Qe te mos na kap mallkimi i detit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Dr. Gafur Muka

Dihet që marrëdhënet e njeriut me natyrën kanë qenë, janë e do të mbeten problematike. Edhe pse e kanë “dashur” njëri tjetrin, ka qenë njeriu ai, që me aktivitetin e tij i ka hyrë i pari në hak natyrës. Kjo e fundit ka reaguar herë (le ta themi së pari) miqësisht, herë me indiferencë, herë me pezmatim, herë me shqetësim e, jo pak herë, me hakmarrje. Në reagimin ndaj kësaj sjelljeje të natyrës edhe njeriu herë është inkurajuar, herë është përmbajtur, herë është shqetësuar e herë është tërhequr me synimin për të patur një sjellje që natyra, së paku, të mos hakmerrej. Në këtë kuadër duhet parë i gjithë aktiviteti i sotëm për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm duke i përdorur resurset natyrore edhe me nikoqirllëk edhe me kujdesin për të mos e tepruar deri në keqpërdorim. Për këtë, aktualisht janë vënë në dispozicion fonde, me anë të të cilave angazhohen kapacitete njerëzore edhe kapacitete teknologjike, janë ndërmarrë e ndërmerren aktivitete si në planin kombëtar ashtu edhe atë rajonal e më gjerë. Në këto aktivitete përfshihet edhe hartimi e zbatimi i projekteve, synimi i të cilëve është të kurojë plagët që merr natyra nga sjellja e papërgjegjshme njerëzore. Një projekt i tillë është edhe projekti “WELCOME – WatEr LandsCapes sustainability thrOugh reuse of Marine littEr” që merret me trajtimin e mbetjeve detare dhe erozionin në bregdet. Projekti është një iniciativë e bashkëfinancuar nga Komuniteti Evropian. Aktorët e përfshirë në realizimin e tij janë Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi, ndërsa objektivi final i projektit është: rritja e bashkëveprimit ndërkufitar për mbrojtjen e peizazheve ujore”. Shtetet pjesëmarrëse kanë filluar aktivitetin faktmbledhës dhe atë koordinues për të arritur kësisoj në njohjen sa më të plotë të problematikës dhe planifikimin e masave sa më efektive në zbulimin dhe eliminimin në origjinë të burimeve që e shkaktojnë ndotjen detare dhe favorizojnë erozionin bregor.

Këtij qëllimi i shërbeu dhe Workshop-i i organizuar këto ditë në Fakultetin Gjeologji Miniera të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Pjesëmarrësit u informuan gjerësisht lidhur me gjeografinë e këtij problemi. Koordinatori i palës shqiptare, Prof. Asoc. Dr Shkëlqim Daja, në referatin e tij hyrës u ndal fillimisht në parashtrimin e fakteve që e bëjnë të domosdoshëm angazhimin në këtë projekt. Me materiale ilustrative ai tregoi atë çfarë të vret syrin kur ndodhesh në bregdet, sidomos në zonat e plazheve: mbeturinat plastike të të gjitha llojeve; atë çfarë të tremb kur deti sulmon bregun e pambrojtur: kafshimin e tokës nga uji; dhe atë çfarë duhet bërë: zbulimin e burimeve të ndotjes, ndërmarrjen e masave sa më pranënatyrore për ndalimin e kafshimeve detare dhe, në finale, hartimin e një plani veprimi për mbetjet detare në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Zonave Bregdetare në nivel rajonal.
Gjendja e sotme-theksoi referuesi- ofron realizime të tilla që nuk janë në harmoni me natyrën, psh për të penguar erozionin ndërtohen “mure” në plazhe, duke dëmtuar cilësinë e mjedisit dhe peizazhin, ndërkohë që fushatat e pastrimit kryhen me makineri, të cilat kontribuojnë ne rritjen e erozionit bregor . Këto ndërhyrje, referuesi i vlerësoi të rënda dhe të vrazhda (si ne rastin e Gjirit te Durrësit), sepse ato nuk mbështeten mbi njohuri të përshtatshme lidhur me pasojat e mundshme në mjedis dhe, po ashtu, nuk mbështeten mbi një strukturë ligjore dhe institucionale për një Menaxhim të Integruar të Zonave Bregore.

Mënyrë mbrojtjeje…e vrazhdë

Më tej ai u bëri të njohur pjesëmarrësve që puna për zbatimin e projektit “Welcome” ka filluar në prill të vitit 2018 dhe, që pala shqiptare i ka kryer te gjitha aktivitetet e parashikuara për fazën e parë të projektit. Në bilancin e këtij realizimi përfshihen: aktiviteti evidentues i zonave të mbeturinave detare dhe erozionit bregor ku do të kryhet studimi duke saktësuar plazhet e Velipojës, ato të Adriatikut të Kurbinit dhe Spillesë; ndërgjegjësimi publik për vlerat e këtij projekti i grupeve kryesore të interesit si administratat publike lokale, rajonale dhe qendrore (të cilat operojnë në zonat bregdetare), bizneset që kryejnë aktivitete social-ekonomiko-turistike, kooperativat e peshkimit, qendrat e zhytësve, menaxherët e brigjeve, grupet vullnetare dhe organizatat mjedisore.
Me gjuhën e shifrave referuesi tregoi se nga analiza e rezultateve të fazës së parë del që mbetjet detare në zonat në studim janë kryesisht materiale plastike, çfarë përkon me natyrën e këtyre mbetjeve në shkallë botërore dhe përbën një sfidë globale largimi e përpunimi. Sasia e mbetjeve detare në zonat tona të studimit është 105.1 kg/ha në Velipojë, 1640 kg/ha në Adriatik dhe 274 kg/ha në Spille.

 

Mbeturinat grumbullohen dhe… peshohen

Në vazhdim të këtij aktiviteti u mbajtën edhe pesë referate të tjera, të cilat trajtonin në mënyrë më të detajuar aspekte konkrete të problemeve që lidhen me mbetjet detare dhe erozionin bregor. Kështu referuesi Prof. Dr. Çerçiz Durmishi trajtoi sintezën e studimeve te fenomenit te erozionit detar përgjatë zonës bregdetare te detit Adriatik, nga Vlora deri në Grykëderdhjen e Lumit të Bunës-Velipojë. Pikërisht kjo analizë sintezë i shërben projektit për ta trajtuar problematikën në rajone përfaqësuese dhe për të arritur në konkluzione me rëndësi praktike.
Metodologjinë konkrete të studimit në kuadrin e projektit e trajtoi në referatin e tij Dr. Besnik Ago. Ai demonstroi disa rezultate të arritura në zonat e Adriatikut-Kurbinit, Velipojës dhe Spillesë ku është realizuar pastrimi, seleksionimi dhe identifikimi për llojet dhe sasitë e mbeturinave detare duke përdorur metodën “DeFishGear Methodology for Monitoring Marine Litter on Beaches (macro-debris > 2.5 cm). Këto rezultate vlerësohen cilësore dhe në lartësinë e kërkesave të standarteve europiane.
Në referatin e mbajtur nga Prof. Dr. Alfred Mullaj dhe Prof. Dr. Cercis Durmishi u trajtuan vlerat e biodiversitetit dhe gjeodiversitetit të ekosistemit të plazhit dhe sistemit të dunave litorale ranore të zonës bregore të deltës së lumit Shkumbin. Rezultatet e këtij studimi i shërbejnë projektit si një model i realizuar me sukses, kryesisht për erozionin bregor.
Në vazhdim, në referatin e Prof. Asoc. Dr. Aida Bode trajtohej edukimi mjedisor i komuniteteve në lidhje me sjelljen e tyre ndaj mbeturinave urbane, të cilat gjejnë përhapje dhe depozitohen në ekosistemet e plazheve dhe dunave bregdetare. Referuesaja shtroi problemin e një edukimi me përhapje sa më të gjerë në rrafshin e popullatës (duke e vënë theksin kryesisht tek nxënësit e shkollave të cikleve të ndryshme) sa më eficent në rrafshin e informacionit dhe sa më praktik në rrafshin e aktivitetit.
Në mbyllje Dr. Monika Hoxhaj referoi mbi problemet e legjislacionit për trajtimin e mbeturinave detare duke informuar përputhjen e tij me kërkesat dhe standardet europiane.
Pjesëmarrsit e vlerësuan këtë Workshop si një veprimtari mjaft të dobishme për të vazhduar më tej në rrugën e realizimit me sukses të projektit “Welcome”, këtij projekti ndërrajonal me ndikim në përmirësimin e cilësisë së turizmit të ofruar në brigjet e Adriatikut dhe me marrjen e masave për ta ruajtur kafshimin e bregdetit nga erozioni bregor. Natyrisht synohet që të mos vijë ajo ditë që natyra të hakmerret duke e degraduar apo asgjësuar turizmin për shkak të pranisë së mbeturinave detare apo duke na e rrëmbyer bregdetin nëpërmjet erozionit bregor.

Pamje që vret jo vetëm syrin por edhe dëshirën për të pushuar këtu
 Deti e kafshon bregun e pambrojtur
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *