Dialogu Kosovë-Serbi, Bushati: Procesi të vijojë me durim strategjik, kreativitet dhe me vendosmëri

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Kosovë ku po zhvillon një vizitë zyrtare. Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, Zëvendëskryministrin e parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli, si dhe përfaqsues të spektrit politik në Kosovë.

Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli me të cilin diskutuan mbi bashkëpunimin mes dy vendeve tona por dhe rolin e parlamentit në zhvillimet e vendit.

Gjatë takimit me Kryeministrin Haradinaj, biseda u fokusua kryesisht në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe atë shumëpalësh, zhvillimet në rajon dhe dialogu Kosovë- Serbi.

Në takim me Zëvëndëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, Ministri Bushati u ndal tek çështjet e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimi i punës së përbashkët për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe më gjerë, mbledhja e përbashkët e dy qeverive si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Ministri Bushati nënvizoi mbështetjen e padiskutuar dhe të qëndrueshme të Shqipërisë për Kosovën.

“Deviza jonë është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal. Kur vjen puna për këtë çështje kemi demonstruar unitet dhe solidaritet”, nënvizoi Ministri Bushati.

Duke iu referuar dialogut, Ministri Bushati nënvizoi nevojën “për të vijuar në këtë proces me durim strategjik, kreativitet dhe me vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe arritjen e mundimshme të saj”.

Ndërsa në takimin me Zëvëndëskryeministrin Fatmir Limaj, u diskutua mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive në Pejë në funksion të konkretizimit të marrëveshje sidomos në fushën ekonomike.

Gjatë qëndrimit në Kosovë Ministri Bushati, zhvilloi takime edhe me krerët e partive politike parlamentare.

Me poshtë gjeni fjalën  e dy Ministrave gjatë konferencës për shtyp

Fjala e ministrit Behgjet Pacolli:

Dëshiroj të përshëndes stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë mundësuar mbarëvajtjen e këtij takimi shumë shumë të rëndësishëm.

Unë sot pata nderin te jem nikoqir i ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, vëllaut tim Ditmirit dhe delegacionit shoqërues.

Ne folëm për marrëdhëniet tona bilaterale, për  rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për rëndësinë e Shqipërisë, gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

Raportet tona janë gjithmonë në fuqizim e sipër. Ne asnjëherë nuk jemi ndalur që të zhvillojmë marrëdhëniet tona e ato t’i pasurojmë me ide shumë kreative.

Dua t’ju them se, në muajin nëntor do kemi takimin  e radhës, mbledhjen e dy qeverive, kësaj radhe në Pejën e bukur dhe sigurisht, do të ketë lajme të mira që dalin nga konkluzionet e këtij takimi.

Shqipëria gjithmonë është në mbështetje të Kosovës si në rrafshin rajonal, ashtu dhe atë ndërkombëtar.

Këtë vit, përpjekjet tona të përbashkëta janë që Kosova të arrijë synimin e vet dhe të krijojë kushte për lëvizjen e lirë të kosovarëve, do të thotë për liberalizimin e vizave. Siç e dini, tri sfida i kemi kaluar dhe sfida e fundit, ajo kryesore, mbetet ende. Besoj se me punën tonë, me vullnetin tonë do të arrijmë edhe këtë. Ne udhëtojmë së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Nju Jork ku kemi një mori takimesh të përbashkëta dhe gjithmonë këto takime si qëllim kryesor kanë faktorizimin, forcimin e shtetndërtimit të Kosovës.

Ne folëm sot në takimin tonë për marrëdhëniet tona, për ato që e rëndojnë bashkëpunimin dhe për veprimet që do të ndërmarrim së bashku në mënyrë që të krijojmë lehtësime në këto marrëdhënie.

Pala shqiptare sot është jashtëzakonisht e interesuar se si ecën dialogu me Serbinë. Unë informova homologun tim dhe delegacionin se dialogu përfundimtar me Serbinë pothuajse ka filluar. Ka pasur tre takime. Takimet vazhdojnë. Edhe pse jashtëzakonisht i  vështirë, ai duhet të vazhdojë. Është i kufizuar në kohë, nuk do të zgjatë me dhjetëra vite por ai duhet të japë konkluzionet e veta shumë shpejt. Kjo i nevojitet Serbisë për integrimet e saj por edhe Kosovës. Përmenda faktin se çdo gjë është e hapur në diskutimet me Serbinë, duke marrë parasysh faktin se Kosova është shtet i pavarur, ka shpallur pavarësinë e vet në territorin e vet në vitin 2008 dhe deklarata ka pasur për bazë kufijtë e Kosovës dhe ato duhet të respektohen edhe në të ardhmen.

Kushtetutshmëria e Kosovës duhet të mbrohet në plotni dhe integriteti territorial i Kosovës. Unë kam kërkuar nga pala shqiptare të mos ketë ndërkryq dhe të shohë çfarë po ndodh këtej. Pala shqiptare duhet të jetë pjesë, përveçse synimit tonë, synim kemi dialogun me Serbinë dhe aty ose në publik ose mbas kuliseve, të jenë aty. Nëse mundet Bashkimi Evropian të jetë prezent dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, pse jo Shqipëria? Shqipëria mund të jetë një kontribut jashtëzakonisht i madh.

Kemi biseduar për integrimet rajonale dhe iniciativat e ndryshme evropiane të Kosovës dhe kemi ardhur në përfundim se ndihma, mbështetja e Shqipërisë është jashtëzakonisht e nevojshme. Ne kemi mision të përbashkëta në tri pika, në Milano, në Munih dhe në Kopenhagë. Puna ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe mund të përdoret si arsye që ne të vazhdojmë krijimin e përfaqësive të përbashkëta. Aty ku Kosova nuk ka përfaqësi ose nuk ka mundësi të hapë përfaqësinë e vet, të shfrytëzojë infrastrukturën e Shqipërisë dhe aty ku Kosova do të hapë përfaqësitë e reja, aty do të jetë prezent edhe misioni shqiptar. Për këtë nuk ka asnjë dilemë, ne kemi akorduar dhe do të bashkëpunojmë. Nga sot, ju them se do të kemi trup enkas nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i cili, do të jetë aty dhe do të koordinojë punët me ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por jo vetëm të këtyre dy ministrive, unë besoj edhe të qeverive tona.

Siç e dini, bilanci i shkëmbimit tregtar është ende i ulët, kemi arritur në 127 milion total eksport të Kosovës drejt Shqipërisë dhe importi është 212 milion. Ne nuk duhet të jemi të kënaqur me këto shifra, Ne duhet ta rrisim bilancin tonë tregtar. Ingredientët ekzistojnë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Për këtë duhet vetëm pak mund dhe vullnet. Kosova është këtu, Shqipëria atje. Kemi për ç’ka të flasim dhe të intensifikohen takimet edhe bilaterale, politike, ekonomike, ato të sportit, kulturës por edhe të biznesit dhe eksperiencat egzistojnë në anën tjetër që i nevojiten Kosovës. Por edhe Kosova mund të ofrojë për biznesmenët por edhe për biznesin në përgjithësi  mund të ofrojë mbështetje edhe logjistikë.

Dua të përshëndes homologun tim Ditmir për punën e mrekullueshme që ka bërë në zgjidhjen e problemit historik me Greqinë.Ne kemi përcjellë takimet tuaja që këni patur dhe sinqerisht ju përgëzoj se ka qenë një punë e mrekullueshme dhe sot, kjo punë merret si një shembull i mirë dhe si një lajmotiv që problemet e tjera  të zgjidhen në rajon. Në  iniciativa rajonale, Shqipëria është gjithmonë prezente. Siç  e dini, RCC do të kryesohet nga Shqipëria prej 1 janarit 2019 dhe unë besoj se aty ne do ta kemi më lehtë dhe ndoshta do t’ju lutesha nëse ka ndonjë vend të lirë të punës t’ia ofroni edhe Kosovës në mënyrë që Kosova të jetë prezente në këtë organizatë.

Sa i përket organizatave të tjera, ne shumë shpejt do të kryesojmë Komunitetin e Transportit. Jemi duke zgjedhur personin e duhur, sigurisht do të kërkojmë mbështetje nga eksperienca juaj.

Ju faleminderit Ministër, faleminderit vëlla Ditmir për çdo gjë që keni bërë dhe bëni për Kosovën. Mos e harroni Kosovën. Kosova ka nevojë për eksperiencën, për ndihmën e Shqipërisë. Ky vit që është vit i sfidave, kemi Interpolin para nesh, kemi liberalizimin e vizave para nesh, kemi UNESCO-n para nesh. Kosova duhet të mbështetet në rradhë të parë nga eksperienca jote nga eksperieca juaj  dhe nga faktori tjetër shqiptar.

Ju faleminderit shumë për vizitën. Ju thashë edhe një herë tjetër, nuk jeni mysafir këtu, ju jeni në shtëpinë tuaj, ti dhe gjithë delegacioni, kështu që shfrytëzoni Kosovën, shfrytëzoni shtëpinë tuaj në kohë kur ju doni dhe mënyrën si ju doni.

Faleminderit shumë.

Fjala e ministrit Ditmir Bushati:

Shumë falëminderit për mikpritjen si gjithmonë Baca Behgjet dhe përgëzime edhe për ambientet e rikonstruktuara këtu që tregojnë realisht jo thjesht që në Kosovë ka patriotë si puna juaj por, edhe se Kosova po hedh një hap tjetër të rëndësishmëm nga pikpamja  e përfaqësimit dinjitoz për ata që vijnë dhe ju takojnë këtu. Në të njëjtën kohë, për kontributin tuaj të pa zëvendësueshëm në procesin e liberalizimit të vizave.E di që është meritë e lidershipit politik në Kosovë, e nëpunësve civile apo shërbyesve civilë, siç i thoni ju këtu, që kanë ndërmarrë reforma të vërteta, reforma rrënjësore. Duke u nisur nga eksperienca jonë që e kemi kaluar këtë proces  para pak kohesh, e di sa e vështirë është edhe për t’i komunikuar këto reforma, ç’ka është përgjithësisht detyrë e juaja dhe e gjithë ekipit të ministrisë së Punëve të Jashtme vendimi në radhë të parë i Komisionit për Çështjet e Drejtësisë në Parlamentin Evropian e tanimë i hap rrugën vendimmarrjes së ministrave të Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian të cilët, për shkak të natyrës së tyre të punës, janë pak më të vështire se ne ministrat e Jashtëm. Por unë jam i sigurt që me angazhimin e të gjithë faktorëve politikë këtu dhe me miqtë që ka Kosova, sot për sot brenda radhëve të Bashkimit Evropian edhe kjo sfidë do të kalohet për ta përfshirë Kosovën dhe qytetarët e saj në listën e bardhë të Shengenit, ç’ka do t’i jepte fund një izolimi absurd sepse tanimë nuk ka asnjë justifikim për të mos ta kryer këtë proces.

Së dyti, dua t’ju siguroj që mbështetja e Shqipërisë do të vazhdojë për disa procese të rëndësishme për të cilat është përfshirë Kosova, qoftë me avancimin në fronkofoni, me anëtarësimin në Interpol, por, dhe me kryesimin vitin tjetër të Organizatës së Evropës Juglindore që është platforma më e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal që grupon vende që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor, vende që janë në Evropën Juglindore anëtarë të Bashkimit Evropian, anëtarë të Nato-s kandidatë apo pa një marrëdhënie ende të qartë kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Do të jetë një sfidë të cilën, jam krejt i bindur që Kosova do ta përmbushë me shumë sukses dhe në mënyre të dinjitetshme. Sot, ne gjithashtu kemi pasur mundësinë për të folur me mikun tim Behgjet Pacolli dhe me ekipe respektive dhe për sa i përket bashkëpunimit tonë dypalësh. Dy qeveritë tona do  të mblidhen në Pejë, siç u tha dhe do të jetë një mundësi tjetër e artë për të rishikuar progresin që kemi bërë në këtë drejtim por, edhe mangësitë apo ato boshllëqe që duhet t’i adresojmë.

Është krejt e vërtetë që është bërë një progres i pamohueshëm dhe kjo reflektohet dhe në shkëmbime tregtare dhe vëllimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. 2017 ka një rritje rreth 10% siç u tha nga ju Baca Behgjet.

Shpresojmë që 2018 gjithashtu të ketë një konfirmim të këtij trendi dhe pse jo, në rritje. Por, nga ana tjetër e dimë që ka ende pengesa, ka ende vështirësi dhe ka ende ankesa, qoftë nga qytetarët që jetojnë këndej apo andej kufirit dhe qoftë dhe nga biznese apo nga sipërmarrës. Jemi ende larg krijimit të asaj zone të përbashkët mes nesh. Që para shumë vitesh kur ju kam ndjekur, ju keni qenë në botën e sipërmarrjes dhe unë kam qenë student. Ndoshta keni qenë ndër të parët pionierë që keni evokuar idenë e një Ballkani Perëndimor apo asaj që ne sot e quajmë “zona ekonomike rajonale” por që siç e shohim, ka shumë pengesa të cilat duhen çmontuar një nga një.

Pikë tjetër e diskutimit tonë ishte dhe zhvillimet në rajon. Unë kthehem nga një vizitë në Shkup, me të  gjithë faktorin politik atje, shtetëror dhe politik. Gjithashtu, ministri i Jashtëm Pacolli ka qenë së bashku me Presidentin Thaçi në një takim në Shkup edhe për shkak të faktit që për pak ditë, Shkupi do t’i drejtohet një procesi shumë të rëndësishëm siç është Referendumi për çështjen e emrit dhe që do t’i krijojë, shpresojmë dhe urojmë, një horizont të ri jo thjesht Maqedonisë, por edhe shqiptarëve  që jetojnë atje të cilët kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një rol përcaktues për integrimin euro-antlantik të Maqedonisë, por edhe për të krijuar një klimë edhe më të mirë të sigurisë në Rajon dhe të prespektivës së integrimit në familjen euro-atlantike.

Pikë tjetër e diskutimit tonë në këtë proces ishte edhe ecuria e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shqipëria e ka mbështetur në mënyrë konsistente të qëndrueshme këtë proces pavarësisht se kush ka qenë dhe kush është në krye të punëve të vendit në Shqipëri apo në Kosovë. Për sa i përket kësaj çështjeje, deviza jonë në Shqipëri është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri, pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal. Kur vjen puna për këtë çështje, ne kemi demonstruar një unitet dhe solidaritet dhe jam i bindur që edhe mesazhet që dha sot Baca Behgjet, por edhe mesazhet edhe çështjet që janë diskutuar në takime dhe formate të ndryshme, flasin qartë për nevojën për të vijuar me këtë proces me durim strategjik, natyrisht edhe me kreativitet por me vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe për të konsoliduar arritjet e mundimshme të saj.

Faleminderit.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *