Loja e telenovelave dhe tre propozime konkrete për kodin zgjedhor

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Endri Tafani*

Ndërkohë që vëmendja e shqiptarëve është përqëndruar tek telenovela politike e rradhës, koha kalon dhe diçka që ka vlerë thelbësore për demokracinë jo vetëm që nuk po kryhet, por as nuk po debatohet. Nga PS para ca ditësh u mbajt një deklaratë për ngecjen në vend të reformës së Kodit Zgjedhor, ku propozimi kryesor i PS ishte përfshirja e votës së emigrantëve në zgjedhje, nga ana e PD u prezantua një platformë për “çlirimin” e saj me katër pika, nga vettingu i politikanëve e deri tek votimi dhe numërimi elektronik.

Por sado interesante të duken në pamje të parë, ato nuk zgjidhin problemin thelbësor të Kodit Zgjedhor. Faktin që është i ndërtuar keq, për t’i shërbyer partive kryesore për të qëndruar të tilla dhe jo t’i ofrojë qytetarit të thjeshtë mundësi zgjidhjeje dhe zgjedhjeje. E drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe baza e demokracisë. Po a e siguron Kodi Zgjedhor aktual? Le ta shohim me detaje.

Me sistemin aktual votuesi në një zonë elektorale voton për Partinë dhe jo për individin. Kjo zhduk lidhjen e zonës elektorale me deputetin e saj. A mund të thotë njeri kush është deputeti i zonës? JO. Ku mund të ankohesh për problematikat e zonës elektorale? Papunësia, taksat, shkollimi, investimet? ASGJËKUNDI. Pra zëri i asaj zone elektorale dhe problemet e saj nuk mund të shkojnë në Parlament. Zëri i asnjë zone elektorale nuk shkon në Kuvend. Zëri i Shqiptarëve në tërësi nuk shkon në Kuvend. Në mungesë të kërkesës së llogarisë nga ana e zgjedhësve, deputeti vepron sipas interesit personal. Mos u habisni me votimet në parlament për taksat, koncesionet etj. Ato votime bëhen që të fitojë dikush. Deputetët dhe bizneset e përfshira. Sepse nuk u kërkon njeri llogari. I tillë është sistemi.

Me sistemin aktual votuesi nuk mund të votojë për personin që dëshiron brenda listave partiake. Si ata shitësit e këqinj në market, partitë politike bashkë me frutat që dëshiron të fusin në qese dhe të kalburat dhe ti je i detyruar t’i marrësh pasi shitja kryhet me qese 10 kg dhe jo me kokrra. Ti voto kë të duash, në parlament do të futet kë do kryetari i partisë. Praktikisht elektoratit i është hequr mundësia e zgjedhjes dhe mos u habisni për keëtë. I tillë është sistemi.

Me sistemin aktual nuk ka rëndësi sa i aftë je, por sa afër i rri udhëheqësit. Është ai që vendos karrierën tënde politike. Nëse je servil je tek emrat e parë, tek vendet e sigurta, tek besnikët në parlament që votojnë sic u thotë kryetari. Nëse je njeri me reputacion, vendosesh në kufirin midis vendeve të sigurta dhe të pasigurta, që të mbledhësh vota për ata që janë më sipër teje në listë. Nëse Kryetari nuk ka asnjë mendim për ty je tek ato vendet anonime nga fundi i listës që s’kanë asnjë mundësi të zgjidhen dhe janë thjesht sa për numër. Kjo ul cilësinë e përfaqsimit në parlament. Pasi lista e kandidatëve mbushet me njerëz servilë e mediokër dhe ata dy-tre njerëz të hajrit dhe me reputacion, janë gjithmonë të rrezikuar të mos zgjidhen me atë pozicionim që iu bëhet nëpër listat zgjedhore. Nuk është për tu habitur që cilësia e deputetëve sa vjen e ulet dhe nga ana intelektuale dhe reputacionale Parlamenti aktual është Parlamenti më mediokër në historinë e pas 90. I tillë është sistemi.

Me sistemin aktual është e vështirë që një ide e re, një organizim i ri apo qoftë dhe një individ i ri të gjejë vend në parlament. Sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të favorizohen partitë e mëdha dhe koalicionet me partitë e mëdha. Nëse jeni një forcë e re politike apo qoftë dhe një individ e keni pothuaj të pamundur të hyni në parlament. Praktikisht shqiptarëve u është hequr e drejta për t’u zgjedhur! Nuk është për tu habitur pra që në pothuaj 30 vjet, parti të reja apo njerëz të rinj jashtë partive politike nuk futen në parlament. I tillë është sistemi.

Për ta përmbledhur kemi një sistem që, nuk të jep mundësi të zgjedhësh atë që do, nuk mund t’i kërkosh llogari atij që i ke dhënë votën, favorizon servilët dhe njerëzit me dinjitet penalizohen, sistem që mban në pushtet të njëjtët njerëz, zhduk faktikisht alternativat e reja dhe në fund të fundit vetë të drejtën e individit për tu zgjedhur. Kemi një sistem zgjedhor që Kryetarin e partisë e kthen në perandor të plotëfuqishëm, deformon vetë kuptimin e partive politike në demokraci dhe krijon premisat për kapjen e gjithë sistemit nga një njeri i vetëm.

Kjo është e meta kryesore e sistemit aktual zgjedhor. Kapja e sistemit nga një njeri i vetëm, kushdo qoftë ky dhe kthimin e votimit në farsë legjitimiteti.
Janë të rëndësishme dhe financimet publike, dekriminalizimi, procesi i votimit, vota e emigrantëve etj por në fakt reformimi i tyre prek periferinë dhe jo thelbin e problemit të sistemit zgjedhor aktual. Atëherë cili sistem i adreson më mirë problemin e moskapjes së sistemit dhe zhdukjes së farsës elektorale?

Sistemi mazhoritar i adreson më së miri të gjitha problemet e shprehura më sipër. Ai i jep mundësi njerëzve të zgjedhin atë kandidat që duan dhe fundi i fundit të kandidojnë dhe veten e tyre në zonën e tyre elektorale nëse kanë dëshirë të angazhohen politikisht. Me sistemin mazhoritar është dhe më i ulët pragu i votave për një individ të futet në parlament sepse mjafton vetëm gjysma e atyre që duhen aktualisht.

Me sistemin mazhoritar zgjedhësit mund t’i kërkojnë llogari deputetit të zonës elektorale, deputeti do detyrohet të çojë zërin e tyre në parlament, deputeti do jetë më i pavarur nga urdhërat partiakë për votim në parlament kur ato bien ndesh me dëshirën e votuesve të tij, deputeti do jetë më i prirur të votojë për interesat e zonës që përfaqson. Sistemi mazhoritar u jep të gjithëve mundësi të zgjedhin e të zgjidhen pra zhduk farsën elektorale si dhe nuk lejon përqëndrimin e pushtetit në duart e një njeriu. Pra zgjidhja duket perfekte për situatën në Shqipëri.

Megjithatë sistemi mazhoritar ka një risk dhe ky është risku i deformimit të përfaqsimit në parlament në krahasim me votat që merren në total. Kjo është arsyeja që një korigjim proporcional është i preferueshëm për këtë sistem. Shqipëria e ka patur një të tillë më parë, por partitë ia gjetën mënyrën të loznin me sistemin duke votuar veças për individin dhe veças për partitë. Atëherë për të ulur këtë mundësi loje me sistemin mjafton të heqësh votimin e dyfishtë.

Pra sistemi mazhoritar me korigjim proporcional të ketë vetëm një votë dhe kjo të jetë për individin dhe automatikisht vota shkon për partinë që përfaqson ai individ. Në rast së individi nuk i përket asnjë partie atëherë vota e tij të futet në grupin e votave të pavarurve. Vota e të pavarurve ska pse tu bashkohet votave të partive. Nëse në total votat e të paangazhuarve meritojnë disa deputetë atëherë dhe të paangazhuarit mund të futen në parlament duke filluar me atë individ të paangazhuar që ka marrë më shumë vota e kështu me rradhë.

Për ta përmbledhur propozimi është një sistem mazhoritar me korigjim proporcional ku votohet vetëm individi dhe nëse është partiak kjo votë i quhet dhe partisë për korigjimin proporcional dhe nëse individi është i pavarur kjo votë i quhet grupit të të pavarurve për korigjim proporcional. Kur të bëhet korigjimi proporcional partitë do marrin deputetë sipas rradhës nga lista e tyre proporcionale, ndërsa të pavaruririt sipas rradhës që del nga votat që kanë marrë (i pari është ai që ka marrë më shumë vota në zonën e tij e kështu me rradhë).

Sistemi i propozuar krijon lidhjen e elektoratit me deputetin, krijon pavarsinë e deputetit nga urdhërat partiakë, rrit llogaridhënien e tij para elektoratit, i heq fuqinë kryetarëve të partive dhe ia kthen zgjedhësve, u jep mundësi njerëzve të votojnë kë të duan ata dhe jo kë të dojë partia, u jep mundësi njerëzve të rinj të dalin të konkurojnë në zonën e tyre, siguron mundësinë që vota jashtë partive të ngelë e tillë dhe të mos u jepet bonus partive kryesore por individëve që e meritojnë. Praktikisht ky sistem godet partitokracinë dhe rikthen demokracinë.

*Kryetari i partisë LIBRA

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

2 komente në “Loja e telenovelave dhe tre propozime konkrete për kodin zgjedhor”

  1. ILIRET says:

    Ja fut kot Endri. Si do qe te jete kodi, deputetet ne zone do i caktoje partia. Le te guxoje deputeti te dale jashte linjes te partise, nuk kandidohet me ne zgjedhjet pasardhese.

  2. LIBRA says:

    Endri, NUK je kryetar i askujt e i asgjeje! Mbaje delirin nen kontroll, please!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *