ANALIZA e Bernie Sanders: Një bosht i ri autoritar, kërkon një front ndërkombëtar progresiv

20 Shtator 2018, 11:57Bota TEMA

Nga Bernie Sanders 

Aktualisht po ndodh një përplasje globale, me pasoja të mëdha. Në lojë është asgjë më pak, se sa ardhmja ekonomike, sociale dhe ekologjike e planetit.

Në kohën e pasurisë masive dhe pabarazisë së të ardhurave, kur 1 për qind e më të pasurve të botës, zotëron më shumë pasuri sesa 99 përqind e pjesës tjetër të varfër, ne po shohim ngritjen e një aksi të ri autoritar.

Ndërsa këto regjime mund të ndryshojnë në disa aspekte, ato ndajnë disa tipare kryesore: armiqësinë ndaj normave demokratike, kundërshtim të shtypit të lirë, mungesë tolerance ndaj pakicave etnike dhe fetare, dhe besimin se qeveria duhet të përfitojë nga interesat e veta egoiste financiare.

Këta udhëheqës, janë gjithashtu të lidhur thellë me një rrjet oligarkësh multi-miliarderë, që e shohin botën si lodrën e tyre ekonomike. Ata nga ne që besojnë ende tek demokracia, që besojnë se një qeveri duhet të jetë llogaridhënëse ndaj popullit të saj, duhet ta kuptojnë qëllimin e kësaj sfide, në rast se dëshirojmë ta përballojmë atë në një mënyrë efektive.

Duhet të jetë tashmë e qartë, që Donald Trumpi dhe lëvizja e djathtë që e mbështet atë, nuk është një fenomen unik vetëm për Shtetet e Bashkuara. Në mbarë botën, në Europë, Rusi, Lindjen e Mesme, Azi dhe në vende të tjera, po shohim lëvizje të udhëhequra nga demagogë që shfrytëzojnë frikën, paragjykimet dhe ankthet e njerëzve, për t’u ngjitur në pushtet, dhe mbajtur atë me çdo formë.

Sigurisht, kjo tendencë nuk filloi me Trump, por s’ka dyshim se udhëheqësit autoritarë në mbarë botën, janë frymëzuar jo pak nga fakti se udhëheqësi i demokracisë më të vjetër dhe më të fuqishme në botë, duket se kënaqet me thyerjen e normave demokratike.

Tre vjet më parë, kush do ta kishte imagjinuar se Shtetet e Bashkuara do të qëndronin neutrale midis Kanadasë, fqinjit tonë demokratik dhe partnerit të dytë më të madh tregtar, dhe Arabisë Saudite, shtet klient monarkik, që i trajton gratë si qytetare të klasës së tretë?

Është gjithashtu e vështirë të imagjinohet, se qeveria e Netanjahut në Izrael, do të kishte miratuar “ligjin e shtetit-komb”, i cili në thelb e kodifikon statusin e dorës së dytë të shtetasve izraelitë jo-hebrenj, nëse Benjamin Netanjahu nuk do ta dinte se Trump do ta mbështeste.

Dhe e gjitha kjo nuk është tamam një sekret. Ndërsa SHBA po vazhdonte të distancohej nga aleatët tanë të vjetër demokratikë, ambasadori i SHBA-së në Gjermani, bëri të qartë kohët e fundit mbështetjen e administratës Trump për partitë e djathta ekstremiste në të gjithë Evropën.

Përveç armiqësisë së Trump ndaj institucioneve demokratike, ne kemi një president miliarder i cili në mënyrë të paprecedentë, ka ngulitur haptazi interesat e tij ekonomike dhe ato të miqve të tij, në politikat e qeverisjes.

Shtete të tjera autoritare, kanë shkuar shumë më larg përgjatë këtij procesi kleptokratik. Në Rusi, është e pamundur të thuhet se ku përfundojnë vendimet e qeverisë dhe ku nisin interesat e Vladimir Putinit, dhe rrethit të tij të oligarkëve. Ato funksionojnë si një njësi e vetme. Ngjashëm, në Arabinë Saudite, nuk ka debate për këtë ndarje, pasi burimet natyrore të shtetit, të vlerësuara me triliona dollarë, i përkasin familjes mbretërore saudite.

Në Hungari, udhëheqësi autoritar i ekstremit të djathtë Viktor Orban, është një aleat i hapur i Putinit në Rusi. Në Kinë, një rreth i brendshëm i udhëhequr nga Xi Jinping, e ka konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme pushtetin e vet, duke rrudhur lirinë e brendshme politike, ndërsa promovon në mënyrë agresive një version të kapitalizmit autoritar jashtë vendit.

Ne duhet të kuptojmë se këta autoritarë, janë pjesë e një fronti të përbashkët. Ata janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin, ndajnë taktikat, dhe ashtu si në rastin e lëvizjeve të djathta europiane dhe amerikane, edhe financuesit. Për shembull, familja Mercer, mbështetëse e kompanisë famëkeqe “Cambridge Analytica”, ka qenë përkrahësja kryesore e Trump dhe të Breitbart Neës, portalit që operon në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Izrael, për të avancuar të njëjtën axhendë anti-emigrante dhe anti-myslimane.

Për të kundërshtuar në mënyrë efektive autoritarizmin e krahur të djathtë, ne s’mund të kthehemi thjesht tek statuskuoja e dështuar e dekadave të fundit. Sot në Shtetet e Bashkuara, dhe në shumë pjesë të tjera të botës, njerëzit po punojnë për orë më të gjata, për paga që nuk po rriten më, dhe shqetësohen se fëmijët e tyre, do të kenë një standard më të ulët të jetesës sesa ata vetë.

Është detyra jonë të luftojmë për një të ardhme, në të cilën teknologjia e re dhe inovacioni, të punojnë për të përfituar të gjithë njerëzit, dhe jo vetëm disa. Është e papranueshme, që 1 përqind e popullsisë së botës, të zotërojë gjysmën e pasurisë së planetit, ndërsa 70 për qind e popullsisë në moshë pune, ka vetëm 2.7 për qind të pasurisë globale.

Qeveritë e botës, duhet të bëhen bashkë për t’i dhënë fund absurditetit të korporatave të pasura dhe shumëkombëshe, që fshehin mbi 21 trilionë dollarë në llogaritë bankare në parajsat fiskale, për të shmangur pagimin e taksave, dhe më pas u kërkojnë qeveritë e tyre përkatëse të vendosin një axhendë shtrënguese mbi familjet e punëtorëve të tyre.

Nuk është e pranueshme që industria e karburanteve fosile, të vazhdojë të arkëtojë fitime të mëdha, ndërsa emetimet e saj të karbonit shkatërrojnë planetin për fëmijët dhe nipërit tanë. Është gjithashtu e papranueshme, që një pjesë e vogël e gjigandëve të medies ndërkombëtare, në pronësi të një numri të vogël miliarderësh, kontrollojnë kryesisht rrjedhën e informacionit në planet.

Nuk mund të pranohet që politikat tregtare, nga të cilat përfitojnë korporata të mëdha shumëkombëshe, të inkurajojnë një garë që në fund dëmton njerëzit që punojnë në mbarë botën, deri kur ata të zhduken nga skena e opinionit publik. Nuk është e pranueshme që pasi kemi lënë prej kohësh pas Luftën e Ftohtë, vendet në mbarë botën të shpenzojnë mbi 1 trilionë dollarë në vit për armët e shkatërrimit në masë, ndërsa miliona fëmijë vdesin nga sëmundje lehtësisht të trajtueshme.

Për të luftuar në mënyrë efektive ngritjen e aksit autoritar ndërkombëtar, ne kemi nevojë për një lëvizje progresive ndërkombëtare, që të mobilizohet pas një vizioni të prosperitetit, sigurisë dhe dinjitetit të përbashkët për të gjithë njerëzit, dhe që adreson pabarazinë masive globale, e cila ekziston jo vetëm në pasuri por edhe në pushtet politik.

Një lëvizje e tillë, duhet të jetë e gatshme të mendojë në mënyrë krijuese dhe me guxim, për botën që ne do të dëshironim të shihnim. Ndërsa aksi autoritar është i angazhuar për të zmbrapsur një rend global të pas Luftës të Dytë Botërore, që ata e shohin si kufizim të qasjes së tyre ndaj pushtetit dhe pasurisë, nuk mjafton që ne thjesht ta mbrojmë atë rend siç ekziston tani.

Ne duhet të shohim me ndershmëri, se si ky rend nuk ka arritur të përmbushë shumicën e premtimeve të tij, dhe se si autoritarët i kanë shfrytëzuar me shkathtësi ato dështime, në mënyrë që të mbështesin axhendën e tyre. Ne duhet të shfrytëzojmë rastin, për të rikonceptuar një rend global vërtet progresiv, të bazuar tek solidariteti njerëzor, një rend që njeh që çdo person në këtë planet ka një humanizëm të përbashkët, që ne të gjithë dëshirojmë që fëmijët tanë të rriten të shëndetshëm, të kenë një arsimim të mirë dhe punë të denjë, të pijnë ujë të pastër, të thithin ajër të pastër dhe jetojnë në paqe.

Detyra jonë është të shkojmë në çdo cep të botës tek ata që i ndajnë këto vlera, dhe që po luftojnë për një botë më të mirë. Në një epokë të bumit të pasurisë dhe teknologjisë, ne kemi potencialin për të krijuar një jetë të denjë për të gjithë njerëzit. Detyra jonë, është të ndërtojmë mbi humanizmin tonë të përbashkët, dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të kundërshtuar të gjitha forcat, qoftë pushteti i papërgjegjshëm i qeverisë apo pushteti i papërgjegjshëm i korporatave, të cilët përpiqen të na përçajnë dhe vendosin kundër njëri-tjetrit. Ne e dimë se këto forca punojnë së bashku përtej kufijve kombëtare.  Edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë.

4 komente në “ANALIZA e Bernie Sanders: Një bosht i ri autoritar, kërkon një front ndërkombëtar progresiv”

  1. faro says:

    Berni Senders është reformator. Ai U duk qartë që kur konkurroi me H. Clinton për kandidat për president. Po të ishte ai President, të tjera ngjarje paqësore do kishte Bota. Reforma të thella do kishte Politika amerikane dhe botërore.
    Por fatkeqësisht nuk e lanë të bëhej President sepse ishte reformator idealist

  2. Klimax says:

    Mbas renies se bllokut komunist dhe mbarimit te Luftes se Ftohte ne fiilimin e viteve 1990, njerezimi mendonte se koha e ideologjive ekstreme u zhduk perfundimisht. Komunistet e Lindjes u kthyhen ne social-demokrate e kristian-demokrate, ndersa partite politike te Perendimit (si te majtet ashtu dhe te djathtet) kerkonin te zoteronin politiken e qendres. Tregu i lire dhe liberalizmi ishte motoja e gati te gjitheve ……., por krizat ekonomike e financiare ne vazhdim, renia ekonomike e shtreses se mesme, shtimi i numrit te shtreses se varfer, rritja e pasurise ne duart e 1% te popullsise, terrorizmi, refugjatet e pafund, korrupsioni, etj sollen ne jete kufomat ideologjike populiste te ekstremit te djathte e te majte.
    Mos jemi si ne mesin e viteve 1930? Ndoshta, ndoshta edhe me keq. Ajo qe sot shohim eshte se partite filo-naziste po shtojne perqindjet e tyre kudo, kan fituar pushtetin ne shume vende, po kercenojne e izolojne drejtesine, shtypin, lirite njerezore e demokracine.
    Ku po shkojme? Mos harrojme se Trump ka jo vetem damar gjerman, por edhe pikpamje idologjike ngjashme me te Gjermanise se viteve 1930 ………………., pa harruar Putin, Orban, salvini, Le Pen, etj, etj!

  3. Luani says:

    Fatkeqesi per ameriken dhe per boten ne pergjithesi qe nje personalitet tille,me kete botkuptim te gjere dhe absolutisht te drejte nuk mundi te zgjidhet si perfaqesues i demokrateve dhe te kandidonte per president te shteteve te bashkuara.Nje shans i humbur.

  4. Adam says:

    Çfare propozon ky dordolec Marksist revolucjon te looser qe smoking marijuana gjith diten

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje