Noam Chomsky: Sovranizmi, kura e gabuar për një problem real

12 Nëntor 2018, 13:20Bota TEMA

Më 7 dhjetor, një prej linguistëve më të mëdhenj mbush 90 vjeç. Si intelektual i së majtës radikale, Noam Chomsky shpjegon arsyet që çuan në një valë sovranizmi dhe pse është e gabuar t’u thuash fashistë kundërshtarëve të së majtës, si Trump (që sipas tij është më i rrezikshëm se Hitleri). Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Chomsky kritikon ashpër qëndimin e administratës Trump për ndryshimet klimatike dhe ndalet te rëndësia e lirisë së shprehjes dhe ku duhet të jenë kufijtë e saj nisur nga raste si ai i revistës satirike “Charlie Hebdo” në Francë.

Më 7 dhjetor ju mbushni 90 vjeç. Cila do të donit të ishte dhurata juaj e ditëlindjes?

Çdo gjë do ta pranoja, përveçse një mandati të dytë për Trumpin. Kështu që shpresoj të shkojnë keq zgjedhjet e mesit të mandatit. Kam shpresa te të rinjtë si Aleksandria Ocasio-Cortez, e cila vjen si pasuese e Bernie Sanders dhe vlerësoj përpjekjen e saj për t’i drejtuar Shtetet e Bashkuara drejt një demokracie sociale funksionale për më shumë punë, shëndetësi dhe arsim.

Më shumë sesa Obama, Sanders përfaqëson thyerjen me shekullin e kaluar në historinë e politikës amerikane. Ai e filloi garën praktikisht si një i huaj, ai nuk kishte mbështetje nga mediat dhe kur përmendej, kjo bëhej vetëm për ta kritikuar ose denigruar. Ai nuk kishte asnjë mbështetje financiare nga individë të pasur privatë apo kompani të mëdha dhe, pavarësisht kësaj, shkoi shumë pranë fitores në zgjedhjet primare të Partisë Demokratike. Dhe ndoshta edhe do të kishte fituar, po të mos ishte për makinacionet e menaxherëve të koalicionit Obama-Clinton.

Tashmë pas një dekade lëvizjesh të së majtës radikale, në pushtet  janë të djathtët, që njihen për qëndrimet antiglobaliste. A është ky një paradoks?

Kjo më duket një sintezë ekstreme dhe e pasaktë. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh është gjë tjetër. Programet e vjetra “shtrënguese” të liberalëve janë refuzuar nga disa formacione të qendrës, dhe në disa raste janë shembur. Atyre të qendrës iu dolën krahët, në të dy drejtimet. Në SHBA Sanders, më pas Trump; dhe diçka e ngjashme me të majtën ndodhi edhe me Jeremy Corbyn në Angli. Në Europë, qendra e djathtë dhe e majta e qendrës, të cilat shpesh ngjajnë me njëra-tjetrën, kanë pësuar rënie ose janë zhdukur, dhe elementët “garniturë” tashmë dominojnë. Nuk është faji apo merita e së djathtës, nëse forcat e qendrës kanë dështuar. Diçka e ngjashme ndodhi në Bavari disa ditë më parë, ku partia që është rritur më së shumti janë Të Gjelbrit.

Tashmë në Europë jemi në stinën e sovranistëve…

Është i kuptueshëm presioni për sovranitetin kombëtar, një nga defektet kryesore të BE-së, një problem real. Vendimet themelore nuk merren në nivel kombëtar, ku njerëzit mund të bëhen pjesë, por nga burokratët në Bruksel, njerëz të pazgjedhur, të cilët nuk i përgjigjen opinionit publik, punojnë me bankat e Veriut që kontrollojnë lëvizjet e tyre: kjo çon në zgjedhje që janë të dëmshme për popullin. Ekziston një studim i një ekonomisti amerikan, Mark Weisbrot, mbi mënyrën se si Fondi Monetar Ndërkombëtar në kontestet me vende të veçanta dëshiron të zvogëlojë përfitimet sociale dhe mirëqenien, duke rritur fitimin privat. Përgjigja e saktë, megjithatë, nuk është për t’u kthyer te bankat kombëtare, siç thonë sovranistët, por t’i shikojmë avantazhet e Bashkimit Europian në një kondvështrim multinacional, duke eliminuar transferimin e pushtetit vendimmarrës të përfaqësuesve të pazgjedhur, për ta çuar drejt një sistemi më demokratik dhe pjesëmarrës në jetën ekonomike , sociale dhe politike të vendeve, çka është qëllimi i lëvizjes Diem25, Lëvizja për Demokraci në Evropë 2025, e  Yanis Varoufakis dhe Jeremy Corbyn.

Jeni shumë i ashpër me Trump, por shpesh keni thënë se nuk duhet quajtur fashist…

Termi fashist tashmë përdoret për të etikuar sjelljen e keqe, dhunën dhe shtypjen, fyerjen e kundërshtarëve politikë. Por shpesh përdoret shumë lehtë: sepse fashizmi ishte një lëvizje me politika specifike, ekonomike dhe sociale, që punonte në lidhje të ngushta me pushtetin qendror, duke pushtuar shtetin. Nuk është kjo ajo që po ndodh në Amerikën e Trump-it, e cila më godet për një aspekt tjetër: tërheq vëmendjen e mediave, si të atyre që e mbështesin atë si dje edhe sot; si ata që e sulmojnë si mediat liberale që përpilojnë listën e gënjeshtrave të tij. Ai po arrin dy objektiva: pëlqimin e elektoratit real dhe atë të elektoratit votues. I pari përbëhet nga biznesmenë të fuqishëm dhe individë të pasur, dhe gjithashtu përfshin interesat e pronarëve të pasurive të paluajtshme. Këto janë fuqitë për të cilat Trump është kategorik. Sidoqoftë, meqenëse i duhen edhe votat e masës, ai përqendrohet në ndjenjat patologjike, tipike të periudhave kur njerëzit janë të zemëruar, të zhgënjyer, të dekurajuar për arsye që qëndrojnë. Dhe ky është ai elektorati që e voton.

Chavez pati kurajën të dilte kundër SHBA-ve, por ndoshta mbështetja që gëzonte nga disa parti të majta dhe intelektualët ndoqi një logjikë të ngjashme me atë të Luftës së Ftohtë. Armiku i armikut tim është miku im.  

Sot rreziku nuk është më bomba atomike, por katastrofa klimatike. Ne kemi jetuar nën hijen e zezë të energjisë bërthamore deri në Luftën e Ftohtë. Është mrekulli që mbijetuam. Por unë nuk e di nëse do të ketë një mrekulli të dytë, me katastrofën e afërt të klimës dhe cinizmin e vendeve si SHBA-të. Një shembull? Dokumenti i prodhuar nga Departamenti i Transportit i administratës Trump propozon heqjen e kufizimit të emetimeve të gazrave të makinave dhe autobusëve, që përdorin lëndët djegëse. “Sido që të jetë, jemi të dënuar me katastrofë”. Në fund të shekullit, temperatura globale do të rritet me 3- 4 gradë, niveli i deteve do të rritet, shumë njerëz do të vdesin. Por ata që mbështesin Trump nuk ndalen: “Shkarkimet e gazrave të karburantit përbëjnë një pjesë të vogël, kështu që pse të mos ngasim makina lirisht për aq kohë sa të mundemi?” Ata thonë: Le ta shijojmë këtë planet para se të shkatërrohet.  Gjëja më e çmendur është supozimi i tyre themelor: “Të gjithë janë të pandershëm e të çmendur si ne! Ne nuk do të bëjmë asgjë për t’u marrë me këtë fatkeqësi të afërt dhe askush tjetër nuk do ta bëjë këtë, kështu që jemi të mbaruar dhe le të mos e vrasim mendjen”.E gjithë kjo është frut i burokracisë, aq sa duket si një homazh për Kafkën. Unë nuk mendoj se mund të gjejmë një dokument në historinë njerëzore që arrin këtë nivel të keqdashjes përfundimtare”.

As te “Lufta ime” e Hitlerit?

“Jo, sepse ai nuk synonte shkatërrimin total të jetës shoqërore të organizuar. Në Amerikë ka një përhapje të kulturës mohuese mbi klimën, nëpërmjet një gjuhe të ngjashme me atë të Orwellit në vitin 1984, mendimi dypolar, përqendrimi i dy të vërtetave kontradiktore në një koncept të vetëm. Ata e quajnë “të menduarit kritik”, por është mohim dhe refuzim. Këshilli Amerikan për Shkëmbim Legjislativ është një shoqatë që avokon në shkollat publike këtë lloj “të menduarit kritik”: nëse një vit flet për rreziqet e ndryshimeve klimatike, atëherë duhet të gjejmë hapësirë për tezat e atyre që janë kundër kësaj teorie. Fëmijët mësohen të mendojnë në mënyrë kritike duke i dhënë të njëjtin peshë mendimit të 99% të shkencëtarëve me atë të apo gjashtë skeptikëve që punojnë për kompanitë e mëdha? Ky është mendimi dypolar i Orwellit. Kjo vlen edhe për raste të tjera. P.sh. nëse flet negativisht për ata që qeverisin Izraelin, të akuzojnë për antisemitizëm.

A mendoni se i duhen vënë kufij satirës? E kam fjalën këtu për karikaturat kundër islamit.

Nuk mund të jem absolut në këtë aspekt. Liria e shprehjes dhe satirës duhet kufizuar vetëm nëse qëllimi i saj është të provokojë një veprim të paligjshëm. Përndryshe duhet mbrojtur gjithnjë, edhe nëse nuk je dakord me të. Po marr një rast ekstrem, “Charlie Hebdo”, redaksia e të cilës u bë pre e një atentati terrorist për karikaturat që vinin në lojë Muhamedin. Kur është fjala për satirë duhet të dallojmë vënien në lojë të të fuqishmit, e cila është gjithmonë e mire, dhe poshtërimin e të shtypurve, që është e padobishme. Nëse satira franceze tallet në këtë mënyrë me afrikano-veriorët e ikur nga rajonet e goditura nga Franca… Eh, kjo është e diçka e poshtër, është vilgaritet. Megjithatë, liria e satirës duhet mbrojtur si një vlerë shumë e lartë.

Si e shihni lëvizjen e re feministe #MeToo?

Nuk duhet të jetë, dhe nuk është, një histori e lidhur vetëm me Hollivudin. Këto janë kërcënime të rrezikshme dhe reale që gratë e zakonshme, sidomos gratë, por jo vetëm, i vuajnë në vendin e punës, në komunitetin e tyre, në familje. Janë probleme reale dhe të rëndësishme që duhet të trajtohen me ndershmëri, shoqëria duhet të merret me to. Por ekziston edhe një rrezik tjetër: ai që disa akuza mund të shkatërrojnë jetën, reputacionin dhe karrierën e një personi, edhe nëse akuzat nuk janë konfirmuar. Mbrojtja e disa të drejtave nuk mund të dëmtojë të drejtat e tjera, siç është mbrojtja e pafajësisë. Është një vijë shumë e hollë që i ndan, por është shumë e rëndësishme ta respektojmë.

Me këtë valë moralizmi ekziston rreziku që të arrijmë deri aty sa të dënojmë edhe filmat e Woody Allen për akuza të paprovuara për nagcmime seksuale.

Akuzat ndaj tij janë esktremisht të vështira për t’u provuar. Janë çuar në gjyq e më pas janë hedhur poshtë. Duhet të jemi të kujdesshëm me akuza të këtij lloji, mund të shkatërrohet jeta dhe karriera e një njeriu. Woody Allen është shembulli i përkryer për të kuptuar potencialin e këtij rreziku.  / Marrë me shkurtime nga Corriere Della Sera-TemA TV /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje