Urbanizim apo ruralizim

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

 

 

Në vijim të shkrimeve për veprimtarinë e organizuar nga qendra « Shqipëria Europiane » – Ambient i pastër, kulturë dhe qytetërim, dhe me moton « T’i kthejmë qytetit buzëqeshjen », mbështetut nga AMSHC-ja, po botojmë pjesën e tretë të kronikës për këtë veprimtari.

 

Megjithatë, një ambient i pastër dhe i bukur, një vend me tradita dhe me kulturë, normalisht duhet të ketë një jetë të begatë qytetare me sa më pak probleme. Po a është kështu ?

Ish zv/kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe pedagogu i Universitetit të Elbasanit, prof. dr. Ardian Turku që mori pjesë në këtë takim foli për problematikat sociale që paraqet qyteti i Elbasanit.

Tranzicioni i tejzgjatur ka nxjerrë në reliev të gjitha problematika e fjetura dhe ato që janë krijuar për shkak të migracionit të brendshëm sidomos. Përmes shifrave, ai tregoi dinamikën e zhvillimit të qytetit që është vërtet impresionuese. Në vitin 1945, tha ai, Elbasani kishte ¼ e popullsisë që ka sot prej të cilëve 20% jetonin në qytet. Në vitin 1990 Elbasani kishte rreth 82 600 banorë, në vitin 1995 : 102 868 banorë, në vitin 2000, kishte 116 500 banorë, në vitin 2005 rreth 123 000, banorë dhe në vitin 2010 kishte rreth 128 000 banorë. Në vitin 2020 parashikohet që të ketë rreth 136 000 banorë. Siç shihet trendi i rritjes ka rënë.

Ashtu si të gjitha qytetet e Shqipërisë, problemet sociale të Elbasanit u shkaktuan kryesisht për shkak të migracionit të brendshëm, theksoi zoti Ardian Turku. Mes shumë problemesh ekspertët e sociologjisë kanë vënë re se ky migracion e ka vënë qytetin përballë sfidës që zhvillimi do të sjellë tendencë pozitive pra do të krijojë më shumë urbanizëm apo të ardhurit do ta nënshtrojnë qytetin dhe kjo tendencë do të sjellë më shumë ruralizim. Situata është komplekse dhe trendi nuk është shumë i qartë. Në pjesën më të madhe, ndryshimet në mënyrën e jetesës dhe habitati i ri kanë sjellë drame e konflikte, ashtu sikundër dhe ndryshimet politike i kanë nxitur ato.

Nje tronditje të parë duket sikur ka sjellë humbja e punës së sigurtë  apo i jetës së sigurtë përballë alternativës së tregut të lirë dhe punësimit privat apo vetëpunësimit. Në këto kushte, një pjesë e madhe e atyre që në fillim provonin migrmin e brendshëm, më pas zgjidhnin emigracionin jashtë vendit.

Politika nuk ka qenë në gjendje të adresojë drejt problematikat sociale dhe, në shumë raste, ajo ka nxitur konflikte. Kriminaliteti i përhapur, droga, trafiqet e paligjshme, korrupsioni etj, kanë dëmtuar modelin e jetës dhe kanë krijuar një klimë të rënduar sociale.

Ndër problemet sociale që evidenton qyteti ynë janë sidomos ato që lidhen me rininë, sidomos, humbja e besimit, papunësia dhe përhapja e përdoruesve të drogës. Në rang vendi numurohen rreth 80 mijë përdorues kokaine, ndërsa përdorimi i drogave më të lehta po merr përmasa alarmante te të rinjtë.

Ndërkaq, familja është futur në krizë dhe në qoftë se dje numri mesatar i anëtarëve të familjes ishte 6, sot familja ka humbur anën tradicionale, sepse, nëse dikur figura e gjyshit apo gjyshes dhe prindërve ishin modeli që orientonte familjen dhe familjet relativisht të gjera ishin një garanci për qëndrueshmërinë e saj, sot individualizmi dhe jeta e ndarë ka bërë që familja të futet në krizë. Për pasojë edhe në qytetin e Elbasanit vihet re rritja e numrit të divorceve.

Në përfundim të diskutimeve studentët e pranishëm bënë pyetje dhe sollën po ashtu përvojat e tyre në lidhje me mjedisin dhe me njohjen e traditës apo edhe duke rrëfyer historitë e tyre vetjake familjare për të kuptuar më mirë problematikat shoqërore me të cilat ata përballen sot dhe do të ballafaqohen më shumë edhe në të ardhmen.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “  Urbanizim apo ruralizim”

  1. evro 2025 says:

    e shk edhyet shqipen o delenxhinj…..o urbano-rural….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *