprehën besim tek gjetjet e hetuesve britanikë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Përplasjet Londër-Moskë: Putin mohon se të dyshuarit rusë punojnë për ushtrinë”

  1. says:

    S’është mirë të grinden njëri me tjetrin pasi përfundon keq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *