"Politika dhe një milion të heshturit"

7 Nëntor 2018, 13:20Blog TEMA

Nga Bedri Islami

Në shënimin e tij analitik, “Kufiri 1-milionësh i ndryshimit”, Eduard Zaloshnja, hulumtuesi i njohur, pasionuar pa shifrave, çka rrallë herë mashtrojnë, sjell disa të dhëna joshëse për lëvizjet e votuesve në vitet e fundit, çka e dërgon më pas atë drejt mendimit të një mundësie të krijimit të një force të re politike.

A janë dëshmuese shifrat në këtë rast dhe çfarë duhet sqaruar?

Në vitin 2013 afërsisht 400 mijë njerëz nuk morën pjesë në votime. Në zgjedhjet e vitit 2017 munguan rreth 500 mijë votues. Ndërsa tani, sipas hulumtimit të tij, çka e besoj se është serioz, mund të mungojnë rreth 600 mijë vetë.

“Këto shifra tregojnë, shënon Zaloshnja se në shoqërinë shqiptare po ndodhin ndryshime sasiore, të cilat mund të sjellin dikur një ndryshim cilësor, daljen e një force të re që do të përfaqësojë pikërisht njerëzit që nuk e gjejnë veten as tek PS-ja e as tek PD-ja dhe satelitët e tyre”.

Ideja e një force të re politike është e kahershme.

Në ditët e fundit është e dyta herë, të paktën kaq kam lexuar unë, që zoti Zaloshnja, e mbështet idenë e tij për ndërrimin e pushtetit përmes një force të re, duke u nisur pikërisht nga numri i njerëzve që nuk marrin pjesë në votim.

Këtu është një e dhënë që mungon. Cila?

Ky numër, që rritet dhe që mund të shkojë drejt 1 milion të heshturve, përfshin të gjithë votuesit, brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, apo vetëm ata që janë banues në Shqipëri, të cilët kanë mundësi praktike të votojnë, por që nuk duan të jenë pjesë?

Vetëm nga rrugica ku banon familje ime në Shkodër, rreth 120 metra e gjatë, janë të larguar mbi 40 vetë mbi moshën 18 vjeçare.

Po të ishin në Shqipëri, unë do e dija me saktësi se cilët do të votonin majtas, cilët djathtas dhe cilët asaj dite nuk do e prishnin gjumin.

Në fakt, ideja e një force të re, përmbysëse të sundimit të tashëm politik nga dy parti, edhe pse e shtruar prej kohësh, edhe pse e mirëpritur, ka para vetes shembuj trishtues.

Çfarë tregon përvoja e deri tashme me partitë e reja që u shfaqën në horizont, nganjëherë si fillim shprese dhe që u shuan pa ndezur asgjë?

Ku ndryshon Blushi nga Rama? Askund ose pakkund! Dy miq të ngushtë, që e hodhën tej miqësinë, për hir të politikës që i ndau, por që nuk i kishte bashkuar. Blushi, sapo iu hap një rrugë tjetër, rikthim në media, braktisi partinë që e krijoi vetë dhe me anë të së cilës donte të sillte një raport të ri të politikës me njerëzit.

Ku ndryshon Bojaxhiu nga Basha?  Askund ose pakkund.

Të dy të thirrur nga qeverisja Berisha, njëri nga SHBA, tjetri nga zyrat hetimore të UNMIK-ut  në Prishtinë. Njëri zevendësministër, tjetri ministër.

Bojaxhiu mblodhi rreth vetes një grup intelekatualësh të rinj, shumica me të shkuar politike në PD, si Hasimja etj. Basha drejtoi KOP-in, që në fakt u bë pushteti pas babait.

Bojaxhi, jo në përmasat e Bashës, është ndër njerëzit e pasur në Shqipëri, dhe, ashtu si ndodh me Bashën, pasuria e tij rrjedh bashkë me vjehrrën, si e Bashës me vjehrrin.

Çfarë po ndodh me partinë që krijoi? Pak kush e di. Ndoshta as ai vetë.

Është forcë e re ajo që solli në postin e kryetarit Shpëtim Idrizin? Në të gjithë çamët, që i respektoj, jo vetëm nga vuajtjet, por edhe nga lidhjet familjare, më i pabesueshmi është Idrizi. Lëvizja e tij politike është: deputet i PS-së, pastaj i PD – përsëri deputet në krah të PD-së – shkon tek PS – jashtë parlamentit- PD. Ndërkohë 4 deputetët e tij të tashëm rrahin majtas.

Asnjë nga partitë, të cilat dolën si rrjedhje nga të vjetrat, nuk dhanë shenjën e duhur të dinjitetit.

Aleancistët e Cekës, edhe pse kërkonin në fillim hapjen e dosjes së Berishës, që e akuzonin si agjent serb, edhe pse mbi tanke kërkonin dëbimin e tij, kur erdhi rishtas dita e rikthimit në pushtet të Berishës, përtypën gjithçka, u bënë ministra, shefa kabineti, ambasadorë, këshilltarë politikë, deputetë.

Njëlloj si “kuqaloshët” e Pollos.

E gjithë kjo histori ndarje e bashkimi, shkrirje dhe ngrirje, hapje e mbyllje, anetemimi dhe puthje, gjithnjë brenda llojit, sjell një dëshmi:

Një forcë e re politike nuk mund të dalë nga e vjetra.

Një forcë e re politike duhet të jetë krijesë e re, nga zanafilla e saj.

Çka është e vështirë.

Njerëz të rinj, me ide të rëndësishme dhe vizion europerëndimor gjenden, hapësira është e pakët.

Duhet të ndryshojnë rregullat e lojës. Dhe ata hapen kur ngrirja e ndryshimeve kushtetuese të mos u japë në duar dy partive të vjetra gjithë të drejtat e sundimit të mëtejshëm.

Një forcë e re , e ngritur nga krahët e së vjetrës, shpesh herë, në mos gjithnjë, kthehet nga vendi i nisjes.

1 komente në ““Politika dhe një milion të heshturit””

  1. katarakti says:

    Duke pare spektrin politik ne Shqiperi une mendoj se ka mbetur vend edhe per nje parti politike te majte. Pse?! Sepse ka shume te zhgenjyer nga qeverisja e Rames. Rama e ka spostuar PS-ne ose Rilindjen, siç ka qef ai ta quaje, drejt qendres. Vete Rama nuk eshte i majte. Kjo u duk qe kur ai shpalli platformen e tij:”pertej se majtes dhe se djathtes”. Hezitimet e Rames per te bere drejtesi ndaj shkaterruesve te shtetit shqiptar, vrasesve te 21 janarit, si dhe prirja e tij per te nenvleresuar arritjet 45 vjeçare te regjimit te kaluar, meritat e luftes nacionaçlirimtare dhe tolerimin e figurave kolaboracioniste, kane shkeputur nga ai nje pjese te rendesishme te elektoratit tradicionalisht te majte. I cili perben shumicen konstante te popullsise gjate ketyre 28 vjeteve te fundit. Prandaj jam i mendimit se nje parti e re qe mund te renditet ndermjet dhe ne mes te PS-se dhe partive komuniste, mund te fitonte ndofta deri 10 deputete ne zgjedhjet e ardhshme legjislative. Ndersa persa i takon krahut te djathte aty tablloja eshte e plotesuar me parti te tilla si Legaliteti, Balli Kombetar, Partia e Bamir Topit, Republikanja, pa folur per PD-ne. Ndersa LSI-ne eshte ne rrugen e shkermoqjes. Por qe vullneti zgjedhesve te respektohet mendoj se eshte domosdoshmeri qe te ndryshohet sistemi zgjedhor. Pra nga ai proporcional i mbyllur te kalohet ne ate mazhoritar me korrektim proporcionali. Ky do te ishte nje hap i fuqishem perpara ne respektimin e vullnetit te popullit. Se me sistemin e tanishem kemi vetem sulltaner ne krye te partive dhe deputete eunuke, pa dinjitet, pa kapacitet, kulture dhe reputacion.Turpi i botes. Prandaj, mendoj se ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet te jete kerkesa kryesore e shoqerise civile sot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje