REPORTAZHI: Kantoni i Tiçinos, aty ku ëndrrat shihen me sy hapur

8 Tetor 2018, 17:11Turizëm TEMA
REPORTAZHI: Kantoni i Tiçinos, aty ku ëndrrat shihen me sy hapur

Tani nuk do të duhej të ëndërroni më tutje, por t’i mbani sytë hapur. Kur treni del nga tuneli, së pari shihet jugu i veshur në mënyrë mjaft veriore.

Ende jemi tërësisht në trevën alpine, drunjtë nuk kanë ende asgjë mediterane, lugina e Leventinës shquhet me thartësi alpine, duhet të mbashë hundën në ajër për të ndier se këtu fryn një erë tjetër nga ajo matanë Gotthardit.

Gjithçka është mjaft e ngushtë, duhet të ngjitesh shumë lart te shtigjet e epërme për të ndier gjerësinë dhe largësinë. Megjithatë, kush jeton këtu e di se është mediteran. Këtë ia thotë gjuha secilit që ka veshë, dhe kush shikon mirë këtë e vëren te mënyra si janë të ndërtuara shtëpitë dhe kambanoret e kishave.

Në ngushtësinë e grykës, kuptohet, është vështirë të kesh një pamje të qartë. Sot Airolo është një vendgrumbullim i rrugëve dhe hekurudhave. Këtupari disi gjithçka kalon duke fëshfëritur.

Por, fryma të cilën dinë ta interpretojnë njerëzit, nuk i njeh vetëm përrenjtë e rrëmbyeshëm dhe grykat shkumëzuese, por rrëfen për brigjet gurgulluese të lumenjve, për gjinjtë e qetë, për një jetë krejt tjetër nga ajo që e kemi të mundshme ne malësorët.

Banorët e kantonit Uri një kohë të gjatë i kanë mbajtur nën kontroll të rreptë njerëzit e Leventinës. Ata shtrinë sundimin e tyre deri atje poshtë në Bellinzona dhe banorët nuk i trajtuan si të barabartë, por si të nënshtruar. Princat e Milanos dhe zviceranët e lashtë shtyheshin mes vete, sepse bëhej fjalë për të drejtën e qasjes në territore dhe për taksa doganore për transportimin e mallrave nëpër alpe.

Prej shekullit ’15 deri në fund të shekullit të ’18 banorët e Urit i kanë keqtrajtuar fqinjtë e tyre latinë – duhej të vinte Napoleoni për t’u kujdesur për drejtësi në vendin e zviceranëve. Ashtu si banorët e Graubündenit që u detyruan të heqin dorë nga Veltlini i tyre, edhe banorët e Urit e dorëzuan Leventinën falë reformave të Napoleonit, duke kuptuar se nëpër lugina nuk fryn vetëm shiroka, por edhe fryma e lirisë.

Në përditshmërinë politike tiçinezët nganjëherë kur flasin tingëllojnë thua se zviceranët gjermanishtfolës ende i mbajnë nën kontroll të rreptë. Por, këto janë vetëm pëshpërima të lehta jugore në zhurmën e madhe të politikës!

Sepse, në thelb, tiçinezët sot, me një drejtësi pothuaj të detyrueshme, e kanë atë që trafiku modern ua ka sjellë edhe banorëve të Urit: shanse dhe ngarkesa, të ndërlidhura mes vete pashkëputshëm. Si konstruksione teknike vija hekurudhore dhe autostrada në Tiçino janë po aq spektakulare sa në anën e kantonit Uri.

Në Leventina hekurudha dhe rruga disa herë kalojnë mbi njëra-tjetrën përmes konstruksioneve të guximshme. Turisti përjeton ura nga lart dhe ura nga poshtë, shtylla dhe konstruksione mbajtëse, galeri dhe tunele të llojit më të habitshëm.

Edhe këtu te Giornico ka tunele me kthesa, të cilët janë kënaqësi për sytë, sepse mundësojnë pamjen e trevës nga lartësitë dhe thellësitë përkatësisht të ndryshme. Kush udhëton në drejtim të jugut, shpejt vëren se vegjetacioni dalëngadalë ndryshon. S’ka më pyje halorë dhe pisha. Tani para syve na shfaqen gështenja dhe vreshta.

Fshatrat nëpër të cilat kalojnë furishëm trenat e shpejtë rrinë galiç në ultësira dhe sheshe dielli. Vetë çatitë e shtëpive tregojnë: këtu ekzistojnë tabiate të tjera! Kur afër Biascas terreni hapet për herë të parë dhe pastaj para Bellinzonas hapet bujarisht për herë të dytë, udhëtari e ka të qartë: këtu fillon jugu! «Ajër i vakët vjen duke rrjedhur kaltër» – kjo ndihet madje edhe në tren. Jo vetëm terreni, por edhe zemra përnjëherë zgjerohet dhe hapet.

Historia sociale e kantonit të Tiçinos është mjaft tërheqëse. Krahas pasurisë së patricëve me pronat dhe pallatet e tyre këtu kishte edhe varfëri të hidhur dhe të turpshme të pjesëve të mëdha të popullsisë. Shumë kanë mërguar, mes tyre të guximshmit dhe të zgjuarit: zejtarë, artistë, sipërmarrës. Kush kalon me tren nëpër një fshat tiçinez, sheh njëkohësisht gjurmë të varfërisë dhe të pasurisë.

Në jug ata, për çudi, jetojnë pranë njëri-tjetrit me më pak ngatërresa se në anën tjetër të alpeve. Në qytete dhe në shpatet buzë liqenit bëhet e dukshme historia e suksesit e Tiçinos: si vend i bankave, sigurimeve dhe shërbimeve. E shumëlavdëruara «odë nën diell» e Zvicrës ka përjetuar ndryshime të jashtëzakonshme sa i përket përbërjes së popullsisë, kërkesave dhe pritjeve të banorëve të këtushëm.

Njerëzit janë orientuar nga qytetet, ku kanë gjetur punë, fshatrat e luginave periferike janë braktisur apo shndërruar në koloni pushimesh.

Periudha e pasluftës e ka bërë Tiçinon një vend modern dhe të pasur, i cili me vetëbesim i përgjigjet sfidave të së tashmes.

Turizmi lulëzon, sensi për biznes po ashtu, banorët e kanë kuptuar se nuk duhet të lejojnë që vendi i tyre të shndërrohet vetëm në vend transitor.

Lugano sot është një qytet i vogël sa atraktiv, aq edhe elegant e modern me të gjitha përparësitë dhe bekimet e një ekonomie prosperuese. Shkenca dhe arti kanë gjetur këtu vendin e tyre po aq sa bankat dhe hotelet. Këtu pothuaj mund të nuhatësh mirëqenien, por edhe kënaqësinë e shijimit të jetës dhe mënyrën e parë të të jetuarit mediteran.

Përktheu: E. Robelli 

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. 

Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).

1 komente në “REPORTAZHI: Kantoni i Tiçinos, aty ku ëndrrat shihen me sy hapur”

  1. Arifi says:

    Perkthyes leshi! Jepeni me mir ne origjinalin italish ta lexojme! Se na e shpifet me kta perkthyesa!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje