Ngecjet në njohje, pasojë e konfuzionit politik brenda Kosovës

8 Nëntor 2018, 10:45Rajoni TEMA

Si pozita ashtu edhe opozita i fajësojnë akterët shtetërorë për moskoordinim për t’i bërë ballë fushatës së shtetit serb kundër integrimit të Kosovës si dhe fajësojnë Ministrinë e Punëve të Jashtme për mostrasparencë si në procesin e lobimit ashtu edhe në raportimet për tërheqje të njohjeve.

Ministria e Punëve të Jashtme ka demantuar deklaratat e liderëve të Serbisë se disa shtetet kanë tërhequr njohjet duke i konsideruar si gënjeshtra por, sipas tyre, për të siguruar njohje të reja, para vetes kanë një “barrierë” e ajo është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në procesin e dialogut me Serbinë.

Ndërsa si pozita ashtu edhe opozita i fajësojnë akterët shtetërorë për moskoordinim për t’i bërë ballë fushatës së shtetit serb kundër integrimit të Kosovës si dhe fajësojnë Ministrinë e Punëve të Jashtme për mostrasparencë si në procesin e lobimit ashtu edhe në raportimet për tërheqje të njohjeve.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të integrimeve konsiderojnë se ideja e shkëmbimit të territoreve e ka kthyer shtetin e Kosovës në pikën zero të lobimit të saj dhe të sigurimit të njohjeve të reja, sipas tyre është urgjente ndryshimi i diskursit të bisedimeve sepse në të kundërtën do të ketë pasoja.

MPJ: Nuk ka tërheqje të njohjeve, së shpejti priten njohjet e reja

Numrin e vogël të njohjeve gjatë vitit e ka arsyetuar Fatmir Haxholli, këshilltar i ministrit Behgjet Pacolli, duke thënë se në këtë vit Kosova ka arritur të sigurojë dy njohje dhe janë duke punuar në drejtim të sigurimit të njohjeve të tjera.

«Në një periudhe jo të largët do të sjellim njohje të reja. Nuk mund të flasim me emra apo me gjeografi, sepse Serbia do të përfshihej në anti-fushatë, por mund të pohojmë që nuk jemi larg arritjes së njohjeve të reja. Dialogu dhe njohjet kanë një lidhje të mundshme të drejtpërdrejtë, ajo është që arritja e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse ndërkombëtarisht dhe ligjërisht obligative për Kosovë dhe Serbi, hap mundësinë e pranimit në OKB, dhe rrjedhimisht edhe përmbylljen e procesit të afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë», tha ai për KALLXO.com.

Sipas Haxhollit, raportimet për tërheqje të njohjeve janë gënjeshtra sepse Kosova asnjëherë nuk ka pranuar diçka zyrtare dhe sipas tij kjo do të duhej të alarmonte Brukselin.

«Kosova asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë akt të dytë juridik të tërheqjes së njohjes, nga asnjë nga vendet nga të cilat fillimisht ka pranuar aktin njohës. Ndoshta keqpërdorimi i emrit dhe i reputacionit të vendeve për të cilat deklarohet Serbia do të duhej të adresohej në organizata universale si shkelje e akteve juridike universale dhe si shkelje Konventës së Vjenës. Në Evropë kjo do të duhej ta alarmonte Brukselin, i cili synon që të përafrojë politiken e jashtme të vendeve të Ballkanit me politiken e vet të jashtme dhe të sigurisë», tha ai.

Rënia e njohjeve, pasojë e neglizhencës së diplomacisë kosovare

Elmi Reçica, deputet nga PDK dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka thënë për KALLXO.com se diplomacia kosovare ka pasur një përfaqësim të pakoordinuar të politikave shtetërore.

«Nuk kemi një koordinim të duhur të politikave të jashtme mes akterëve shtetëror duke filluar nga presidenti, qeveria, ministria e Punëve të Jashtme, si dhe Kuvendit. Do të duhej që Kuvendi t’i shfrytëzojë maksimalisht grupet e miqësisë që janë me shtete të caktuara që diplomacia jonë të jetë sa më proaktive sa i përket mbajtjes së kontakteve me shtetet që na kanë njohur dhe t’u qaset atyre shteteve që ne mund të llogarisim në njohje. Është një neglizhencë e jona por në radhë të parë Serbia është duke investuar jashtëzakonisht shumë që ta pengoj Kosovën në njohje dhe  anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare», tha ai.

Sipas Reçicës, dialogu Kosovë-Serbi do të duhej të ishte një lehtësim por «shteti serb e ka keqpërdorur atë».

«Dialogu Kosovë-Serbi do të duhej të jetë lehtësim për të dërguar sinjale që jemi për raporte mes dy shteteve të pavarura, por fatkeqësisht Serbia si gjithmonë tregon se është lehtë të nënshkruajë marrëveshjet por nuk i zbaton kurrë”, tha ai duke shtuar se komisioni parlamentar ku ai bën pjesë asnjëherë nuk ka marrë konfirmimin nga Ministria e Punëve të Jashtme për tërheqje të njohjeve.

 Kurteshi: Bisedimet pa kusht kanë ndikuar në rënien e numrit të njohjeve

Ismajl Kurteshi deputet nga VV, dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrime, tha se të gjitha këto janë pasojë e keqqeverisjes së tanishme dhe qeverisjeve të kaluara.

«Mosnjohja është rezultat i keqqeverisjes së kësaj qeverie dhe qeverive si dhe moskryerjes së punës mirë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në këtë kanë ndikuar edhe bisedimet pa asnjë kusht me Serbinë dhe derisa udhëheqësit e lartë shkojnë në bisedime pa asnjë kusht duke i mundësuar Serbisë rrugë me të lehtë evropiane«, tha ai.

Tutje, sipas Kurteshit, shteti serb ka filluar një fushatë intensive kundër Kosovës për tërheqje të njohjeve.

«Serbia bën hapur propagandë intensive jo vetëm kundër njohjeve të reja por edhe për zhbërjen e njohjeve aktuale si nga shtetet e veçanta poashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare siç është aktualisht Interpoli dhe siç ka qenë përpara UNESCO, kështu që krejt kjo çfarë po ndodhë është rezultat i qeverisjes së keqe kosovare», tha ai.

Kurteshi tregoi se përkundër faktit që komisioni për integrime e ka ftuar disa herë në raport Ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacollin ai nuk ka gjetur kohë për të raportuar.

Ideja për shkëmbim të territoreve ka ndikuar në numrin e njohjeve

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka vlerësuar se përmendja e idesë për korrigjimin e kufijve ka ndikuar që edhe më shumë të shkaktohet konfuzion si në sferën politike vendore poashtu edhe në atë ndërkombëtare.

«Çnjoha nuk mund ta cenojë ekzistimin e shtetësisë së një vendi i cili vazhdon të ketë tri elementet bazë të shtetësisë: territorin, popullsinë dhe ushtrimin e sovranitetit shtetëror. Diskursi rreth idesë së shkëmbimit të territoreve ka shkaktuar konfuzion të skenës politike vendore si dhe mosunifikim të faktorit ndërkombëtar mbi këtë pikë», tha ai për KALLXO.com

Tutje Kryeziu idenë për korrigjim ka cilësuar si një shuplakë për vendet të cilat e kanë njohur Kosovën brenda kufijve të cilët edhe ka shpallur pavarësinë.

«Nuk është dashur të hapet kjo temë, që ka penguar fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe ka rikthyer rolin e Serbisë si vend përcaktues në definimin e shtetësisë së Kosovës, kjo është shuplakë fytyrës për 116 vende qe kane njohur Republikën e Kosovës në këta kufij. Ajo qe kemi parë si rezultat i dialogut numri i njohjeve ka filluar dukshëm te bie. Në vitin 2012 kemi pas 12 njohje, në vitin 2017 kemi pasur 2 njohje dhe vitin 2018 kemi pasur 1 njohje. Pra me këtë diskurs të bisedimeve do të ketë vazhdimisht rënie të numrit të njohjeve», tha ai.

Ndërsa Lekë Batalli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se diskursi i tërheqjes së njohjeve mund të ketë pasoja politike në rrafsh ndërkombëtar sepse forcon argumentin e kontestimit të shtetësisë së Kosovës që e ka Serbia.

«Pavarësisht vërtetësisë së deklaratave të Serbisë, ajo e detyron Kosovën që të bëjë veprime më të thella për të bindur të gjithë se nuk është e vërtetë – pra Serbia arrin qëllimin e saj duke mos lejuar Kosovën të zhvillojë një politikë të jashtme proaktive. Gjithashtu, lobimi i i Serbisë e bën më të vështirë mobilizimin e një përkrahje më të madhe në rast se aplikojmë për anëtarësim në njërën prej organizatave ndërkombëtare», thotë Batalli.

Ai tha se Kosova duhet ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Serbinë, në rast se Serbia vazhdon me këtë sjellje armiqësore ndaj Kosovës.

(dp/kallxo.com)

 

 

1 komente në “Ngecjet në njohje, pasojë e konfuzionit politik brenda Kosovës”

  1. Baliu says:

    Jo ngecje, por kthim mbrapa. Ambasadori britanik n’tu Kosov* konfirmon se disa shtete tashme e kan terheqe njohjen e pavarsise se Kosoves, edhe pse “nderi i kombit” Behxhet Pacolli vazhdon te genjej per konsum te brendshem se nuk ka terheqje. E kur vet liderrat e tu Kosovs* angazhohen 24/7 per ndarje te saj me shtetet fqinje, krejt e natyrshme terheqja e njohjeve. Por i “madhi” Hashum Taqi do ta ndaje Kosoven ne Paris me nje nenshkrim, para se shum shtete do te mund ta terheqin njohjen, pra do ta marrin ‘shah mat’ nga Lopari i Brojes – modern prostident.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje