REPLIKAT/ Artan Fuga “përplaset” live më Muç Nanon: Je blasfemist ndaj fesë, ju nuk lexoni libra

12 Shtator 2018, 11:31Sociale TEMA

Artan Fuga ka qenë dy ditë më parë në emisionin e Mustafa Nanos, me të cilin, siç thotë edhe vetë, nuk ka ndonjë marrëdhënie fort miqësore.

Dhe në emision mes tyre ka pasur një debat të nxehtë.

Vërtet jemi të kundërt me njëri-tjetrin?

Nuk mbaj mend që të kemi qenë dakord me njëri-tjetrin, gjithmonë kemi bërë debate kur është fjala për idetë. Sa herë je në ekrane, je nga ata njerëz që unë të ndjek me shumë dëshirë, pa qenë absolutisht dakord me ato që thua. Mua më pëlqen ky paradoks sepse është i vërtetë dhe si të tillë duhet ta pranojmë paradoksin.

Ne, për gjërat korrente që ndodhin në Shqipëri, mund të mos biem dakord, por për Trumpin besoj se mendojmë njëlloj, si edhe për fetë njëlloj?

Sepse unë e kam ndjekur Artan Fugën dhe e di çfarë mendon Artan Fuga për të tilla gjëra?

Nuk e besoj!

Ju nuk jeni fetar, nuk jam dhe unë, por kjo..?

Ja, e shikon, ti më jep mua një pikëpamje që ke për mua dhe ma vesh mua. Ku e di ti se jam fetar apo nuk jam fetar. Unë fetar nuk jam, por në njëfarë mënyrë unë them se “feja ime” është e ndryshme nga feja që predikon hoxha apo prifti të premten apo të dielën, por kjo nuk do të thotë se nuk kam një përqasje të caktuar, ku unë jam në një kuptim të fesë jopërjashtues, ashtu sikurse je ti Mustafa. Ti je një blasfemist ndaj fesë, ti ke bërë blasfemi me fenë. Mua më ka pëlqyer shfaqja jote, “One man show”, por nuk jam dakord në asnjë rast me ty. Ndërsa për pozicionin tim, unë jam shprehur në librat e mi, ndërsa gazetarët apo të tjerë më komentojnë më shumë për komentet që bëj duke pirë kafen e mëngjesit, sepse ju përtoni të lexoni libra.

Unë lexoj libra se me këtë punë merrem, por librat tuaj nuk i kam lexuar… “Majtasdjathtas” e kam lexuar.

Ai është një pamflet politik që e kam shkruar 20 vjet më parë e ku them se do vijë një ditë ku nuk do të ketë dallim mes së djathtës dhe së majtës. Sot, ne jemi në një kaos politik ku mungojnë strukturat ideologjike ku njerëzit të identifikohen. Kemi thjesht një politikë elektorale, ku secili ndan benefite, premtime, qarje dhe qeshje për të fituar zgjedhjet.

Lidhur me fenë, unë nuk besoj në zotin e predikuar nga librat e shenjtë..

Ajo që unë nuk besoj se ti e pranon, është që për mua është një formë e shkencës. Shkenca bazohet mbi fakte, por fakti nuk është një shishe apo një gjë e ngurtë, por është një seleksionim të dhënash mbi bazën e një teorie, teori, e cila fillimisht kur paraqitet si refleksion, është krejtësisht një besim, një pikëpamje e pabazuar në fakte. Shkenca i ndërton faktet, shkenca nuk zbulon fakte.

Ju nxitët pak kohë më parë një debat për Akademinë e Shkencave. Fakti që ju jeni anëtar i Akademisë së Shkencave, ju turpëron apo ju nderon? 

Asnjë nga këto, më jep përgjegjësi, të cilën përpara kulturës, intelektualit dhe kombit, ndihem përgjegjës që jam në një institucion kaq të rëndësishëm, i cili nuk është në nivelin që duhet dhe nuk luan misionin e vet dhe mendoj që unë nuk e kam bërë atë kritikë për protagonizëm. Nuk pretendoj që gjithë ato që them unë janë të vërteta, por degradimi në një moment të caktuar shkoi aq shumë sa ndërhyri dhe pushteti publik për t’i thënë ‘Stop’, kësaj situate. Unë ndiej një përgjegjësi, një lehtësim që unë në fund të fundit iu drejtova kombit tim, publikut tim, intelektualëve dhe nuk kam bërë ndonjë blasfemi siç duan të më intimidojnë, pse kritikoj etj., etj. Unë kritikoj se jam qytetar i lirë, kam të drejtën e fjalës, ndërkohë që jam i zhgënjyer me politikat qeveritare dhe qëndrimin që mban ministrja e Arsimit për të reformuar Akademinë e Shkencave. U bë një vit që nuk ndërmerret asnjë hap.

Në këtë lojë u fut dhe kryeministri? Rolin që mori për Akademinë vazhdon ta luajë apo e ka lënë?

Unë e kuptoj se Kryeministri nuk duhet në çdo çast të merret me të gjitha gjërat e Shqipërisë, madje unë dua një Kryeministër që të mos merret me të gjitha gjërat e Shqipërisë, sepse një Kryeministër nuk mund të kthehet në një menaxher që ndërton hekurudha, rrugë, bën tekste etj. Kryeministri është njeri i politikës, i vullnetit të asaj maxhorance, që ekziston dhe ka ministrat dhe ekspertët për të bërë këto punë. Unë shoh se ka një mungesë kurajoje, vizioni, një mungesë vullneti dhe besimi që shkenca mund ta emancipojë Shqipërinë. Por unë shoh që Ministria e Arsimit shikon të jetë në një kompromis oportunist me një gjendje amullie që ekziston. Unë kam pasur dhe një projekt normativ, ligjor, personal që kam dashur ta prezantoj para Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe ma kanë censuruar, nuk më lanë as të diskutohet. E çova në Ministrinë e Arsimit dhe nuk kam marrë përgjigje, nuk të thonë, jo ose po. Pra, ka një vegjetim në amulli dhe stanjacion, të cilin unë nuk e pranoj dot.

Nëse zhbëhet Akademia e Shkencave, humbet ndonjë gjë kombi?

Çdo gjë mundet të humbasë, por ky do të ishte një dëm i madh për kombin, sepse, në kuptimin tim, Akademia e Shkencave ka dy mundësi për të ekzistuar: e para, që të jetë kupola e drejtimit të kërkimit shkencor, por që sot në Shqipëri ky model nuk funksion, e dyta, që Akademia e Shkencave të jetë një institucion shumë i madh që bën politikat, monitorimin dhe prezantimin e të gjithë standardeve të kërkimit shkencor në Shqipëri, ku shkencëtarët vetorganizohen, zgjedhin këtë organizim dhe kanë një strategji për kulturën, shkencën që nuk e bën dot asnjë institucion tjetër. Kam 6 vjet që pretendoj të prezantoj platformën time të transformimit të Akademisë dhe nuk më jepet kjo mundësi. Nuk pretendoj se kam të drejtë, por kam të drejtën time të dëgjohem njëherë. Prisja që pasi ta dëgjonin këtë platformë kolegët, të më thoshin me pika se ku e kam gabim. A e mendoni se ajo Kryesi nuk më ka dhënë të drejtën që ta prezantoj platformën time?! Çfarë e quani këtë ju?!

4 komente në “REPLIKAT/ Artan Fuga “përplaset” live më Muç Nanon: Je blasfemist ndaj fesë, ju nuk lexoni libra”

  1. Alban says:

    Thane: Ka ra zjarr ne Shqipni,
    Sec u dogj nji Akademi!
    Kush e dogji Akademine?
    Artan Fuga me Saline!

  2. Durimi says:

    Artani eshte psikopat i koheve te sotme

  3. Çlirim says:

    O Mustafa, po pse i jep hapesire nje idioti si Artan Fuga. Ky eshte “arsyeja e mosarsyes” . Ky eshte nje nga ata qe thone ” a doni me per Belulin”. Me shume shkence ka mendja e fshatarit pragmatist te tregu se truri i ketij pseudo filozofi. Eshte normale qe njerez te ketij lloji (don kishot) te ekzistojne ne fushen e filozofise po nuk i duhen bere shume elozhe.

  4. Artan Sejko says:

    Epo studjon burri i botes,shkruan libra,ngre probleme,jep zgjidhje sipas mendjes se tij dhe dalin disa anonime dhe ne vend te bien dakort,me argumente,ne vend te kundershtojne,me argumente,ithone idjot,psikopat.
    Ju bej pyetjen;Pse eshte idjot dhe psikopat?
    Dhe sidomos kur shani vini emrin.
    Artan Sejko

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje