Divorci me kumarin mund t’i kushtojë qeverisë 45 milionë euro

3 Nëntor 2018, 09:06Ekonomia TEMA

Biznesi i kumarit ka qenë gjithmonë një ndër lobet më të fuqishëm në vend. Jo rastësisht dy vite më parë ia dolën që të shtynin ligjin, duke marrë më shumë kohë para ndalimit. Por duket se në çdo marrëdhënie ka një krisje dhe këtë herë u kurorëzua me “divorc”. Një vendim që duhet të ndalonte vetëm kazinotë elektronike u kthye në ortek, që mori me vete bastet sportive dhe lojërat elektronike në distancë. Në aspektin social, qeveria ka fituar pikët e saj, në aspektin e trajtimit të një biznesi kontribuues në buxhet nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Kompanitë e basteve sportive pranojnë se ky biznes kishte dalë jashtë kontrollit, por sipas tyre, bashkëfajtore është qeveria, e cila ka miratuar kaosin ku “notonte” sektori. Ashtu siç pritej, divorci do të bëhet në Gjykatë dhe kompanitë pretendojnë rreth 45 milionë euro dëmshpërblim.

Nga Nertila Maho- Monitor

Vulosja nga parlamenti e ligjit për lojërat e fatit i ka hapur rrugë dy aspekteve shumë të rëndësishme. Së pari, kazinotë elektronike, bastet sportive dhe lojërat elektronike në distancë nga data 1 janar 2019 nuk do të funksionojnë më, duke konfirmuar atë që tha kryeministri se “asnjë qepen i këtyre njësive nuk do të ngrihet” dhe së dyti, shteti kalon përgjegjësinë e tij në një tjetër nivel. Tashmë, organizimi dhe zhvillimi do të jenë tagër i tij. Deri më sot, në listën e përgjegjësive, shteti kishte licencimin dhe mbikëqyrjen. Vendimi për ndalimin e bixhozit, si një plagë sociale, sigurisht që ka marrë më shumë përgëzime sesa kritika, por të vetmit të gjendur pa përgatitur në këtë revansh ndryshimesh janë bizneset e basteve sportive. Të anatemuar gjerësisht si industri, por ama të licencuar nga qeveria, këta të fundit shprehen të shqetësuar për formën me të cilën u trajtuan. Sipas tyre, kazinove elektronike iu lanë dy vite kohë për t’u përgatitur për mbylljen, ndërsa bastet sportive u gjendën përballë vendimit me një afat dymujor.

Çështja drejt gjykatës, do të kërkohet dëmshpërblim 45 milionë euro

Deri në momentin e fundit kur ndryshimet ligjore ishin ende një draft, përfaqësues të basteve sportive shprehën gatishmërinë për të negociuar me qeverinë, duke kërkuar një zgjidhje alternative. Me kthimin e këtij drafti në ligj, kompanive u ka mbetur si rrugë gjykata. Artan Shyti, kryetar i Shoqërive Shqiptare të Basteve, shprehet se kompanitë do të kërkojnë 30-45 milionë euro dëmshpërblim në gjykatë. “Vlera e llogaritur e dëmshpërblimit që do të kërkojmë nga qeveria shqiptare është 30-32 deri në 40-45 milionë euro. Kemi këtë lloj luhatshmërie pasi ende mbeten gjëra që janë të paqarta. Dëmi ka filluar që në këtë moment, pasi kemi probleme për të arkëtuar xhiron në pika. Janë detyrime të ndryshme.

Kemi disa elemente që janë shumë komplekse, si qiratë e dhëna apo ato të parapaguara, pretendime nga qiradhëniet që duan të marrin në varësi të kontratës. Punonjësit mund të kenë pretendimet e tyre dhe nëse zbatojmë pikë më pikë Kodin e Punës për çdo punonjës, vetëm kostoja e pagave na shkon 10 milionë euro. Ata nuk mund t’ia kërkojnë shtetit. Do të na i kërkojnë ne. Ne pastaj do t’ia kërkojmë shtetit se ndërhyri në ligj, pa menduar për pasojat tona. Tek e fundit, ne kemi një licencë që është pronë që na i ka dhënë po shteti dhe na mbaron në 2026”, – shprehet Shyti.

Potenciali i tregut të lojërave dhe shifra 700 milionë euro

Një nga shifrat që ka ngritur më shumë debat këto ditë ka qenë në deklaratën e Kryeministrit. “Me ndalimin e basteve ne kalkulojmë një mesatare 700 milionë euro që shkojnë nga llumi dhe lumi i basteve në konsumin racional të familjeve”, u shpreh Kryeministri. Qarkullimi vjetor i bixhozit (kazinove, basteve, loto, bingo, lotari) në vend sipas bilanceve të kompanive depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit llogaritet 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro në 2017-n, me rritje vjetore 9.3%.

Biznesi më i madh është te kazinotë, që raportuan 10 miliardë lekë të ardhura (60% e totalit). Megjithatë, rritja e aktivitetit të kazinove ishte minimale në 2017-n, ndryshe nga kompanitë e basteve sportive, që panë zgjerim të të ardhurave me 20%.

Sigurisht, duke marrë parasysh edhe pjesën e informalitetit në sektor, qarkullimi i këtij tregu rritet dukshëm, por shifra 700 milionë euro nuk tingëllon realiste. Një studim i zhvilluar nga “Purcell and Assosiation” në vitin 2012, për llogari të qeverisë shqiptare dhe që disponohet nga “Monitor”, thekson se informaliteti ishte dukshëm i lartë në biznesin e kumarit në vend. Tek bastet sportive, arrinte të paktën 40%, ndërkohë që kazinotë elektronike vlerësoheshin se kishin 7500 makina, nga të cilat vetëm 2200 të licencuara.

Në gjithë variantet e zhvillimit, konsulenti nënvizonte se tregu shqiptar i lojërave të fatit mund të arrinte në potencialin e vet pak më shumë se 300 milionë euro. Lakimi i një shifre të frikshme prej 700 milionë eurosh tregon anën e errët të kësaj industrie të dalë jashtë kontrollit, që duket se vuri nën ethe edhe qeverinë për të marrë masa drastike dhe për ta ndryshuar ligjin deri në momentin e fundit para votimit në Kuvend.

Çfarë lojërash fati mbeten sot në treg, opsioni i lojës online në faqe të huaja

Ligji për lojërat e fatit, me ndryshimet e fundit, nuk i bllokon gjithë lojërat e fatit. Disa prej tyre do të vijojnë të funksionojnë. Nga 1 janari 2019, askush nuk mund të vendosë baste sportive në pikë fizike dhe online në kompani shqiptare, askush nuk mund të luajë në makina slot në kazino elektronike, nuk ka më baste për gara me kuaj. Aktualisht të vetmet lojëra që parashikon ligji janë bingot televizive, bingot tradicionale dhe lojërat e Lotarisë Kombëtare. Kjo e fundit është një koncesion 10-vjeçar që, sipas ligjit në fuqi, ka në treg disa lloje lojërash, por asnjëra prej tyre nuk përfshin element të VLT. Po kështu, kazinotë do të funksionojnë vetëm në hotelet me 5 yje, pra resort-kazino.

Për të gjithë ata që duan të luajnë online, sot janë me qindra faqe të cilat e ofrojnë këtë mundësi. Ekspertë të fushës sqarojnë se aksesi në faqet online jashtë Shqipërie është i lehtë, mjaft të disponosh një kartë krediti. Pra nëse një lojtar kërkon të luajë, duhet që të hapë një llogari në faqen online. Pas kësaj, ai vendos të luajë shumën e caktuar në një ndeshje të caktuar. Nëse fiton, paratë i transferohen në llogarinë e tij duke iu taksuar pjesa e fitimit, sipas vendit ku rezulton e regjistruar kompania online. Këto sajte mund të identifikohen dhe të bllokohen më pas me ndihmën e Autoritetit të Komunikimeve Elektronik edhe Postare, por gjithmonë ndryshimi i vazhdueshëm i IP të kompjuterëve e vështirëson procesin.

Identifikimi i lojtarëve mund të bëhet vetëm nëse ka bashkëpunim mes Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe bankave, të cilat duhet të raportojnë këto lloj transaksionesh. Ekspertët vlerësojnë se ka vende që aplikojnë këtë lloj monitorimi dhe ndërkohë shumat e luajtura i konsiderojnë si blerje online duke i taksuar në të njëjtin nivel. Nga njëra anë, kjo dekurajon lojërat në internet dhe, nga ana tjetër, bën të mundur që një pjesë e parave të shkojnë në buxhet.

Shtetëzohet kumari, ristrukturohet AMFL, ulet fitimi i koncesionarit

Dinamika e ndryshimeve në biznesin e kumarit ka qenë me ritme të shpejta në vitet e fundit, nga miratimi i ligjit bazë e deri në situatën që kemi sot. Ndryshimi i dytë më domethënëse, në gjithë hapin e ndërmarrë nga qeveria, është shtetëzimi i kumarit. Përpara nenit 1 të ligjit, së fundmi u shtua “Organizimi, zhvillimi dhe ndërmjetësimi i lojërave të fatit, basteve sportive dhe lotarisë është përgjegjësi e shtetit”.

Kjo do të thotë që mbyllja e gjithë basteve sportive dhe lojërave të fatit është kapitull me fund të palumtur për privatët që kishin deri më sot licencat, ndërkohë që nga nesër është shteti ai që do t’i organizojë. Praktikisht monopoli i kalon qeverisë. Në përputhje me situatën e re në treg është miratuar një vendim që pezullon ristrukturimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Veprimtaria e këtij të fundit pritet të nisë në janar 2018 me regjimin e ri dhe subjektet e vetme operuese do të jenë të pakta në numër. Ajo që mbetet ende e paqartë është pjesa e Sistemit të Monitorimit Online të Lojërave të Fatit.

Ky sistem, në kohën kur u dha me koncesion, u argumentua se do të monitoronte dhe kontrollonte më mirë xhirot e kompanive, çka do të përkthehej në një saktësi më të madhe dhe përfitim në buxhet. Sipas marrëveshjes me koncesionarin, me një akt nënligjor të veçantë, ky i fundit do të arkëtonte tarifa për disa kategori. Kështu, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend sipas vendimit është 0.70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguante një pikë basti në 252 euro në vit. Automatikisht mbyllja e pikave të basteve zeron këtë pjesë të tarifës për koncesionarin. Kategoria e dytë që do të paguante tarifë për sistemin e monitorimit ishte ajo e kazinove elektronike, 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që, për një aparaturë në muaj, do të paguhej 37.5 euro, çka në një vit e çonte detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Por edhe këto të fundit dalin tashmë nga tregu.

Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë rreth 150 mijë euro për sistemin e monitorimit në vit.

 

1 komente në “Divorci me kumarin mund t’i kushtojë qeverisë 45 milionë euro”

  1. beni says:

    Ama qytetarve do u ngelen mes se 10o miljon dhe paraja ngelet brenda shtetit e jo në bwin apo tipiko?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje