ANALIZA: Britania përtej Brexit

21 Tetor 2018, 11:00Bota TEMA

Përpjekjet për të rindërtuar politikën britanike. Përpos kaosit të madh që ka krijuar Brexit, po krijohen edhe disa ide të reja, të cilat do t’i japin formë dekadës së ardhshme.

Pjesa më e madhe e votuesve anglezë ndihen të zhgënjyer sa u përket konferencave dhe takimeve që priten të mbahen në drejtim të Brexit. Të dyja partitë kryesore janë të hipnotizuara nga Brexit, shkruan The Economist.

Partia Laburiste, e cila u mblodh së fundmi në Liverpool, u përpoq të ruante pozicionin e saj vetëm për të shmangur grindje të përmasave të mëdha. Konservatorët, nga ana tjetër, janë e kanë shfaqur hapur mendimin për të rrëzuar Kryeministren e vendit.

Tërmeti i dy viteve më parë mbi referendumin e Brexit ka nxitur më shumë se çdo gjë tjetër partitë e Britanisë, si dhe ka shkaktuar debate të shumta edhe në drejtime të tjera, pothuajse mbi gjithçka. Me gjithë situatën e vështirë dhe të tensionuar që ka përfshirë të gjithë Britaninë së fundmi po shihen përpjekje të ndryshme nga politikanët, të cilët po fillojnë të mendojnë seriozisht për drejtimin që duhet të marrë Britania pas largimit nga BE-ja. Disa prej ideve themelore që kanë qenë edhe pjesë e disa prej qeverive perëndimore të të gjitha kaheve politike për dekada me radhë, po shqyrtohen me kujdes si nga partitë e krahut të djathtë ashtu edhe nga ato të majta.

Partia që do të dalë me programin më bindës dhe do të japë përgjigjet, të cilat do të gjejnë mbështetjen më të madhe në popull, do të qëndrojë në qendër të politikës britanike dhe do ta drejtojë atë edhe në vitet e ardhshme. Dhe në të njëjtën mënyrë si Brexit u ndoq nga revolta populiste në shtete të tjera, në të njëjtën mënyrë mund të përhapen edhe idetë që do t’i japin formën e re qeverisë britanike. Disa prej tyre janë vërtet premtuese, disa të tjera janë shumë të rrezikshme.

Njerëzit kanë folur

Kërkesa e mbështetësve të Brexit “për të marrë sërish kontrollin” të bënte përshtypje, sepse ajo shkonte më larg sesa thjesht marrëdhënia e Britanisë me pjesën tjetër të Europës. Ajo u drejtohej shërbimeve publike, të cilat çalonin në pjesën më të madhe të rasteve dhe kompanive private gjigante të paafta. Ajo u drejtohej firmave që shkelin ligjet e punës dhe i trajtojnë punëtorët duke i mohuar edhe të drejtat e tyre themelore. Dhe kjo reflektoi një ndjesi pamundësie përballë një sistemi të kapitalizmit global, i cili, dhjetë vjet më parë, e çoi Britaninë në recesion, pasi bankierët mijëra kilometra larg shitën letra me vlerë me përfitime të larta, të cilat në atë kohë thuajse askush nuk i kuptonte plotësisht.

Pasi mori detyrën si Kryeministre, në vitin 2016, Theresa May, u premtoi votuesve se do të bënte të pamundurën për të përmbushur kërkesat e tyre dhe se do të riformësonte forcat e liberalizmit dhe të globalizmit që kanë ndikuar në mbarë botën perëndimore. Ajo nuk e mbajti premtimin. Përveç mungesës së imagjinatës, shpenzimeve të shumta dhe bisedimeve të gjata me partinë e saj dhe jo me BE-në në lidhje me Brexit (që duket se nuk do të kenë kurrë fund), populli britanik nuk ka parë thuajse asgjë tjetër që nga ardhja e saj në pushtet. Kur të vijë dita e daljes nga BE-ja, në marsin e vitit tjetër, dhe Britania të mbetet ose me një marrëveshje të keqe ose pa asnjë marrëveshje, thirrja e popullit për ndryshime revolucionare do të jetë më e fortë se kurrë.

Një prej grupeve politike më të gatshme për t’iu përgjigjur thirrjes është Partia Laburiste e cila është duke marshuar gjithnjë e më shumë dhe me besim, i cili rritet dita-ditës. Shumë nga idetë në manifestimin e saj vitin e kaluar ishin të përqendruara në politikat e vjetra, si kalimi në pronësi të shtetit i hekurudhave. Por që atëherë, plani ekonomik i Partisë Laburiste ka evoluar. Kancelari hije, John McDonnell, një mendimtar më i madh se shefi i tij, Jeremy Corbyn, propozon “zgjerimin më të madh të të drejtave demokratike ekonomike që ky vend ka parë ndonjëherë”. Z. McDonnell identifikon me saktësi se në vitet e fundit, pushteti ka kaluar nga forca punëtore drejt kapitalit.

Sipas tij, që kjo të ndryshojë, një e treta e bordeve të kompanive duhet të përbëhen nga punëtorë dhe pagat do të përcaktohen nga marrëveshjet kolektive. 10% e kapitalit të kompanive do të shpronësoheshin dhe do të futeshin në fonde të menaxhuara nga përfaqësuesit e punëtorëve, që do të bëheshin aksionerët më të mëdhenj në shumë prej firmave të mëdha. Punëtorët do të merrnin disa dividentë, por shumica do të shkonte në qeveri. Thesari i Shtetit do të “riprogramohej” për të kanalizuar paratë në industri të favorizuara.

Bashkë me një plan për të rritur pagën minimale në mënyrë që ajo të përfshinte 60% të të punësuarve nën moshën 25-vjeçare, paketa përfaqësonte edhe një kalim të pushtetit jo vetëm te punëtorët, por edhe te shteti e sindikatat. “Sa më i madh të jetë rrënimi që ne do të trashëgojmë, aq më radikal duhet të tregohemi”, tha z. McDonnell në një konferencë.

Por e sigurt është që Brexit ka të ngjarë të shkaktojë kaos të madh. Konservatorët, nga ana tjetër, po veprojnë më ngadalë, por edhe ata kanë gjithashtu shumë ide të reja të cilat do të duan t’i zbatojnë. Disa duan të heqin dorë nga parimet e tregut të lirë dhe t’i zbatojnë ato në zona të reja, duke hequr kufizimet e planifikimit për të inkurajuar ndërtimin e shtëpive. Të tjerë duan që qeveria të përqafojë shembullin e ndjekur nga Roosevelt, ndërsa të tjerë ende besojnë se shembulli i duhur që duhet ndjekur është konservatorizmi i Benjamin Disraeli mbi kombin e bashkuar, ndarja e thellë e të cilit sipas moshës, klasave, rajoneve, etj., u evidentua dhe u theksua më shumë nga Brexit.

Por çfarë donin të thoshin konkretisht?

Këto ide mund të shënojnë një ndërprerje dramatike me të kaluarën. Por ndërsa një Parti kryengritëse Laburiste është bashkuar pas një axhende planesh dhe idesh të detajuara, mendimet e konservatorëve jo vetëm që nuk janë të përcaktuara saktë, por kjo parti as nuk e ka fare të qartë filozofinë të cilën do të ndjekë. Liderja e tyre është duke luftuar për postin e saj në Westminster, dhe nuk ka thuajse fare kohë për të menduar për strategjitë apo filozofinë e duhur që duhet të ndjekë. Gjithsesi, ajo nuk ka gjasa t’ia lirojë rrugën një pasardhësi derisa Britania të jetë larguar nga BE-ja. Megjithatë, nuk ka kohë për të humbur.

Të shumtë janë konservatorët që dyshojnë se planet aq drastike sa ato të z. McDonnell mund të implementohen ndonjëherë në Britani, sepse tek e fundit Britania është duke zhvilluar betejën e ideve që ka kërkuar që nga koha e referendumit. Kjo paraqet mundësi të mëdha, por njëkohësisht edhe rreziqe dhe është pikërisht momenti i duhur për të gjithë ata që nuk i pëlqejnë tingujt e së ardhmes të përshkruar nga Partia Laburiste, të krijojnë disa ide të tyret./monitor/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje