Një negociator amerikan në horizont të negociatave serbo-kosovare

23 Shtator 2018, 09:00Politika TEMA

Nga Akri Çipa

Në parantezë duhet theksuar edhe njëherë se ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është e re. Në fakt, ajo është një ide që Presidenti Vuçiç e ka përkëdhelur prej kohësh. Edhe në Kosovë ka pasur aktorë politikë që e kanë përqafuar këtë opsion përpara se të fillonin ethet e tanishme. Gjithsesi, në anën shqiptare të kufirit këta mbështetës kanë qënë të izoluar dhe kjo ide publikisht konsiderohej tabu.

Sot gjendemi në qendër të një historie ku kufinjtë e lëvizshëm fandaksen si një realitet i prekshëm në Ballkan. Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë i cili la i pari hapur mundësinë e ndarjes duke mos e refuzuar si zgjidhje potenciale të çështjes së Kosovës, ndërkohë që duke nisur nga përpara shpalljes së pavarësisë, SHBA gjithmonë e kishte përjashtuar cënimin e integritetit territorial. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton u tregua po aq i vagullt dhe e la hapur portën e shkëmbimit të territoreve duke thënë që përgjegjësia e arritjes së një marrëveshjeje ishte vetëm mbi aktorët protagonistë. Komisioneri Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini ndoqën të njëjtën vijë duke lënë Gjermaninë, si të vetmin vend të interesuar për rajonin që e refuzon kategorikisht ndryshimin e hartës dhe pasojat që rrjedhojnë.

Në të gjithë këtë skenar ka një ngutje nga pala zyrtare serbe dhe kosovare, sipas të gjitha gjasave për të shfrytëzuar momentin e tanishëm në të cilin ka një ndryshim retorike nga përfaqësuesit diplomatikë dhe vendim-marrësit në Europë dhe përtej Atlantikut. Te europianët kjo ndodh për shkak të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019, sikurse edhe prej mbarimit të mandatit të Komisionit Europian, duke përfshirë dhe zonjën Mogherini. Është pikërisht kjo e fundit që ka ndërmjetësuar dhe drejtuar dialogun Kosovë-Serbi deri

më tani dhe padyshim që synon ta mbyllë mandatin me një marrëveshje përfundimtare në këtë drejtim.

Por, edhe përfaqësuesit amerikanë kanë treguar një lloj padurimi dhe ngutje që në pamje të parë duket si një ndryshim qasjeje. Nga pikëpamja amerikane, vlejnë të konsiderohen disa elemente të tjera politike dhe gjeopolitike që mund ta ushqejnë këtë nxitim, si për shembull mbetja në vend e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

David Friedman, ambasadori amerikan në Izrael e pohoi rishtazi në mënyrë jozyrtare se gjasat që administrata amerikane të shpalosë një plan paqeje së shpejti janë minimale. Pesha e kësaj ngrirjeje rëndon mbi Jared Kushner, këshilltarin dhe dhëndrin e Presidentit Trump, mbi shpatullat e të cilit rëndon detyra e arritjes së marrëvëshjes së shekullit. Në këto kondita, burime jozyrtare pohojnë se Kushner po përfshihet gjithmonë e më shumë në çështjen e Kosovës dhe ka nga ata që pohojnë se konflikti Kosovë-Serbi mund të bëhet zyrtarisht pjesë e portofolit të tij të gjerë. Brenda këtij kuadri, mund të lexohet edhe takimi i disa muajve më parë ndërmjet Kushner dhe Ivica Daçiç në Shtëpinë e Bardhë. Nësë zërat konfirmohen dhe zyrtarizohet roli parësor i Kushner, logjika thotë që administrata aktuale po synon dhe beson në arritjen e një suksesi të shpejtë në arenën ndërkombëtare dhe një zgjidhje përfundimtare të konfliktit për të mbyllur një nga çështjet më me interes strategjik dhe investimet më të mëdha amerikane në Europë pas rënies së komunizmit.

Dëshira amerikane dhe europiane për të arritur në një zgjidhje përfundimtare dhe për ta mbyllur kapitullin Kosovë-Serbi në mënyrë të shpejtë, nuk do të thotë domosdoshmërisht që faktori ndërkombëtar mbështet ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve, ose qoftë edhe korrektimi i kufijve, që trumbetohet publikisht nga Presidenti Thaçi janë nisma tejet komplekse dhe problematike. Edhe nëse arrihet një marrëveshje për një kufi të ri (mundësitë janë shumë të vogla), implementimi i saj do të kërkonte mjaft kohë dhe kushte specifike për t’u materializuar. Fjala vjen, do të nevojitej amendimi i kushtetutave të të dyja vendeve, potencialisht zhvendosja e një pjese të minoritetit serb nga Kosova në Serbi dhe një pjese minoriteti shqiptar nga Serbia në Kosovë. Këto elemente e bëjnë ndërrimin e territoreve një proces strukturalisht të gjatë, të komplikuar dhe që rrezikon të destabilizojë të gjitha rajonin.

Po atëherë, vërtet faktori ndërkombëtar ka dhënë bekimin për këtë nismë të vështirë dhe të rrezikshme, me pasoja në të gjithë rajonin dhe ndoshta më gjerë? Nëse jo, ku qëndron synimi i fushatës aktuale publike për propagandimin e ndryshimit të kufijve?

Djalli gjendet te detajet, ose më saktësisht te konteksti. Objektivi kryesor i kaosit që këto deklarata të vagullta kanë krijuar është, sipas të gjitha gjasave, ndryshimi i elementeve bazë të qëndrimeve aktuale. Në sistemet komplekse dhe konfliktet e tejzgjatura, status quo ndryshohet duke injektuar energji në sistem. Administrata amerikane aktuale e ka ndjekur këtë strategji gjerësisht, duke filluar nga dialogu aspak i zakonshëm me Korenë e

Veriut, te zhvendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe deri te tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Qasja aktuale ndaj konfliktit Kosovë-Serbi mund të jetë aplikimi i të njëjtit manual loje.

Të gjithë besoj pajtohen me faktin që sistemi dhe aktorët kryesorë tashmë janë energjizuar. Deklaratat e Presidentit Thaçi kanë shtyrë opozitën në Kosovë dhe kryesisht Vetvendosjen të shfaqë një angazhim të panjohur më parë për integritetin territorial të Kosovës. Njëlloj ka ndodhur edhe me një pjesë të madhe të komunitetit serb në Kosovë, duke përfshirë edhe përfaqësues të kishës serbe, të cilët janë mjaft influentë. Ndërkohë që flitet për ndryshime kufijsh, aktorët lokalë po ripozicionohen dhe po shfaqin prioritete të cilat nuk i kanë paraqitur më parë. Ndoshta ky ripozicionim i përgjithshëm ndaj Kosovës mund të sjellë edhe de facto zgjidhjen e ngërçit në zemër të Ballkanit. Dhe zgjidhja mund të jetë e njohur.

Asociacioni i Komunave Serbe mbetet një pikë kyçe e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe, sipas përfaqësuesve të saj, thembra e Akilit në normalizimin e marrëdhënieve. E dakordësuar në parim ndërmjet të dyja palëve, por e refuzuar nga konteksti kosovar për arsye politike, juridike dhe strukturore, shikohet ende nga palët e dialogut si zgjidhja më e shpejtë dhe më e pranueshme. Një marrëveshje që ndërtohet mbi të, është një zgjidhje që Presidentit Vuçiç i lejon të kënaqë Europën (dhe mundësisht të marrë një premtim jozyrtar për përshpejtimin e anëtarësimit të Serbisë në BE), të shpëtojë fytyrën përpara popullit të tij, si dhe të ruajë një influencë domethënëse mbi Kosovën. Presidenti Thaçi merr bekimin e amerikanëve dhe europianëve (të cilët mund t’i garantojnë edhe liberalizimin e aq shumëpritur të vizave), krenarinë e të hyrit në histori si komandanti ushtarak që çoi paqen, si dhe siguron vazhdimësinë e tij politike. Asgje e re nën diell, paçka se tashmë aktorët lokalë politikë do e shikonin me një sy tjetër një njohje të Kosovës nga Serbia që bazohej tek krijimi i Asociacionit me fuqi të pjesshme legjislative dhe që mund të ketë disa shtojca të tjera, si për shembull limitimi i ushtrisë së Kosovës.

Treguesit aktualë tregojnë që një zgjidhje e tillë do ishte e pranueshme. Por, përtej pranueshmërisë, problemet strukturore do mbeteshin. Kosova mund të marrë njohjen në këtë mënyrë, por humbet shumë nga funksionaliteti i saj shteteror. Një njohje e ngadaltë, një integrim në organizatat ndërkombëtare që potencialisht mund të bllokohet ende nga Rusia, Kina dhe pesë vendet e BE-së, sikurse dhe rreziku i një Serbie në BE që mund ta bllokojë përjetësisht rrugën e saj europiane janë elemente të këtij skenari. Por, teksa fantazma e kufinjve të lëvizshëm qëndron në ajri, shumë pak veta do e vënë kujën për këtë zgjidhje nëse e shikojnë si të keqen më të vogël. Dhe tabloja e tanishme, ashtu e paraqet.

9 komente në “Një negociator amerikan në horizont të negociatave serbo-kosovare”

  1. Free says:

    Koqevart ne diplomaci do e hajn suxhukun dhe do ngordhin per buke po leshuan veriun. Thaci e shoke su plas shum per popullin se jane te paret qe provuan lluksin e sdo e leshojne kurre ndersa tjeret do vuajne pasojat.

  2. Dardan says:

    Shkrim i gjate per nje marreveshje te shkurter: Kosova midis Serbise dhe Shqiperise. Me ke do te bashkejetoje Kosova, me trungun ame -Shqiperine apo me pushtuesen e saj Serbine?

  3. Baliu says:

    Ndryshim i pandryshueshem i kufijve tu Kosovs*, Lugina i bashkangjitet Kosoves e Kosova Serbise. Mandej pason njohja reciproke (master-slave) dhe paqja e perhershme (RiP).

  4. Tironsi vjeter says:

    Boj pall me paret e shqipove te vorfer ne shba djali alesander çipes. Pagujm ne per ty dhe shum tjere qe si merni bursat e ekselences nga shteti studioni me paret qpagujm ne dhe nuk vjeni ktu por aratisni anej ka studioni. Kjo o kulmi na pagujm per ju qe tkthehni me na sherby pas studimeve ju qenroni anej me bo pall. Ju lumte kur ska qeveri ktu. Ky Rama o kokra e palles nuk ka men me u mor me ju.

  5. xx says:

    Me francezin Kuchner???? Po nuk qe ai qe krijoi kushtet per vecimin e veriut??.Perseri ky doli nga baulja.

    1. @@ says:

      Nuk eshte francezi Kuchner….por eshte dhendri i Tramp nje cifut i quajtur po ashtu Kuchner

  6. uskania says:

    Çfar të keqe ka që secili të shkojë në shtëpi të vetë?

  7. Artan says:

    Mzuri dhimja kokes. Shkrim shume i gjate qe perserit gjerat dhe thote te njejten gje te pakuptueshme. Nuk e mora vesh kush eshte negociatori amerikan?

  8. Dritan Kola says:

    PO I DREJTOHEM “TIRANSIT TE VJETER”.
    PA RESPEKT FARE MUND TE TE THEM SE JE NJE PALLE’ DHE NUK JE VETEM.

    E NJOH KETE DJALOSH NE NJU JORK DHE E KAM NDJEKUR DHE NE UNIVERSITETIN KU STUDION.
    SIPAS TE GJITHA INFORMACIONEVE KETU, AKRI CIPA ESHTE NJERI PREJ STUDENTEVE TE HUAJ ME TE MIRE, SHUME I PREGADITUR, NJERI SHUME I QETE DHE SHUME I EDUKUAR. NJE ANALIST I SHKELQYER NE CESHTJET NDERKOMBETARE, MEGJITHESE I RI NE MOSHE.
    EMRI I MIRE I BABES NJERI PREJ GAZETAREVE ME ME KEMBE NE TOKE, APO I GJYSHIT, KOLOSIT TE BREGUT VETEM E NDEROJNE ATE SI BIR, POR DHE ATA QE I NJOHIN DHE I KANE MIQ.
    KETU DO JEMI DHE DO TA SHOHIM KETE DJALOSH NGJITET LART NE EVROPE & AMERIKE. DO KRENOHEMI TE GJITHE ME TE.
    …SA PER DIJENI NE BOTE NUK TE FALIN GJE DHE AS TE MBAJNE ME HATER, O KOKESHKRETE QE MBAN DHE PSEOUDONIMIN “TIRONS I VJETER” DUKE FYER TIRANSIT E VERTETE.

    RESPEKT PER LEXUESIT DHE GAZETEN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje