Si do të jetë trupi i njeriut pas 100 vjetësh? Ja çfarë thonë studiuesit

Të parashikosh të ardhmen nuk është aspak e lehtë në epokën që po jetojmë. Për shkak të zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë, politikës, ekonomisë apo ndryshimeve ekologjike, parashikimet tona mund të mos arrijnë ate ku ne do të jemi vërtet pas 100 vitesh.

Me gjithë zhvillimet e menjëhershme që po ndodhin në të gjitha fushat, duket se kaosin më të madh në sistem do ta shkaktojë teknologjia e fokusuar te trupi njerëzor. Kompani të reja të bioteknologjisë në Kaliforni po flasin për vdekjen “opsionale”. “Facebook” po punon me telepatinë. Gjymtyrët bionike shumë shpejt mund të nisin të funksionojnë në trupat tanë si të kishim lindur me to. Edhe korrigjimi i gjeneve do të na ndihmojë të ndryshojmë. Ne do të dukemi, të mendojmë dhe të ndiejmë në një mënyra që ndryshojnë në radikalisht nga ajo që jemi sot.

Por a jemi ne gati për t’i parë trupat tanë si pjesë hardware-i? Mund të duket e çuditshme, por ky proces ka filluar. Mjafton të mendosh një gjë të padëmshme si puna e tatuazheve, të cilat kanë lulëzuar si trend njëkohësisht me të njëjtin hap me epokën e informacionit. Në një aspekt, ato janë një trend që rikthehet. Por nën një tjetër dritë, ato tregojnë dëshirën tonë për të ndryshuar aspektin tonë fizik. Mund t’i mendoni si shenjat që bën kirurgu para se të nisë përmirësimet reale në trupat tanë.

Në lidhje me këtë, gjashtë shkencëtarë ndajnë vizionin e tyre për trupin njerëzor të shekullit të ardhshëm.

Samantha Payne, bashkëthemeluese dhe shefe e kirurgjisë në Open Bionics në Bristol, thotë se gjymtyrët bionike janë e kundërta e përvojës pas amputimit, kur proteza është aty por nuk kryen asnjë funksion. Një kompani gjermane po prodhon proteza gjymtyrësh për përdorim mjekësor dhe skelete mekanike për punëtorët, në mënyrë që të rritet performanca e tyre në fabrika. “Roam Robotics” ka prodhuar të tillë për skiatorët. “Gjithçka na duhet janë motorë më të vegjël dhe bateri më të mira. Sapo t’i zhvillojmë këto të dyja, produktet do të hidhen në treg”, thonë ata.

Në këtë aspekt, edhe ndryshimi kulturor është i madh. Tani ata që i kanë kaluar të 40-at duan p.sh. një dorë bionike, lëkura e të cilës t’i ngjajë sa më shumë asaj të vërtetës. Ndërsa brezi i ri kërkojnë duar të personalizuara. Ne kemi lëvizur nga një shoqëri që vlerëson rehatinë, në një tjetër që ngre lart individualitetin. Njerëzit tani janë më të hapur për të eksperimentuar me trupat e tyre.

Zoltan Istvan, themelues i Partisë Transhumaniste (lëvizje politike e njohur ligjërisht në SHBA, që e vë theksin te ndikimi që do të ketë teknologjia mbi jetën e njeriut), thotë se deri në vitin 2030, njerëzit do të shkojnë në dyqane ku mund të përmirësojnë rregullisht trupin. “Kam një çip të implantuar në dorë, që në vitin 2016, kur garoja për president si i nominuar nga partia ime. Në atë kohë, të tillë çip pak e kishin. Sot ka me dhjetëra mijëra të tillë. Disa kompani i nxisin punonjësit të vendosin çipa, në mënyrë që të ndjekin më lehtë rrjedhën e punës. Gjymtyrët robotike mund të përmirësohen rregullisht sapo teknologji të reja të zhvillohen.

Por ajo që do të ndryshojë tërësisht lojën do të jenë organet bionike. Që tani shumë kompani po provojnë të zëvendësojnë me versionin bionik organe si pankreasi, sytë apo zemra. Në 20 vitet e ardhshme, këto organe bionike do të sinkronizohen sipas instruksioneve personale nga smartfoni i mbajtësit, duke u lejuar njerëzve të arrijnë objektiva që nuk i mendonin kurrë, si të ngjisin Everestin në moshën 80-vjeçare apo të bëjnë seks gjithë natën. Organet bionike mund të performojnë më mirë se ato biologjike. Deri në 2030, parashikoj që njerëzit të shkojnë rregullisht në dyqane të posaçme për t’i përditësuar ato”, thotë Istavan.

Aubrey de Grey, shef i departamentit të shkencës në Sens Research Foundation, i cili merret me sëmundjet që lidhen me moshën, ka gjithashtu parashikime optimiste. Ai thotë se në 100 vitet e ardhshme mund të ketë ende aspekte të plakjes që ne nuk mund t’i kontrollojmë si p.sh. dëmtime në nivelin molekular apo qelizor, por njerëzit do të mund të qëndrojnë lehtësisht brenda zonës së komfortit, pra këto dëmtime nuk do të mund të provokojnë rreziqe të mëdha.

Parashikimet janë pozitive edhe në aspektin e impaktit që do të ketë rritja e jetëgjatësisë. “Nuk do ta thellojë ndarjen ekonomike. Benefitet do të jenë të jashtëzakonshme, kjo do të nxjerrë kostot e veta në kohë reale. Çdo vend që merr një vendim politik për të mos paguar  për këta persona, do të falimentojë; ndërsa vende të tjera do të vijojnë t’i mbajnë të moshuarit si kontribuues në shoqëri”, thotë De Grey.

Moon Ribas, bashkëthemelues i Transpecies Society në Barcelonë, thotë se teknologjia do të bëhet pjesë e evolucionit njerëzor. “Ne po shkojmë drejt një epoke ku mund ta përdorim teknologjinë për të perceptuar gjëra që ndryshe nuk do të mundeshim. Një mik i imi ka vendosur në veshë sensorë që dallojnë presionin atmosferik dhe i leojnë atij të parashikojë motin. Ne do të dizajnojmë një mjet që ju lejon të shihni çfarë ndodh pas jush, diçka që makinat e kanë tashmë. Shumë shpejt, në vend që të shkarkoni aplikacione të reja në smartfonët tuaj, do të shtoni shqisa të reja të vetja”, thotë ai.

Braden Allenby, inxhinier mjedisi në Universitetin shtetëror të Arizonës, thotë se po hyjmë në epokën Antropocene, një epokë në të cilën janë njerëzit më të prekur nga ndryshimet sesa vetë planeti. “Ne nuk po ndryshojmë thjesht planetin, po ridizajnojmë vetveten. Inteligjenca artificiale dhe korrigjimi i gjeneve e kanë kthyer njeriun në hapësirën e re të dizajnimit”, thotë ai.

“Nëse vëren se çfarë ka ndodhur me procesin e njohjes (konjitiv) në dy dekadat e fundit, do të kuptosh sa kemi ndryshuar. Shumicën e aftësive njohëse ia kemi lënë “Google”-it. Njerëzit nuk dinë më të lexojnë harta, sepse “Google” u tregon se në cilin drejtim duhet të shkojnë. Ky është vetëm fillimi”, thotë ai.

Bryan Johnson, themelues i Kernel, një kompani e re e specializuar në ndërveprimin mes trurit dhe kompjuterit, thotë se shkalla e ndryshimeve që po ndodhin është aq e madhe, saqë nuk na lejon të parashikojmë përtej 10 apo 20 viteve të ardhshme. “Ne po ndërtojmë platforma të ndërveprimit mes trurit dhe makinerive, që do ta vendosin trurin online. Hapat e tu do të jenë online, vlerat ushqyese të asaj që ti ha do të jenë online. Ajo që dua të bëj është të vendos online sa më shumë pjesë të trurit dhe ta bëj këtë opsion një ndërmjetës të ekzistencës tonë, siç janë aktualisht smartfonët”, thotë ai.

“Ne mund ta matim atë që bëjnë kompjuterat me megabajt dhe gigabajt. Unë po përpiqem të imagjinoj një skenar ku ne mund të përcaktojmë sasinë e aktivitetit të trurit tonë në atebajt. Në fund të ditës, mund të shkarkoni grafikë të proceseve neurologjike që ka kryer truri juaj. Ju mund të gjeni aty çdo gjë që kërkoni. Por çfarë ndodh nëse truri del online? Hapen mundësi të jashtëzakonshme për biznes. Imagjinoni mallrat dhe shërbimet që mund të ofrohen duke ditur se çfarë po ndodh në trurin e dikujt”, thotë ai.   

The Guardian-TemA TV

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Si do të jetë trupi i njeriut pas 100 vjetësh? Ja çfarë thonë studiuesit”

  1. tanku says:

    .. keto mashtrime nuk pine uje ..! duhet vene dore mbi kapitalizmin c`njerezor qe po na shkaterron jeten ..!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *