Njoftimi i Presidencës, si deklarata më e fundit e opozitës

4 Nëntor 2018, 20:05Blog TEMA

Nga Nertil Jole

Mendoj se nuk janë të shumtë ata që kanë besuar se pas zgjedhjes së Ilir Metës President i Republikës, institucionit të Presidentit do i rikthehej pesha e munguar. Kjo sepse në tranzicionin e lëngueshëm shqiptar të më shumë se dy dekadave, roli i Ilir Metës si politikan protagonist është i sprovuar.

Nuk dëshiroj sot t’i bëj analizë sjelljes dhe veprave të tij si politikan para marrjes së detyrës më të lartë shtetërore, për të cilën ndoshta nuk do gjeja arsyet e mjaftueshme për ta bërë ndonjëherë në këtë trajtë dhe pikërisht për këtë personazh, sa kohë ai ka drejtuar një parti politike, misioni i vetëm i të cilës ka qënë dhe është ai që njihet nga mbarë opinioni publik. Pra, si të jetë pjesë e tepsisë, për kafshatën apo ngjyerjen e radhës.

Në këtë shkrim dua të analizoj vetëm rolin që ai ka si kryetar i Shtetit, pasi figura dhe sjellja e tij në këtë pozitë duhet të na përfaqësojë të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike që mund të kemi. Cilido personalitet që ka privilegjin e lartë të ushtrojë këtë detyrë fisnike, nuk duhet të punojë asnjëherë për interesa që dalin jashtë sferës së interesave kombëtare, duke patur më parësore ato brenda sferës së bindjeve të tij subjektive ose thellësisht partiake.

Personalisht, e kam dyshuar që në krye të herës se Ilir Meta do të gjente fuqinë për të qëndruar një President mbi palët, në respekt të ligjit themeltar të vendit dhe garantimit të unitetit kombëtar që ka si funksion kushtetues figura e Presidentit. Arsyeja e parë pse kam dyshuar, lidhet me kurbën e sjelljes politike gjatë karrierës së tij. Është mëse i njohur pragmatizmi ekstrem i Ilir Metës në funksion të interesave vetjake politike, por me një karakteristikë të veçantë. Ai gjithmonë ka arritur t’i realizojë objektivat e tij individuale dhe partiake, duke tentuar të manifestojë një gjuhë të moderuar, aq sa me qasjen konstruktive që ka i ka krijuar bindjen ose iluzionin pikë së pari vetes së tij, se është një mbrojtës i hekurt i interesit të gjerë publik. Por nuk është ky shkrimi për të renditur rekordet e tij të spikatura si politikan, kur në shumë raste i “ka rezistuar” në mënyrë epike tundimit për të mos u korruptuar.

Arsyeja e dytë lidhet me mungesën e pashembullt të moralit politik dhe përgjegjësisë institucionale, ndërkohë që kur ishte President i sapovotuar nga Parlamenti pavarësisht se ende nuk mbante zyrtarisht detyrën, lëvizte anë e mbanë Shqipërisë për të përdorur një gjuhë vulgare dhe bërë fushatë elektorale për partinë e “Zonjës së Parë”. Me pak fjalë, një shfaqje e turpshme dhe e paprecedent në historinë e politikës pluraliste në Shqipëri.

Në këtë optikë, i udhëhequr edhe nga një arsyetim racional, nuk e kisha menduar që sjellja e një politikani me përvojë kaq të gjatë, të dilte jashtë pritshmërive, madje t’ia kalonte në absurditet edhe modelit më grotesk të paraardhësit të tij, që zyrën e Kryetarit të Shtetit e përdori për pesë vite si të ishte një zyre partiake ngjyrë blu në Kamëz.

Prandaj jam i prirur që rastin e fundit të mosdekretimit të Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm, pas asnjë argument dhe arsyetim, mos ta shoh thjesht si një sjellje apo qëndrim të veçuar të Presidentit të Republikës. Ky në fakt, nuk është thjesht një akt partiak apo një akt për të ndikuar te kryeministri për pazare emërimesh, siç është përfolur në media apo paralajmëruar edhe nga vetë lideri “de juro” i opozitës. Është më shumë sesa kaq. Ai është veprim për të provokuar një ngërç politik qeverisës, me shpresën se kjo do të reflektojë në pengimin e ecurisë së zbatimit të reformës në drejtësi.

Fatkeqësisht e gjithë kjo lojë politike është shprehje e vazhdimësisë së goditjes që po vektorizohet pa pushim ndaj Ministrisë së Brendshme dhe drejtimit të policisë. Kjo tregon se lufta e PD-së dhe LSI-së ndaj dy ish ministrave ka synuar pikërisht dobësimin e forcës së policisë dhe zbehjen e besimit të shoqërisë tek ajo. Prandaj ekziston mes tyre një aleancë e padukshme, si bashkim forcash për të penguar instalimin e kulturës së ndëshkueshmërisë në vend, që në fakt gjithmonë e më shumë iu ngushton lakun e mbijetesës në arenën politike, politikanëve të lidhur me botën e errët të krimit.

Ndryshe nuk ka sesi të justifikohet sjellja paradoksale e Presidentit të Republikës, as kur përcjell publikisht opinione subjektive për ish ministra e ministra të rinj, as kur qëndrimet e tij i mbështet në bindje të brendshme subjektive dhe jo në parime konstitucionale dhe parimore.

Gjuha aspak presidenciale e përdorur në intervista të stisura, për vlerësimin e portreteve të ish ministrave të kësaj mazhorance, së pari nuk është atribut i presidentit për përcjelljen në publik, së dyti dhe më e turpshmja, është vulosja me vulën e institucionit më të lartë kushtetues të diarreve politike të Petrit Vasilit dhe disa të tjerëve si ai nga aleati opozitar.

Gjithashtu, nëse i referohemi disa portaleve që kanë shpërndarë në publik lajmin se Presidenti Meta i ka kërkuar z. Sandër Lleshi një takim privat para dekretimit të tij, kjo vërteton edhe njëherë për nivelin e ulët të sjelljes institucionale të Presidentit, që në këtë rast i ngjason sjelljes së një shefi departamenti të burimeve njerëzore në një bankë të nivelit të dytë, teksa thërret në intervista të mbyllura persona për t’u rekrutuar. Kjo dëshmon përsëri sesi Ilir Meta e vlerëson rolin e tij në krye të institutionit më të lartë të shtetit, ndërkohë që atributi i tij është komplet tjetër, që t’i përcjellë parlamentit argumentat e duhura konstitucionale, nëse vërtet ekzistojnë arsye dhe motive juridike për të refuzuar procedurën e dekretimit të propozimit të bërë nga ana e kryeministrit.

Figura e Presidentit të Republikës nuk mund të përdoret kurrësesi në funksion të qëllimeve partiake, qoftë nga Ilir Meta vetë apo nga cilido tjetër politikan që në të shkuarën e ka përdorur Presidentin si instrument partiak, siç ishte paraardhësi i zotit Meta. Një sjellje e tillë cënon në thelb dinjitetin e profilit institucional që duhet të mishërojë një personalitet i cili ka marrë votëbesimin e sovranit nëpërmjet Parlamentit, për të qëndruar në majën e hierarkisë së shtetit. Kush nuk arrin ta garantojë këtë dinjitet me sjelljen e duhur institucionale në respekt të plotë të Kushtetutës, nuk meriton respektin dhe nderimin të quhet President, por thjesht një i nënshtruar prej pafuqisë së karakterit të vet për të nderuar me standartin më të lartë veten dhe bashkëkombasit që përfaqëson.

Kësisoj, asnjë argument apo interpretim teknik nuk do mund të justifikojë mungesën e dëshirës për bashkëpunim në funksion të një partie. Aq më pak të një ish-partie.

 

4 komente në “Njoftimi i Presidencës, si deklarata më e fundit e opozitës”

  1. Zigur Qarri says:

    Me gjith keto sulme ndaj Presidentit,mundet te ndryshoje ai mendim per mos dekretimin e Sander Lleshit
    si Minister të Brendshëm ne qeverine Rama,apo ndoshta kjo ka qene edhe deshira(loja) e vete Rames,qe ti
    hape rruge per ne Ministrine e Brendeshme besnikeve te Partise,Taulant Balles,Erion Braçes ,Vangjush Dakos
    apo edhe Saimir Tahirit qe doli i pafajshem ne Itali?Ne fakt,me mire se Tom Doshi dhe Gramoz Ruçi,nuk e ben
    kush punen e Ministrit te Brendeshem.

  2. Elda says:

    PRESIDENT THELLËSISHT POLITIK, PA DINJITET, DHE SHUMË I FRIKËSUAR .
    VETINGU NË POLITIKË, E TMERRON.
    RROFSHIN ALEATËT !????????????????????????????

  3. Timi says:

    Te shkarkohet hajduti! Per kete koke gjyle u vrane njerez te pafajshem ne bulevard nga lunatiku Berisha e konia e tij Basha!

  4. Kalec Dega says:

    Ne kete optike, qente lehin dhe Karvani Rama-Meta-Sali/basha ben perpara.

    Jeni qente e Rames , Metes dhe Saliut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje