Shtegtime në malësinë shqiptare (një shkrim fantastik nga albanologu austriak, me një shqipe të shkëlqyer)

19 Shtator 2018, 11:57Turizëm TEMA
Shtegtime në malësinë shqiptare (një shkrim fantastik nga

Nga Kurt Gostentschnigg

Gëzimi paraprak për ekspeditën njëjavore të financuar privatisht nga një pjesëmarrës shqiptar për në malësinë shqiptare u zbeh vetëm nga fakti se nuk mund të merrnin pjesë të gjithë kolegët dhe miqtë albanologë të parashikuar. Më në fund morën pjesë shtatë veta: katër shqiptarë, dy nga Kosova dhe dy nga Maqedonia, një gjerman, një hungarez dhe një austriak. Unë e kuptova vetëm si një udhëtim pushimi, për të cilin kisha aq shumë nevojë, pasi kisha punuar pa ndërprerje në katër vitet e fundit. Gjatë ekspeditës vura re se kolegët e mi e kuptonin gjithnjë e më shumë si një udhëtim eksplorues dhe planifikonin një botim të përbashkët mbi të, për të cilin çdo pjesëmarrës do të kontribuonte me një lloj raporti personal. Shkencërisht i papërgatitur siç kisha hyrë në këtë ekspeditë, mund të mbështetesha lidhur me hartimin e këtij raporti vëtëm në detyrën, të cilën ia kisha vënë vetes në fillim të udhëtimit: së pari dokumentimi i dinamikës së grupit tonë nëpërmjet fotografive dhe filmimeve të pjesëmarrësve dhe të gjithë grupit; në fund kisha arritur numrin inflator të 796 fotografive dhe 107 filmimeve, sepse kisha fiksuar edhe dashurinë time për natyrën, peizazhet, pyjet, malet, lumenjt, pemët etj.; së dyti dokumentimi i dinamikës sime të brendshme në formë refleksionesh të ndryshme.

Ekspedita filloi në Kosovën e Jugperëndimit me nisjen nga Prizreni dhe një shtegtim të parë të mrekullueshëm në Zaplluzh, Opoje, komunë të Dragashit. Ne vazhduam nëpërmjet Junikut për në Gjakovë, Rrafsh të Dukagjinit, dhe nga atje për në Shqipëri të Veriut, ku do të vizitonim dhe shtegtonim Valbonën, Thethin dhe Kelmendin. Rrugës morëm një banjë freskuese për këmbët – disa edhe për trupin – në një lumë mali. Ndërsa mua si shtajermarkas Valbona dhe Thethi më dukeshin si alpet austriake në Tirol, Kelmendi ishte për mua si një kombinim nga Shtajermarku i Sipërm – maja të larta mali në sfond – dhe Stajermarku i Jugperëndimit – peizazh kodrinor “Toskana” me përrenj, livadhe të begata, pemë frutore dhe pyje të përzier. Dreka në Valbonë u shoqërua nga këndimi tradicional i burrave me lahutë dhe çifteli, ku nuk kuptoja gati asnjë fjalë nga përmbajtja heroike, por isha i prekur aq thellë nga efekti tepër i fuqishem i zërave dhe instrumenteve, sa më mbusheshin sytë me lotë.

Në kullën e ngujimeve në Theth dëgjonim me nderim tregimet e pasardhësit të rojave të kullës, saqë guxova të filmoja vetëm në fund. Për mua Thethi është mbreti i malësisë shqiptare. Vetëm për shtegun për tek ujëvara madhështore me kanalin e tij të ngushtë ujitës, uji i rrjedhshëm gurgullues i të cilit nuk është masazh vetëm për veshët, por edhe për zemrën dhe Shpirtin, ia vlente udhëtimi. Kulmi i shtegtimit tonë ishte shtegu i pjerrët nga lugina e Valbonës nëpërmjet qafës së Valbonës për tek lugina e Thethit, i cili na dhuronte pamje frymërrëmbyese dhe emocione të paçmueshme. Brenda vetes u ngritën kujtime për Nikaj-Mertur, ku kisha festuar në dhjetor 1992 në Mserr festën e Shën Nikollës me familjen e mësuesit të nderuar Dedë Sokoli dhe kisha pasur mundësinë të përjetoja në një fshat tjetër një gjëmë/gjâmë burrash. E rikujtova ekspeditën trijavore universitare në korrik 1993 për në Pult, Shosh dhe Shalë, ku – në traditën e Johann Georg von Hahn-it – kisha mbledhur përralla dhe tregime. Shtegtimi nga Valbona për në Theth më dhuronte orët e vetme, në të cilat mund të isha në mënyrë të papenguar dhe të pavënëre, duke e humbur egon e vogël në veten e madhe, krejt tek vetvetja. Tani, nëpërmjet një alkimie të padukshme të maleve, transformimi nga hulumtuesi në poet qe i kryer.

Kulmet për mua si albanolog ishin vizitat e përmendoreve për Edith Durham-in, mbretëreshën e malësisë shqiptare, dhe për Franc Nopcsa-n, mbretin e malësisë shqiptare, në Shalë si dhe vizita e varrit të Robert Elsie-t tonë të paharrueshëm, të mbretit të albanologjisë të ditëve tona, në Theth. Përballë bukurive të natyrës bisedat tona rrotulloheshin edhe rreth rrezikimit të tyre të mundshëm nga dyndja e pritshme e turistëve. Dhënia e licencave nga ana e një qeverie të mëparshme për ndërtimin e hidrocentraleve në malësi ka tashmë si pasojë një ndërhyrje masive në natyrën e paprekur. Rruga e planifikuar me asfalt për në Theth do të përmirësojë vërtet standardin e jetesës së

vendësve në mënyrë të qartë nëpërmjet infrastrukturës pasuese, por do të shkaktojë edhe turizmin masiv të dëmshëm për natyrën dhe njeriun. Lëpusha e mrekullueshme në Kelmend të shndërrohet në një “peizazh fshatrash zviceran”, me çka paraprogramohen kushte si në Tirol, në vend që të besohet më tej në turizëm individual dhe aventuresk në një natyrë relativisht të paprekur. Pas një bisede impresionuese me një burrë të moshuar në Vermosh, të cilën e kisha filmuar pothuajse krejt, para se të darkonim peshk në Koplik tek liqeni i Shkodrës, bëmë spontanisht një ekskursion të shkurtër për në Guci dhe Plavë në jugun e Malit të Zi, i cili ia vlejti vërtet.

Gjatë ekspeditës të gjithë kolegët e mi albanologë merreshin me aspekte dhe çështje historike, gjeografike, etnografike, ekonomike, politike, sociale, kulturore dhe kombëtare të zonës së vizituar, por edhe të gjitha vendbanimeve shqiptare në Ballkan. Përherë mahnitesha mbi dijen e tyre të përgjithshme dhe të hollësishme, por, meqë gjendesha në modusin e pushimeve, nuk kisha shumë qejf të merrja pjesë në këto diskutime historike dhe politike. Kolegu im gjerman dhe ai hungarez u hodhën në zjarr edhe për mua, duke iu përgjigjur pyetjeve historike dhe albanologjike të kolegëve tanë shqiptarë, të cilët natyrisht ishin kureshtarë për mendimet tona. Shqiptarët nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e tyre kombëtare, prandaj, vetëkuptohet, kjo temë nuk i lë të qetë intelektualët e tyre. Ndërsa unë mbeta shpejt pa gojë nga madhështia e natyrës, shkova në përsiatje filozofike në brendësinë time dhe shijova të qenët bashkë me miq në mes të një flore dhe faune të papërshkrueshme. Kështu duhet të ketë qenë edhe për Edith Durham-in dhe Rose Wilder Lane-in. Unë doja ta përjetoja këtë ekspeditë nga një perspektivë e brendshme, kështu që ndodhën një shndërrim i natyrshëm nga historiani dhe albanologu tek filozofi dhe poeti si dhe një zhvendosje e ndijimit nga koka tek zemra. Shumë shpejt më rrëmbeu rrjedha e meditimit dhe u mbush dalëngadalë me pyetje parimore dhe përgjigje të habitshme.

A nuk vihemi shpesh në jetë para dilemës të shtiremi për t’iu përshtatur mainstream-it për shkak të interesit të lindur nga lufta për ekzistencë, apo të mbetemi vetvetja për hir të detyrimit ndaj vërtetësisë së brendshme? Vendimi për kërkimin e së vërtetës në kohën tonë do të thotë për individin dhe kolektivin dërrmimi midis mokrave neokapitaliste të lakmisë së pangopshme për fitim të të paktëve dhe të shfrytëzimit të pamëshirshëm të të shumtëve ose lufta donkishoteske me mullinjtë e erës të frymës së pashpirt të kohës, e cila po shitet tek neokapitalizmi dhe popullizmi i djathtë. P. sh. historianë që jetojnë vetëm me kërkimin, detyrohen t’u ofrohen politikës, ekonomisë dhe kapitalit, për të marrë një të drejtë të ekzistencës dhe financimin e domosdoshëm për ushtrimin profesional. A nuk është edhe refuzimi për të mbajtur një “gojëz” të tillë, i cili ka përzënë nga atdheu i tyre mendimtarë të lirë intelektualë, siç kanë qenë Thomas Mann, Kurt Tucholsky dhe Stefan Zweig? Pyetja e përhershme e të qenit njeri i papërsosur është: a dua unë si krijesë e natyrshme dhe e vdekshme vetëm të mbijetoj sa më gjatë në ndarjen vdekjeprurëse në kurriz të gjallesave të tjera – njerëzve, kafshëve, bimeve –, apo dua unë si Shpirt i mishëruar të zbuloj veten time të pavdekshme dhe të jetoj në unitetin shpëtues dhe vetërealizues?

Kjo nuk vlen vetëm për individin, personin, por edhe për kolektivin, popullin, etninë, kombin ose sido që ta emërtojmë dhe përcaktojmë, meqë të dy kanë një thelb të brendshëm të qëndrueshëm, i cili shprehet nëpërmjet formave fenomenale kalimtare. Individi dhe kolektivi mund të zgjedhin: një jetë për formën e jashtme ose një jetë për qenien e brendshme. Ashtu siç Shpirti individual i mbledh të gjitha format e saja fenomenale – fizike, vitale, emocionale, mentale – rreth vetes, ashtu edhe të gjitha pjesët fenomenale, të cilat i përkasin të njëjtit Shpirt kolektiv, mblidhen në një bashkim të natyrshëm të vazhdueshëm, i cili në fund të fundit nuk është asgjë tjetër përveçse një çështje e vetme e kohës, ku forma e jashtme e vetërealizimit kolektiv – si shtet kombëtar me kufij territorialë “etnikisht” të përcaktuar, i cili është gjithmonë vetëm në kurriz të etnive dhe minoriteteve të tjera, ose si pjesë e një tërësie më të madhe si një shteti federal ose një federate shtetesh – mund të variojë. Për ekzistencën e një koshience kolektive nuk duhen as prejardhja e përbashkët, e cila çohet nga analiza e geneve ad absurdum, as shtetësia e lidhur me një territor, por vetëm historia, kultura dhe gjuha e përbashkët dhe mbi të gjitha identifikimi personal. Kurdët p. sh. nuk kanë një shtet të përbashkët kombëtar, por e konsiderojnë veten pa dyshim si etni ose komb. Më

shumë sesa njohuritë e tyre të gjithanshme mbi vendbanimet shqiptare dhe më gjerë më ka hyrë në zemër dashuria e kolegëve dhe miqve të mi albanologë shqiptarë për kombin dhe popullin e tyre, sepse kjo tregon se miqtë e mi kanë arritur të bëhen koshientë për dimensionin shpirtëror të nocioneve mendore “komb” dhe “popull”. Ky dimension nuk kapet me intelekt, por vetëm me zemrën e fshehur pas zemrës.

Për sa i përket çështjes shqiptare, fjala e fundit nuk është thënë ende. Ne do të shohim, nëse pas dy ose tri gjeneratave do të gjendemi ende përballë një kombi të vetëm shqiptar apo – në qoftë se një Shpirt i ri kolektiv është tashmë duke u inkarnuar në një pjesë të shqiptarëve – një kombi shqiptar dhe një kombi kosovar, në analogji me manifestimin përfundimtar të një kombi austriak ndryshe nga ai gjerman jo më vonë se pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo ne nuk jemi vetëm austriakë, gjermanë, hungarezë, shqiptarë, serbë, grekë etj., por njëkohësisht evropianë, amerikanë, afrikanë, aziatikë etj., që të gjithë ne përsëri jemi një në të qenët njeri dhe akoma pafundësisht më thellë.

Ashtu siç ndihem unë jo vetëm si austriak, por edhe si shtajermarkas perëndimor ndryshe nga shtajermarkasit lindor dhe të sipërm, si shtajermarkas ndryshe nga tirolezët, vjenezët etj., si evropian të mesëm, evropian, qytetar i Tokës ose njeri dhe më në fund si Shpirt, i cili mishërohet sukcesivisht në forma bimore, shtazore dhe njerëzore dhe, në transhendencën e tij mbikozmike, është një pjesë e përjetshme e Hyjnores së papërkufizueshme, që i bashkon të gjitha kundërshtitë e mendueshme brenda vetes, ashtu një shqiptar mund të ndihet jo vetëm si shqiptar, por edhe si tiranas, shkodran, prizrenas, tetovar etj. ndryshe nga durrsakët, vlonjatët, gjakovarët etj., si ballkanas ose evropian jugperëndimor, evropian, qytetar i Tokës dhe më në fund si Shpirt i mishëruar në trup njeriu. Me një fjalë: një person mund të ndihet t’u përkasë disa kolektivave dhe prandaj të ketë disa identitete.

Gjatë shtegtimeve meditative në malësi shfaqeshin përherë imazhe simbolike në brendësinë time si ai i shumë diejve brenda njërit diell. Pa ndërhyrjen e kokës zemra kapi në mënyrë spontane dhe intuitive të vërtetën e përmbajtur në të: misteri i përhershëm më i lartë, më i thellë dhe në thelb shumë i thjeshtë është dashuria. Dashuria është Hyjnorja, Perëndia, njësia ose uniteti. Njësia përmban shumësinë. Prandaj ne mund të flasim për Hyjnoren si Njëri/I Vetmi dhe Të Shumtët. Njësia përmban gjithashtu të qenët dhe të bërët. Shumësia përmban Individualen dhe Kolektiven. Pra, Njësia në katër aspektet e saja themelore është Të Qenët, Të Bërët, Individi dhe Kolektivi. Njësia është baza e shumësisë dhe me këtë më e larta dhe shkaku dhe qëllimi i të gjithave. I Vetmi dhe Të Shumtët shpalosin si Shpirti Kozmik si dhe Shpirtrat Individualë dhe Shpirtrat Kolektivë mundësitë e pafund të Të Qenit Suprakozmik-Transhendent në Të Bërit Kozmik-Imanent. Në nivelet e Të Qenit të pahapësirë dhe të pakohë jemi gjithmonë koshientë për unitetin. Në nivelet e Të Bërit hapësinor-kohor bëhemi hap pas hapi koshientë për unitetin tonë të humbur.

Vetëm pasi ne si individë dhe kolektiva ta kemi kuptuar dhe përvetësuar me kokë dhe zemër këtë fakt fundamental, do të jemi në gjendje që nëpërmjet një koshience dhe force të re të ndalojmë ende në kohën e duhur trenin, me të cilin po përshpejtojmë në mënyrë vetëvrasëse drejt murit të përplasjes të ndërtuar nga ne vetë, dhe t’i japim një drejtim tjetër, për të shpëtuar veten tonë si njerëzim nga shuarja e pashmangshme. Ne duhet të mendojmë vetëm për kërcënimin atomik, terrorizmin mbarëbotëror të të gjitha llojeve, mbipopullimin, ndryshimin e klimës të shkaktuar nga ngrohja globale e bërë nga njeriu, ndotjen dhe shkatërrimin e mjedisit si dhe harxhimin e papërgjegjshëm të burimeve natyrore.

Nga skenari i pasojave të tmerrshme të rritjes së pakufizuar të ekonomisë, shkencërisht i vërtetuar në përgjithësi nga Dita e Shterimit të Tokës (Earth Overshoot Day) që çdo vit ndodh gjithnjë e më shpejt, na ka paralajmëruar me ngulm Klubi i Romës (Club of Rome) që në fillim të viteve shtatdhjetë. Kjo është sfida ultimative për ne të gjithë si individë dhe kolektiva. Shri Aurobindo, Meister Eckhart, Rumi dhe mistikë/jogistë/sufistë, profetë, filozofë dhe poetë të tjerë të të gjitha kohëve dhe kulturave na kanë thënë prej kohësh zgjidhjen në mënyrë të përsëritur. Princi i Vogël i bie pikës: “Njeriu vetëm me zemrën sheh mirë. Thelbësorja është e padukshme për sytë.” Vetëm një ndryshim i koshiencës, i cili bazohet në unitetin e brendshëm, shkakton një ndryshim të të menduarit, të ndierit dhe të vepruarit dhe si pasojë e fundit një

ndryshim të botës në kuptimin e një jete në harmoni me natyrën dhe të një paqeje të qëndrueshme. Shumica e shkencëtarëve dhe intelektualëve nuk guxojnë ta shprehin ose madje ta shkruajnë këtë, disa ndoshta as të mendojnë një gjë të tillë, nga frika se do të përqeshen për këtë nga kolegët, studentët dhe lexuesit e tyre dhe të dëmtojnë prestigjin dhe karrierën e tyre. Mirëpo Ken Wilber, i cili ka ndikuar ndër të tjerë Bill Clinton-in dhe Al Gore-in, dhe protagonistë të tjerë të të menduarit integral kanë argumentuar prej kohësh provueshmërinë shkencore të eksperiencave mistike/jogike ose shpirtëroro-spirituale në një mënyrë përgjithësisht intelektualisht të kuptueshme, duke parashtruar përbashkësitë ekzistuese në të gjitha kulturat dhe kohët të eksperiencave të tilla më të brendshme. Kjo – me shumë pak përjashtime – nuk ka depërtuar ende deri tek universitetet evropiane, të cilat i kushtohen si gjithmonë iluminizmit shumë të kufizuar. Arsyeja shkencore, e ndarë nga mistika dhe e ulur në fronin e ndërmjetësimit të së vërtetës, shpall Shpirtin dhe Perëndinë pjellë të fantazisë ose i kalon në heshtje dhe e quan materien shkakun e energjisë, megjithëse është e padukshmja që e lind të dukshmen dhe jo anasjelltas, duke i sjellë me këtë aq shumë fatkeqësi njerëzimit sa monoteizmi çifut, i krishterë dhe mysliman me pretendimin e tyre ekskluziv për të vërtetën hyjnore.

Nga këndvështrimi kontemplativ gjithçka duket e ndryshme. Ashtu siç katër albanologë shqiptarë, një albanolog gjerman, një albanolog hungarez dhe një albanolog austriak ishin simbolikisht në zemër të bashkuar për një javë në malësinë e “skipetarëve”, ashtu jemi ne të gjithë – njerëz të ngjyrave, etnive, kombeve dhe feve të ndryshme – në të vërtet një në thellësinë e Shpirtit. Ka ardhur koha të heqim dorë nga paragjykimet reciproke në kokë dhe zemër, të përqafohemi dhe të pajtohemi si vëllezër dhe motra në Shpirt, në qoftë se duam t’u ofrojmë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë sesa e kemi pasur ne dhe paraardhësit tanë.

Në qoftë se ndodh jo nga interesi, por nga një koshiencë e vërtetë uniteti, në qoftë se e do sinqerisht jo vetëm njëra palë, por edhe pala tjetër – pse Prishtina dhe Beogradi t’i mos japin shembull të mirë botës? Shumë lexuesve mund t’u duket si një utopi naive larg realitetit, por e parë afatgjatë evolucioni spiritual i njerëzimit, ky kërcim kuantik i dëshiruar i koshiencës së masës së madhe, i cili duhet aspiruar duke iu larguar ndarjes fenomenale dhe duke iu afruar unitetit esencial, meqë e lidhur me çlirimin e burimeve energjetike më të brendshme dhe më të larta sot ende të pamarra me mend, është shpëtimi ynë i vetëm nga fundi kolektiv, i cili po përgatitet dhe vetëpërshpejtohet gjithnjë e më shumë, dhe nga i cili nuk do të na ruajnë përparimi sipërfaqësor teknik dhe digjital, derisa nga ana e koshiencës ne mbetemi të lidhur ngushtë me dualitetin dhe natyra jonë njerëzore nuk ndryshon parimisht.

Ka ardhur koha kur byku të ndahet përfundimisht nga gruri. Sado të zgjasë ky proces – me hapa të vegjël të ngadaltë apo me një kërcim të vetëm të gjatë: manifestimi hapësinor-kohor i Hyjnores në Tokë në kuptimin e shfaqjes së gjendjes supreme Të Qenë-Koshiencë-Forcë-Lumturi është i pandalshëm. Mirëpo kundërshtimi brenda dhe rreth nesh mund të rritet pothuajse deri në të padurueshme dhe të marrë përmasa apokaliptike përtej forcës sonë të imagjinatës. Prandaj pyetja vërtet e madhe për çdo individ dhe kolektiv është: a do të qëndrojmë në anën e së vjetrës apo të së resë? A do t’i mbyllemi apo t’i hapemi shndërrimit radikal të mendjes, jetës, trupit dhe materies?

A do të ndodhë transformimi supramental, i cili e tejkalon pafundësisht sferën mendore, me një njerëzim të bashkuar dhe të vetëkapërcyer duke u shfaqur një lloj i ri spiritualisht mbinjerëzor, apo pa njerëzimin e pabashkuar duke u manifestuar një qenie supramentale? Dhe çfarë do të bëhet me Evropën, Austrinë, Shqipërinë dhe Kosovën? Lajmëtari ose Avatari i këtij krijimi të ri ka thënë një herë: “Evropa krenohet me organizimin dhe efikasitetin e saj praktik dhe shkencor. Unë pres që organizimi i saj të jetë i përkryer. Pastaj një fëmijë do ta shkatërrojë.”

Këto të gjitha mund t’ia pëshpërisë njeriut uji gurgullues në Theth, në qoftë se i vihet në qetësi veshi i zemrës …

2 komente në “Shtegtime në malësinë shqiptare (një shkrim fantastik nga albanologu austriak, me një shqipe të shkëlqyer)”

  1. Agim Shimaj says:

    Prej 30 vitesh Kurti i ben nje publicitet te jashtezakonshem gjuhes, kultures, historise dhe natyres tone. Respekt dhe mirenjohje per kete “Shqiptar” te madh dhe te shquar.

  2. Aleksander Thana says:

    Gjermaniket kane qene dhe mbeten avangarda e Albanologjise. Prandaj dhe shkencetaret e medhenj shqiptare, me ne krye Cabejn, kane dale nga shkollat e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje