Lika-Hoxha, ka një derbi edhe mes “engjëjve mbrojtës”

25 Shtator 2018, 16:53Sport TEMA

Për të fituar një derbi të duhet e gjithë ndihma e mundshme. Talenti, forca fizike, freskia, grinta dhe natyrisht përvoja. Superduele të tilla nuk zgjidhen gjithnjë nga “goleadorët”, madje në jo pak raste janë portierët ata që vendosin duart për të përcaktuar fatet e takimit.

Tirana dhe Partizani kanë si “rojtarë të fundit” dy ndër më të mirët që e kanë interpretuar këtë rol dekadën e fundit. Ilion Lika dhe Alban Hoxha.

Dy persona që edhe karrierën e kanë pasur të lidhur me njëri-tjetrin, pasi “gardiani” i “demave” udhëzimet e para në karrierë i ka marrë pikërisht nga Lika, kur ky i fundit ishte kapiten i Dinamos, ndërsa Hoxha një i ri që premtonte shumë.

Ilioni nuk është më në pranverën e karrierës së tij, por vitet duket se nuk i peshojnë aspak dhe lidershipi i tij tek bardheblutë është një nga armët më të forta në duart e Ze Marias.

Është nga të paktët te Tirana, së bashku me Karabecin, që ka provuar të luajë në sfida të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe ndeshjet me skuadrën përfaqësuese.

Motivimi në planin personal është në qiell, Lika nuk mund ta mbyllë karrierën me vetëm një derbi të fituar në kampionat.

Situata është krejt tjetër për kapitenin e 15 herë kampionëve. Alban Hoxha ka provuar shijen e ëmbël të fitores në derbin e madh të kryeqytetit 7 herë, megjithatë, asnjëherë nuk është mjaftueshëm, shkruan “SS”.

Në grupin aktual të lojtarëve vetëm Trashi, Atanda, Bardhi e Kalari e dinë se çfarë do të thotë një takim që vlen më shumë se një kampionat dhe rëndësia e Hoxhës është jetike, si në aspektin teknik, gjithashtu edhe në atë jashtë fushës.

Nuk është vetëm një superduel mes Tiranës dhe Partizanit, por edhe një përballje mes dy liderëve, që në këtë rast janë “engjëjt mbrojtës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje