Jari jep konkluzionet për revolucionn e Nëntorit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Jari ka disa ditë që do të bëjë një shkrim tjetër, por hoqi dorë, se ende nuk i kanë mbaruar telefonatat që i kërkojnë sqarime se çfarë kishte dashur të thotë në shkrimin e fundit.

Ndaj vendosi t’u drejtohej njerëzve prapë me fjalë që i dalin nga shpirti:

“Të nderuar miq, Jari ju sqaron.

Pas transmetimit të filmave të fundit të xhiruara me mjeshtëri nga ekipi i Lulit, kam arritur në disa konkluzione:

1-Revolucioni vonon, por nuk harron.

Vërtet nuk u bë në shtator siç kishte premtuar Luli, por po shpërthen këto ditë  me një forcë të dyfishtë për t’u përmbyllur me sukses në muajin e ardhshëm.

Qeveria është në grahmat e fundit dhe ka shumë mundësi që ta thyejmë mitin që komunistët janë të fortë në muajin e nëntorit, dhe kjo i duhet njohur si meritë e krushqisë së Lulit.

2-Demaskimi i armikut po shkon në përpjestim të drejtë me lartësimin e udhëheqjes së re të partisë.

Sa më shumë i kriminalizuar del Taulant Balla, aq më heroik na shfaqet Salianusi, i cili po shërben dita-ditës si frymëzim për të gjithë demokratët e rinj.

Jam gati t’i kërkoj ndjesë atij, se e mora inat mot atëherë kur bënë atë sherrin e vogël me Doktorin bashkë me Grigjën në mbledhje grupi.

Por sot atë nuk mund ta ndash dot nga Doktori për kontributet që japin, si nga sasia, ashtu dhe nga cilësia e gjërave që bëjnë dhe thonë.

Prandaj nuk ka qenë fyerje kur quajtën Doktorin “koleg”, sepse rezulton që të dy palët e paskan merituar njëri-tjetrin.

3-Kaseta e fundit që u shfaq tek Fevziu i dha një hov të fortë shpresës së demokratëve për fitore të shpejtë në festat e nëntorit.

Atë duket që e ka xhiruar një njeri shumë i afërt me Lulin dhe me familjen e tij, një nga ata që ka ngrënë plumba, dru dhe burg, vetëm që ta ruajë atë nga lekët dhe korrupsioni.

Ajo arriti mes të tjerash që të bëjë të harrohen dy nga hallet më të mëdha të kryetarit të partisë që i ka sajuar atij qeveria e krimit: Lista e oligarkëve tek kompanitë e kunatit dhe pronat e shumta në Tiranë dhe gjetkë, të zotërisë së nderuar Xhuvi.

Me respekt, i juaji Jari!”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *