Video-përgjimi “Babale 2” si kamerdare shpëtimi e komplotistëve të audio-përgjimit “Babale 1”

10 Tetor 2018, 09:08Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Deputeti demokrat Ervin Salianji mori përsipër të publikojë nëpërmjet emisionit “Opinion”, një të ashtuquajtur video-përgjim me personazh kryesor Alfred Alizotin. Ky personazh ka dalë ditët e fundit në disa përgjime telefonike me ish dëshmitarin “X”, Albert Veliun i quajtur Babale, si dhe disa persona të tjerë, ku, sipas përgjimeve të prokurorisë, Alizoti është i pakënaqur që nuk u pagua për audio-përgjimin e famshëm “Xhafaj-Veliu”.

Ish- kryeministri Berisha, si dhe një sërë portalesh që mbështesin PD-në, nxituan ta paraqesin USB-në e zezë të Salianjit si një triumf të së vërtetës së tyre, duke i dhënë rëndësi absolute atyre çfarë deklaronte me zë e figurë Alfred Alizoti.

Duke qenë i dyshuar si pjesë e një skenari montazhi me personazhe të rremë, deputeti Salianji po përdor njëmijë e një mënyra si e si të dalë nga kjo mesele. I ndodhur nën frikën se faktet dhe provat e deritanishme e gozhdojë keqas, ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë të detyruar të përdorin turli mënyrash që të dalin pa lagur nga ky qerthull ku e kanë futur veten.

Deputeti Salianji deklaroi në “Opinion” se video (bashkë me titrat) është bërë nga persona të panjohur të cilit ai nuk e di se si e sollën materialin në USB tek selia e PD-së. Logjikisht i bie që autorët ta kenë hedhur USB-në e zezë tek oborri i SHQUP-it dhe aty ta ketë gjetur rastësisht deputeti Salianji.

Pas këtij momenti të çuditshëm, ku deputeti Salianji nuk dinte se si ta shpjegonte rënien e USB-së në dorë të tij (mos vallë i ka rënë gjë nga qielli?), teleshikuesi filloi të njihej me brumin e gatitur nga ustallarët e Babale 1.

Video përgjimi i pretenduar se është bërë pa dijeninë e Alizotit, por nën “dyshimet” e forta të tij se po përgjohej, nis disi çuditshëm ku personazhet, Fredi dhe “Tjetri”, kanë hyrë drejt e në temë. Mbase autorët i kanë prerë pjesët hyrëse përshëndetëse si të panevojshme.

Gjithsesi, Alizoti pretendon qysh në fillim se atë e ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i gjithë Shqipërisë. Kuptohet që bëhet fjalë për Ardi Veliun, të cilit Alizoti nuk ia di emrin, por çuditërisht i di vendlindjen Delvinë.

Sipas Alizotit, rezulton se drejtori Veliu ka shkuar në prokurori, ka marrë numrin e telefonit të Alizotit, e ka marrë në telefon këtë të fundit, i ka shkuar pastaj në shtëpi për ta çuar më pas në prokurori.

Më pas, rrëfimi i Alizotit vijon me atë ça gjeti në një lokal tek prokuroria. Aty ai takon Taulant Ballën, të cilin e identifikon si “robq*r”. “Tjetri” i cili është në rolin e bashkëbiseduesit, ka informacion për gjithçka bisedohet. Prokuroria për Krimet e Rënda ka dy hyrje, atë kryesore nga ana perëndimore, dhe atë dytësore nga ana lindore. Alizoti nuk e specifikoi se nga cila anë bëhej fjalë për lokalin, por “Tjetri” e dinte që bëhej fjalë për anën lindore meqë aty pranë e ka shtëpinë edhe Taulanti, gjë të cilën ai ia vë në dukje Alizotit.

Alizoti rrëfen se deputeti Balla ka dashur t’i blejë mendjen. O Zot, çfarë mendje të bukur ka Alizoti, bile më të bukur se ajo e matematicienit John Nash. Ndërkohë që prisnim të mësonim se çfarë mendje po i blinte Balla, bashkëbiseduesi “Tjetri”, ndërron temë dhe rikthehet tek meraku se përse shoqërimin e Alizotit e bëri Ardi Veliu. Ndërkaq Alizoti i bën be e rrufe që ato që po thotë janë më se të vërteta. “Tjetri” e plotëson Alizotin duke e orientuar se, me të vërteta, Alizoti e ka fjalën se ka ardhur Taulanti dhe ka bërë muhabet me Alizotin. Ky këmbëngul se Balla i ka dhënë edhe kafe.

Nga muhabeti për Taulantin, “Tjetri” kthehet prapë tek Ardi Veliu dhe Alizoti vijon të betohet me vdekjen e dy pleqve, se në makinë ka qenë Ardi Veliu. “Tjetri” vijon të çuditet për të disatën herë se si është e mundur që ka ardhur vetë Ardi Veliu dhe e ka marrë Alizotin. Kurse Alizoti vijon të betohet me vdekjen e çfarë ka në shtëpi se ai ishte drejtori Veliu.

Personazhi “Tjetri” vijon të jetë i traumatizuar për tmerrin që ka përjetuar Alizoti meqë ka hipur në makinë e Ardi Veliut, bile këtë e quan formë presioni.

Ndërkaq vetë Alizoti nuk duket as i trembur, as nën presion, pasi pranon se ka bërë 14 vjet burg, rrjedhimisht e ka bërë shkollën e jetës. Meqenëse Alizoti nuk shfaq asnjë shenjë paniku, “Tjetri” ngul këmbë si mushka që Alizoti ta thotë një fjalë që ka qenë i tmerruar nga ai udhëtim. Si për inat të tij, Alizoti thotë se ishte i fare qetë duke mos e kuptuar se ku po i rreh ora “Tjetri-t”.

“Tjetri” e cyt Alizotin të tregojë se çfarë ka biseduar gjatë rrugës me Ardi Veliun dhe Alizoti thotë se ai e ka pyetur se me cilën parti je, pra PS apo PD, por Alizoti rezulton se nuk ka votuar për asnjërën sepse, sipas tij, ka qenë gjithë jetën në Spanjë.

Më pas “Tjetri” e ktheu sërish bisedën tek Taulanti duke e pyetur Alizotin se me cilët ishte ai. Alizoti pretendon se me Taulantin ishin dy çuna. “Tjetri”, jo rastësisht interesohet se çfarë kishte veshur Taulanti duke e ndikuar Alizotin të thotë që ishte me kostum. Kjo të lë të dyshosh se biseda është bërë pas datës 7 tetor, datë në të cilën Berisha publikoi një foto të Taulantit me një të pretenduar si kriminel, ku kostumi ishte pjesa më e komentuar midis fotos së Berishës dhe asaj që nxori Balla.

“Tjetri” e rikthen edhe njëherë bisedën tek pozicioni ku ndodhej lokali duke e orientuar Alizotin të thoshte prapa prokurorisë, pra nga pjesa lindore, sepse “Tjetri” kësisoj kishte mundësinë që të shtonte se bëhej fjalë për pallatin e Sadriut (deputetit Sadri Abazi). Alizoti thotë që nuk di gjë, por këmbëngul se po thotë të vërtetën.

Më tej, “Tjetri”, e ngatërron Alizotin dhe në vend të shkurtimit të emrit Fredi, e thërret Berti. Siç duket në mendje ka pasur Albert Veliun alias Babalen.

Papritur “Tjetri”, duke parë se Alizoti po “dyshonte” se ishte nën përgjim, shton se i ka hequr të gjitha: telefonat, çantat, çipat. Alizoti ngrihet paksa më këmbë dhe i hedh një sy rreth e qark “Tjetri-t” si për të vërtetuar se ai s’kishte asnjë gjë me të cilën ta përgjonte. “Tjetri”, aty për aty, merr rolin e psikologut duke i thënë Alizotit se nëse ai do e kishte regjistrua vetveten do ta shihte ne ekran sa i sikletum që ishte. Siç duket, Alizoti sikletin nuk e kishte në shpirt, meqë vetë nuk po ndjente gjë, por në fytyrë, meqë këtë po ia shihte “Tjetri”.

“Tjetri” e vijon më tej rolin e psikologut duke hamendësuar se sikletin Alizoti e kishte se mos i ka bërë presion Ardi Veliu, duke i ofruar ndonjë gjë, dhe, meqë për “Tjetri-n” Alizoti nuk mund të dalë nga vetja, kupto: nga të qenit i ndershëm, i kishte hipur siklet i madh nga ideja e shtrembërimit të gjërave. Megjithatë Alizoti pranon se nuk bën nga këto gjëra.

Më tej, në vend të flasë Alizoti, flet “Tjetri” i cili vijon të bëjë komente të gjata duke i rënë fyellit tek po e njëjta vrimë, tek shqetësimi se Alizoti ka qenë nën presion, se mos i kanë ofruar lekë, se këta kanë shtetin në dorë, se të bëjnë çdo gjë dhe përfundon sërish me Drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu, duke i thënë Alizotit se kjo është një procedurë jo normale. Vijon më tej betimi e stërbetimi i Alizotit se ishte Ardi Veliu që e mori në makinë, bile ishte me shoferin.

Më në fund “Tjetri” i bën Alizotit një pyetje me vend duke kërkuar të dijë se në cilën datë ka ndodhur udhëtimi i tij me Ardi Veliun. Pas një pasigurie të Alizotit për datat 1 ose 2, më në fund vendos që ka qenë data 1 tetor, ora 20:10 a 20:15. Përcaktimi datës dhe orës kanë rëndësi të dorës së parë, sepse janë një indicie për të kuptuar se ku kanë qenë atë datë dhe orë, Ardi Veliu, shoferi i tij apo qoftë edhe Taulant Balla. Bile, ky i fundit, me gjithë këto vendndodhje që po i dalin kohët e fundit, duke i veshur lloj lloj takimesh me kriminelë, bën mirë që të mbajë një ditar për çdo ditë se ku ka qenë e me cilin është takuar, përndryshe s’ka për të gjetur derman duke vrarë trurin se ku ka qenë e me cilin është takuar për çdo ditë të vitit 2018 e më tej.

Më pas “Tjetri”, duke mos qenë vetë në vendngjarje, i thotë Alizotit se atë aty jashtë po e priste Taulanti, dhe kjo pritje ka qenë bërë kastile sipas “Tjetri-t”. Alizoti pretendon se Taulanti e ka provokuar duke i kërkuar të tregojë nëse Alizoti ka dorë apo di gjë, por nuk del qartë se përse bëhet fjalë. Ndërkohë, në momentin që Alizoti i ka thënë Taulantit se di gjëra për ty, ai, të cilin Alizoti sërish e identifikon si “robq*r”, ka nisur të qeshë. Pra, Taulanti e hëngri presionin e Alizotit i cili i “di” shumë pisllëqe Taulantit.

Alizoti pretendon se Taulanti e ka pyetur për dikë, emrin e të cilit Alizoti nuk e thotë, por e identifikon si “Filani”.  Ky “Filani”, paska qenë njohje e Babales prej të cilit e njeh edhe Alizoti. Njohjen me “Filanin”, Alizoti e paska këtu e 20 vjet më parë. Taulanti interesohet se përse Alizoti i rri nga mbrapa “Filanit”, dhe Alizoti justifikohet se ka frikë mos ia vrasin.

“Tjetri” ndërhyn duke e pyetur se mos vallë Taulanti i bëri presion, por Alizoti thotë se nuk e ha presionin se ka bërë burg qysh në komunizëm. “Tjetri”, ka një kuriozitet të paparë për të ditur se çfarë i ka thënë Taulanti dhe e nxit Alizotin të tregojë, duke e vënë në sedër që të thotë të vërtetën si burrat.

Alizoti përgjigjet flakë për flakë se Taulanti i ka kërkuar që ai të hidhet nga krahu i tij, se do i japë lekë, se do e çoj andej (jashtë shtetit). “Tjetri” vijon ta ngacmojë Alizotin duke e provokuar se përse nuk i mori lekët dhe Alizoti që thotë se ku janë lekët. Pastaj “Tjetri” sikur ftillohet dhe pyet se përse do t’i jepte lekët Taulanti, ashtu kot? Sipas Alizotit, Taulanti dyshonte se mos Alizoti kishte materiale komprometuese për të, prandaj ka dashur ta joshë me lekë. Sebepi ishte “Filani”, i cili duket tip i kriminalizuar, për të cilin Taulanti interesohet se përse Alizoti i rri nga mbrapa dhe ai vijon të thotë se këtë e bënte se mos atë e vrisnin. Pra, Alizoti ka luajtur rolin e truprojës për “Filanin”, gjë që ka shqetësuar së tepërmi Taulantin.

Sërish “Tjetri” vijon ta quaj skandal që Ardi Veliu ka shkuar dhe e ka marrë në shtëpi Alizotin dhe sërish ky vijon të bëjë be për vdekjen e atyre që ka në shtëpi, nëse gënjen. Sipas Alizotit, rezulton se Ardi Veliu nuk ka përdorur numrin zyrtar të celularit, por numrin privat. Nuk dihet se si e kuptoi këtë gjë Alizoti, por siç duket o e kenë biseduar këtë gjë gjatë rrugës, ose tek kafja me Taulantin.

Në përfundim video-përgjimi i Salianjit mbyllet me deklaratën e Alizotit se prokurori ishte një çun i ri krutan, 40 e ca vjeçar. Se çfarë bisedoi Alizoti me prokurorin krutan, këtë gjë Alizoli nuk na e thotë, por as “Tjetri” nuk e pyet. Fundja, do kenë qenë gjëra pa shumë rëndësi. Me rëndësi ishte, bie fjala, çfarë kostumi kishte veshur Taulant Balla…

Si përfundim, e gjithë kjo pseudo bisedë, e cila karakterizohet si ajo batuta e filmit “Kapedani”, kalonte nga lufta në Vietnam, tek ndërzimi artificial, duket qartazi se është në vijim të skenarit Babale 1. Është pikërisht zbulimi i komplotit Babale 1, faktuar kjo tashmë me dëshmi dhe përgjime të marra sipas procedurave ligjore, ajo që i ka ngutur autorët të ndërmarrin në nxitim e sipër këtë pjesë të dytë. Qëllimi është tepër djallëzor: në mos të shfryjë si të pabesueshme përgjimet telefonike që implikon kupolën demokrate, të paktën ta kthejnë në qesharak procesin duke e banalizuar me një personazh të manipulueshëm, i cili, i vënë me shpatulla pas murit pas provave të inskenimit të tij, tashmë s’ka çfarë të humbasë më dhe përpiqet të tërheqë vëmendjen duke implikuar sa më shumë emra personazhesh që s’kanë fare lidhje me ngjarjen, siç janë Ardi Veliu dhe Taulant Balla.

Materiali audio-video në USB-në e zezë të Salianjit, me një personazh nën akuzë si Alizoti, është në fakt një shërbim shumë i madh për publikun. Dëgjojeni disa herë këtë material dhe ballafaqojeni me audio-përgjimin Babale 1, të cilat i gjeni në Youtube. Sado amatorë te jeni, do shihni e dëgjoni qartë se sa shumë ngjashmëri ka zëri i Alfred Alizotit tek të dy këto materiale. Ngjashmëri në zë dhe në artikulim. Provojeni dhe do të më jepni të drejtë.

2 komente në “Video-përgjimi “Babale 2” si kamerdare shpëtimi e komplotistëve të audio-përgjimit “Babale 1””

  1. fantoma says:

    E kam thënë disa herë që PD-ja, nuk është parti politike, por një grupim rrugaçësh, hajdutë, kriminelë, analfabetë e injorantë, dalë nga llumpeni i shoqërisë shqiptare…! Indinjohem shumë, kur mediat (përfshi dhe TEMËN), përpiqen ta paraqesin si një parti dhe opozitë normale…, ku kjo veç të tjerash, është dhe një diskretitim i vëndit tonë në arenën ndërkombëtare…! Veprimet e tyre të ulëta, injorante dhe provokuese në extrem, ofendojnë çdo qytetar me llogjikë dhe dinjitet minimal…!

  2. Jimi says:

    E po nje burgaxhi dhe nje grusht njerezish primitive te sjellin verdall nje shtet e nje milet te tere kjo nuk eshjte pare e degjuar!? Po pse pak halle ka ky milet po do te merret me keta bajgat politike e ordinere !? Po ke apo s’ke bythe more mut shtet, qe nuk i plas brenda keta mut politikane qe sjellin verdall nje popull te tere? Po kaq frike paske more Rama? Po na u betove se shpejt do te ndertoje shtetin ligjor, ku keta horra nuk do te gjenin vend ku te futeshin!? Kaluan jo pak por pese vite! Po sa vite duhet qe te jesh ne pushtet qe ta ndertojme kete mut shtet ligjor? Kete premtim duket qe ti e ke bere per shekullin tjeter!? Lume kush te rroje t’a shikoje Shqiperine zonje!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje