Skaneri i nëntë javëve të para të Superiores:  Partizani "kampion" i fazës së parë, Skënderbeu nuk i ndahet

22 Tetor 2018, 20:22Sport TEMA

Flamurtari-Tirana ishte ndeshja që mbylli fazën e parë të Kategorisë Superiore e cila përfundoi me fitoren e vendasve me shifrat 1-0 fal golit të shënuar nga braziliani Danilo Alvesh.

Një fazë e parë që ndryshe nga sezonet e shkuara “kampion” deri më tani ka skuadrën e Partizanit që kryeson e vetme tabelën e renditjes me 22-pikë të grumbulluara nga 27 të mundshme në nënte ndeshje.

Të kuqtë kanë në krye të ekipet një trajner të ri, një emër të njohur që ka bërë karrierë tek ky klub, Skënder Gegën i cili ka rikthyer ekipin në nivele të larta – duke krijuar një grup simpatik ku në përbërje ka shumë elementë të rinj dhe të talentuar.

Në nëntë ndeshjet e para Partizani ka një ecuri prej shtatë fitores – 1 barazim dhe – 1 humbje, të cilën ja ka shkaktuar ekipi i Skënderbeut në ndeshjen e parë dhe me të cilën do të përballen në ndeshjen e parë të fazës së dytë të hënën.

Ashtu si Partizanit edhe Skënderbeu ka në drejtim një trajner të ri, Orges Shehin që mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Ilir Dajës.

Nën drejtimin e Shehit, kampionët në fuqi të Kategorisë Superiore kanë arritur që të 20-pikë duke qenë vetëm dy pikë larg kryesuesve të kampionatit, Partizani.

Korçarët në këtë fazë të parë kanë arritur që të marrin – 6 fitore – 2 barazimi dhe – 1 humbje.

Ndeshja e së hënës do të jetë dhe një duel mes kryesuesve të kampionatit që do të rivalizojnë vetëm për fitore.

Pas dyshes kryesuese, në vend të tretë vjen Kukësi i Armando Cungut.

Verilindorët renditen në vendin e tretë në renditje me 16-pikë të grumbulluara duke qenë larg pritshmërive të fillimit të sezonit ku ekipi bëri një merkato të fuqishme – por që ende të besuarit e Cungut nuk po arrin në lojën e tyre më të mirë.

Por, gjithsesi Kukësi do të jetë një konkurent mjaft i fortë deri në fund për të dyja ekipet Partizanin dhe Skënderbeun të cilët edhe pse kanë një distancë pikësh.

Ndërkohë, Laçi edhe pse pati një ecuri fantastike në tetë javët e para duke mos pësuar asnjë humbje nuk arriti dot që të ruante pathyshmërinë ndaj Teutës duke marrë një humbje me shifrat e thella 3-0.

Kurbinasit renditen në vendin e katërt me pikë të barabarta me Kukësin 16-të, por që pavarsisht dëshirës për të luftuar për titullin rivaliteti me ekipet sipër tyre do të jetë mjaft e vështirë- ndërkohë që shanset për të siguruar një vend që të dërgon në Kupat e Europës janë mjaft të larta.

Ekipi i Artan Mërgjyshit në këto nëntë javë të para ka – 4 fitore – 4 barazimi dhe – 1 humbje.

Flamurtari, Teuta, dhe Tirana pavarsisht merkatos së mirë të kryer në verë nuk kanë arritur dot që të jenë brenda pritshmërive të tyre në këtë fazë të parë.

Tek vlonjatët pritshmëria ka qenë më lartë – të cilët edhe pse morën trajnerin kampion të Superiores Ilir Dajën – si dhe përforcuan skuadrën me shumë lojtarë të rinj dhe cilësor ende nuk janë në nivelin e kërkuar nga tifozët dhe drejtuesit e klubit të cilët në nisje të kampionatit, synimin kryesorë kishin fitimin e titullit kampion.

Në këto nëntë javë kanë 14-pikë duke marrë – 4 fitore – 2 barazimi dhe – 3 humbje.

Sa i përket mbijetesës, ekipet që do të luftojnë deri në fund për të mbetur mes 10 ekipeve më të mira të Kategorisë Superiore deri më tani janë Luftëtari, Kamza dhe Kastrioti.

Për krutanët situta është disi më e vështirë për të qëndruar në Superiore për edicionin e ardhshë, pasi vetë loja dhe pikët e marra e bëjnë paksa të pa shpresë qëndrimin e tyre edhe për një vit në këtë Kategori.

Kastrioti në këto nëntë javë të para ka vetëm katër pikë duke marrë – 1 fitore – 1 barazim dhe – 7 humbje.

Rivaliteti tjetër për ekipin që do të qëndrojë në Superiore pritet të jetë mes Kamzës dhe Luftëtarit të cilat kanë pasur një ecuri jo të mirë.

Të dyja ekipet i ndanë vetëm një pikë nga njëra tjetra – me Kamzën që renditet në vendin e tetë me 7 pikë, ndërsa Luftëtari që renditet në vendin e nëntë me 6-pikë.

Gjithsesi, kjo është vetëm faza e parë dhe asgjë s’ka mbaruar pasi do të luhen dhe tre faza të tjera ku pritet që të ketë sërish ndryshime klasifikim. (Përgatiti Fatjon Baze, TemA)

Klasifikimi i Kategorise Superiore pas mbylles se fazes se pare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje