Futbollisti që braktisi Kosovën për Shqipërinë: Kalova depresion, ja pse pranova ftesën e Shqipërisë

8 Nëntor 2018, 19:48Sport TEMA

Një ndër emrat që ka spikatur në listën e Christian Panuccit sa i përket dy ndeshjeve të radhës për Shqipërinë ka qenë Ardian Ismajli, veç Loret Sadikut. Kuqezinjtë do të grumbullohen për dy sfidat e radhës: ndaj Skocisë në Elbasan, e vlefshme për Ligën e Kombeve dhe ndaj Uellsit, takim miqësor ky.

Pasi i ndjeri Fadil Vokrri, ish-presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, kohë më parë do të udhëtonte në Kroaci për të bindur mbrojtësin premtues të vishte fanellën e përfaqësueses dardane, tashmë është vetë lojtari ai që ka marrë vendim të pranojë ftesën kuqezi. Ismajli në ndeshjet e fundit ishte kapiten i Kosovës U-21, ndërsa po shkëlqen te Hajduk Spliti në Kroaci.

Në Kosovë, ky lajm sigurisht është pritur me shumë habi, pasi askush nuk e kishte menduar se Ismajli do të vendoste të luante për Shqipërinë, pasi zgjodhi Kosovën më parë.

Mbrojtësi, që deri tani nuk ishte prononcuar kurrë gjatë, ka dhënë një intervistë për “24sata.hr”, duke rrëfyer historinë se si rrodhën ngjarjet: “Menjëherë pas telefonatës së Panuccit, vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, por nuk doja të lija shokët te Kosova U21 deri në përfundim të kualifikueseve. Ishte një cikël që duhej të mbyllej. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë”.

Ismajli rithekson se vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë është edhe një aprovim i familjes. “Jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar. Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën U21…

Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi. Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku. Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Nations League”.

Ismajli ka një karrierë të ngjashme me Etrit Berishën, pasi e ka nisur te skuadra e 2 Korrikut, në Prishtinë, ndërsa agjenti i tij është ai i portierit, Elver Raça.

Depresion – Sigurisht, Ismajli ka kaluar mes peripecish dhe e rrëfen këtë gjë për portalin kroati. “Në jetën time kam vuajtur shumë, por Zoti më ka dhënë forcë për të punuar dhe qetësi. Gjithmonë kam qenë profesionist, duke i realizuar mirë detyrat e mia, por Kopiç nuk kishte besim tek unë.

I jam mirënjohës trajnerit Vuliç, i cili më mbështeti që nga dita e parë. Diskutuam shumë bashkë dhe më premtoi që do të më jepte një shans. Shpresoj ta kem justifikuar besimin e tij”.

Ismajli tregon se i ka kërkuar trajnerit Kopiç së nëse nuk e ka në plane të shkojë në një ekip tjetër ku mund të luajë. Mbrojtësi rrëfen momentin e vështirë: “Kam qenë në depresion, por e kam përballuar këtë situatë me ndihmën e prindërve, sidomos të babait tim. Ai më inkurajoi të jem i durueshëm, të stërvitem dhe të pres mundësinë time. Tani ajo u shfaq”.

Merkato troket dhe interesimi për 22-vjeçarin është i madh, por ai është i qartë në dëshirën që ka: “Më parë, mendova largimin, por tani është një situatë krejtësisht e re. Do të shoh se çfarë do të vendosin klubi dhe trajneri. Jam këtu për të bërë më të mirën tim dhe për të ndihmuar ekipin sa më shumë të mundëm”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje