Njëri thumbit, tjetri patkoit

11 Tetor 2018, 09:52Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Së fundi një mori pushtetarësh e zyrtarësh të lartë të Republikës së Kosovës qëndruan në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ka disa vjet që politikanët e Kosovës vizitojnë këtë pazar të madh të politikës botërore me idenë që të «lobojnë» për Kosovën. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë ky lloj lobimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kishte kuptim. Fuqitë e mëdha përkrahnin Kosovën, ndërsa Republika e re aty-këtu përfaqësohej me diplomatë seriozë, të cilët kryenin punë.

Sivjet paraqitja e delegacionit kosovar në New York ishte skandaloze. Dëshmitarë okularë tregojnë se si në takime me diplomatë amerikanë pala kosovare, pak a shumë, kishte tri qëndrime. Kryetari i Kosovës angazhohej për korrigjim të kufijve, kryeministri për ruajtje të këtyre kufijve, ndërsa ministri i tij i jashtëm do të donte që kufijtë mes Kosovës e Serbisë të hiqeshin krejt. Rrjedhimisht, ishte e tepërt të pritej që dikush nga administrata amerikane të merrte seriozisht këtë treshe.

Me shpoti e cinizëm anëtarët e delegacionit kosovar ishin pritur nga diplomatët amerikanë edhe në Samitin e Dubrovnikut që u mbajt në fillim të nëntorit. Si shkas kishte shërbyer ardhja e bajraktarëve të Kosovës me avionë privatë e me jaht.

Ky trend negativ vërehet edhe në politikën e brendshme. Javën që shkoi presidenti i vendit e pa të udhës që edhe para varreve të hapura të dhjetëra të rënëve për liri të flasë për planin e tij për «korrigjimin» e kufijve. Pastaj, aty për aty, kryeministri tërthorazi e akuzoi se me idenë për «korrigjimin» e kufijve po përdhoste sakrificën e heronjve të Kosovës. Pra, kemi një situatë kur njëri politikan (kryetari) i bie thumbit, tjetri (kryeministri) patkoit. Pastaj në debat kyçet edhe kryetari i Parlamentit, i cili herë është kundër «korrigjimit», herë thotë se kryetari ndoshta, disi, kushedi – mund ta ketë mirë. Ec e merre vesh këtë esperanto politike.

Si asnjëherë më parë në 20 vjetët e fundit udhëheqësit e Kosovës janë joseriozë në qëndrimet e tyre. Në të kaluarën budallallëqet e politikanëve kosovarë i mbulonte disi bashkësia ndërkombëtare, jo përherë në favor të Kosovës. Tani interesi për Kosovën ka rënë dukshëm dhe do të ishte e domosdoshme që Kosova të kishte një klasë politike vërtet të aftë për t’u përballur me shumë probleme e vështirësi që e presin edhe në dialog me Serbinë. Në vend të përgatitjes kemi një nguti, një stihi, një sjellje gati nënshtruese ndaj Serbisë nga ana e presidentit. Ai thotë se askush nuk do ta detyrojë Serbinë ta pranojë Kosovën dhe përkujton se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Por, 23 shtete të tjera anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën dhe mes tyre me siguri do të jetë një që do të bllokojë anëtarësimin e Serbisë në BE, bile gjasat janë të mëdha që bllokimi të ndodhë gjatë negociatave, sepse Serbia duhet të sqarojë raportin me Kosovën para se të shohë dritën e gjelbër në semaforin drejt Brukselit.

Në gjithë këtë rrëmujë është tragjike të shohësh se si presidenti po i instrumentalizon politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës, duke iu premtuar bashkim me Kosovën. Por, kur të shtrohet pyetja konkrete se si do të dukej ky bashkim, kryetari i Komunës së Preshevës në radion publike gjermane thotë se ose bashkohet tërë Lugina e Preshevës me Kosovën, ose nuk do të ketë fare ndryshim të kufijve. «Nuk duam që një pjesë e shoqërisë sonë shqiptare tani të bëhet pjesë e Kosovës, ndërsa një pjesë tjetër megjithatë të mbesë në Serbi dhe kështu të rrezikojë që shqiptarët atje të asimilohen apo të shpërngulen». Ai thotë qartë: «Nuk dua të jem letër bixhozi për çdokënd në rajon, qoftë ky Vuçiqi apo Thaçi». Natyrisht kur vjen në Prishtinë, me ftesë të presidentit të Kosovës, shefi i Komunës së Preshevës flet ndryshe. Kështu krijohet rrëmuja e madhe politike, ku sërish njëri i bie thumbit, tjetri patkoit, të gjithë flasin diçka dhe mendojnë diçka krejt tjetër. Kjo agoni duhet të marrë fund sa më shpejt në Kosovë. Ashiqare këtë agoni nuk mund ta ndalë ai që e ka shkaktuar – presidenti i Kosovës. Do të duhej një konsolidim i skenës politike të Kosovës dhe pjesë e këtij konsolidimi, nëse do, mund të bëhet edhe kryeministri nëse tërhiqet nga kjo qeveri, në të cilën nuk mund të ndërrojë as ministra, madje s’ka mundësi të ndërhyjë as kur zyrtarë të Qeverisë përkrahin ndarjen e Kosovës, ndërsa shefi i Qeverisë para varreve të luftëtarëve të rënë thotë se Kosova është e pandashme. Kjo kakofoni e rrezikshme duhet të marrë fund sa më shpejt.

2 komente në “Njëri thumbit, tjetri patkoit”

  1. Baliu says:

    Nje hajn i farmerkave, nje hajn pyjesh dhe nje portier diskosh, nje kaka-foni e programuar.

  2. ? says:

    S’duhet perçarje politike ne prishtine.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje