Vetting-u në politikë, asgjë nuk është si duket

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse Lulzim Basha do ta refuzonte vetting-un në politikë të gjithë do t’i hidheshin në fyt. Kundërshtarët do të përmendnin frikën e tij për procese të vjetra dhe do të thoshin se po luan bllofin. Miqtë do të keqardheshin për mungesën e ideve.

Neutralëve do t’u dhimbte simbioza e garantuar: një opozitë e dobët, prodhon gjithashtu një qeverisje të dobët. Dhe qeverisjet e dobta janë dert dhe hall i të gjithëve.

Nëse do të bënte, siç dhe bëri, propozim për një vetting të politikës, me Bashën do të ndodhte e njëjta gjë në mënyrë identike, por me role të përmbysura, nga miqtë dhe kundërshtarët e tij. Sapo Basha e artikuloi ftesën e tij për vetting, ligjërimi pro e kundër u vu në rresht. Por për çudinë e të gjithëve, nga rreshti doli vetë kryeministri. Kur të gjithë prisnin reagimin mohues të Ramës, ai befasoi jo pak kur jo vetëm e pranoi vetting-un e politikës, por e çoi edhe shumë më larg propozimin Basha duke zgjeruar rrethin e atyre që do t’i nënshtroheshin vetting-ut.

Nga ky moment, stuhia është e garantuar dhe miq e kundërshtarë do të vazhdojnë me gjasa edhe më tej këtë debat. I cili megjithatë, në mënyrën sesi është konceptuar deri më tani, është pothuaj i gabuar. Qoftë “pro”-të, qoftë “kundrat”-at, nuk janë marë me thelbin, por me sipërfaqen e dukshme. Dhe kjo sipërfaqe është kurthi I pikës së ujit ku mbytet shpesh debati politik në Tiranë.

E vetmja recetë për t’i shpëtuar këtij kurthi qesharak, është tentativa për të gjetur çfarë është racionale në propozimin e Bashës dhe “mirëkuptimin” e pjesshëm të Ramës: është ngritur një shqetësim i drejtë, por është adresuar gabim!

Nevoja për kontrollin dhe pastrimin e politikës shqiptare nga elementë të lidhur me krimin, është ulëritëse në nivel perceptimi, urgjente në rrafsh realiteti dhe e domosdoshme në nivel moral. Në politikë ka dyzina me persona që nuk do të ishin të lumtur të jepnin shpjegime për CV-të e tyre. Njëlloj si ligji kontravers dhe antikushtetues i dekriminalizimit, edhe një mekanizëm i ri ligjor që do ta mundësonte pastrimin e haurit politik, është jo i nevojshëm, por i domosdoshëm.

Kjo është arsyeja se pse Rama e Basha në këtë pikë janë dakort. Sepse të dy e dinë se për cilët njerëz bëhet fjalë. Sepse të dy, edhe pse i përdorin, i kanë në qafë me makutërinë e tyre dhe me faturat e tyre gjithmonë e më të papërballueshme. Sepse të dy e dinë se një bashkëjetesë e tillë e çuditshme me ta nuk mund të zgjasë në pafundësi dhe se ose do të ikin ata tipat, ose do të ikin ata vetë.

Rama e Basha dinë diçka më shumë qoftë se të tjerët, nga njerëzit që i përkrahin apo i kundërshtojnë. Në kushte normale, pastrami i politikës do të kalonte nëpërmjet votës, por së paku edhe legalisht prej 10 vjetësh, që nga ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, në Shqipëri nuk ka më zgjedhje, por emërime. Numri një apo dy e tre i listave partiake shumemërore në secilin qark, është automatikisht deputet. Mjafton vetëm vullneti i kryetarit të partisë që një gjë e tillë të ndodhë.

Në propozimin e Bashës ka shumë të çara politike, juridike dhe morale që fusin ujë dhe këtu kritikët e tij kanë të drejtë ta kryqëzojnë. Që nga mungesa e sinqeritetit e deri tek absurdi që kanë prodhuar dhe e përsërisin në korr me parimin që budallallëku ngjan pa përsëritet: ky propozim pranon ose po, ose jo dhe asnjë diskutim tjetër. Që nga boshllëku legal dhe deri tek tentativa për të “fotokopjuar” institucionet që priten të ngrihen pikërisht për vetting-un e politikës.

E megjithatë, duke parë edhe tre kolonat e tjera të propozimit Basha, doi të kishte pak vend për surprizë nëse nesër do të ketë një qëndrim të ndryshëm dhe pro të opozitës ndaj reformës në drejtësi, një qasje tjetër ndaj një kaste të caktuar të biznesit apo dhe një ligj të ri zgjedhor, të ndryshëm nga ligji aktual.

Për të qenë i besueshëm, Basha duhet të fillojë të shprehet qartë për reformën në drejtësi. Para se t’i shpërndajë deputetët në grupe pune, duhet të nxisë vullnete për krijimin e institucioneve si SPAK dhe BKH. Dy institucione që “pranojnë” e tij për të larguar politikanët e lidhur me krimin, por duke i dërguar ata në burg dhe jo në shtëpi. SPAK e BKH, institucione nën monitorimin e amerikan dhe evropian, premtojnë të mos hetojnë fotografi deputetësh me banditë, por të identifikojnë dhe të sekuestrojnë pasuritë e politikës të prodhuara nga lidhjet me banditë. Nuk ndalon vetëm tek ata, por shtrihet dhe tek familjarët e tyre.

Me shqetësimin e tij të drejtë, por të adresuar gabim, Basha megjithatë ka çelur një debat mjaft të rëndësishëm. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe ata që e përqeshin pa e kuptuar, edhe ata që e duartrokasin pa e lexuar. Nuk është më rasti “bis” si atëherë kur fliste për Cannabis-in apo dhe listën me kriminelë në parlamentin shqiptar. Ka shumë gjëra për të qeshur tek drejtuesi i opozitës, por njëra prej tyre do të duhej të bënte seriozë edhe miqtë, edhe kundështarët e tij. Dhe ky është interesi i përbashkët i tij në këtë pikë me Edi Ramën.

Kryeministri është bërë mjeshtër për të përdorur Bashën si çokun në bilardo: e godet atë për të çuar në gropë zarin e rradhës. Ndaj për të kuptuar më mirë se çfarë bën Basha në opozitë, është mirë të kuptohet vullneti, synimi dhe dëshira e kryeministrit. Kjo është një recetë e provuar shpesh herë vitet e fundit. Një recetë do të turpëronte naivët, që mjafton të shuajë zellin e atyre që e sulmojnë dhe I bën qesharakë ata që mbrojnë kryetarin e opozitës.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *