Jari vendos të bëhet shahist në vend të Doktorit

14 Nëntor 2018, 18:07Antena TEMA

Deklarata e ish-kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli, se vendin e kanë marrë peng 4 shahistë, të cilët duhen hedhur në kanal, ka shkaktuar pështjellim të madh tek demokratët.

Sepse nuk do shumë mend për të kuptuar se 4 burrat për të cilët flet Jozefina, janë Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Kjo është hera e parë që ajo e akuzon gati drejtëpërdrejt Doktorin, që nga koha që Lulzim Basha nuk e kandidoi si deputete në zgjedhjet e 2017-ës, ndaj Jari e mori shumë seriozisht:

“Ku e gjeti edhe kjo sot që ta bëjë këtë sulm, sepse nuk po dimë ku të përqëndrohemi më parë, tek beteja epike e komandantit të Përgjithshëm për të mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, apo tek paniku që ka shkaktuar arratisja e Nikolla Gruevskit në Hungari, pasi e dënuan me burg në Shkup”, mendoi i mërzitur.

Por befas i shkrepi një ide, prej të cilës i shkëlqyen sytë, dhe pa humbur kohë u nis të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari iu informon!

E keni gabim që mendoni që Jozefina ka pasur parasysh edhe Doktorin kur ka thënë se vendin po e mbajnë peng 4 shahistët, sepse nuk është ashtu siç duket.

Për 3 të parët keni të drejtë, ata janë, po për të katërtin jeni keqkuptuar.

Sepse ai nuk është Doktori, por jam unë.

E para, se Jozefina nuk do të guxonte kurrë ta shante njeriun që e mori nga rruga dhe e bëri udhëheqëse të partisë sonë për 20 vjet rresht, se do të shkelte mbi veten dhe karrierën e vet.

Andej nga Jugu, prej ku jam edhe unë, i thonë që do t’i shkonte gjithë jeta dëm.

E dyta, se po ta bënte këtë, do t’i binte poshtë e gjithë teoria se e keqja më e madhe e opozitës së Partisë Demokratike është Lulzim Basha, dhe se ajo e kishte pikasur këtë gjë që ditën kur ai kishte zbritur nga avioni që e sillte nga Holanda.

Sepse po të ishte edhe Doktori te ajo listë, i bie që për hallet që e kanë zënë partinë tonë, Luli ose nuk ka faj fare, ose ka vetëm një pjesë të vogël të tij.

Sepse ne të gjithë e dimë që Doktori nuk të lë mundësi të gabosh shumë kur është i parë vetë.

Por që të bindeni tamam se shahisti i katërt jam unë, po ju jap këto prova.

1-Doktori nuk di të luajë fare shah, ndaj nuk ka si të jetë.

Është njësoj si me atë arbitrin që e shanë vlonjatët në kor nga motra, por rezultoi që ai nuk kishte motër fare dhe u shkoi kot e gjitha.

Kurse unë e kam mësuar shahun, që kur ishim në shkollën “Skënderbej” me Fred Pezën.

2-Jozefina është bërë xheloze me mua, për shkak të protagonizmit tim kohët e fundit, sepse ka thënë në një vend “ku u ba edhe ky me e qujt ish-president, pa qenë asnji ditë president”.

Ajo me sa duket ma ruan ende inatin që i zura vendin, por unë nuk i pata faj atëherë, sepse nuk desha vetë, por atje më caktoi Doktori.

3-Po të hidhej në kanal edhe Doktori bashkë me të tjerët, për Jozefinën nuk do të kishte më perspektivë në politikë, se nuk do të kishte më askush ta thërriste që të dilte nga shtëpia dhe as t’i hapte derën.

Kurse po të bija unë, përveç kalamajve dhe gruas, nuk do të mërzitej njeri tjetër.

4-Nëse njerëzit do të hidhnin në kanal Edi Ramën duke kujtuar se kështu do të shpëtonin edhe nga Doktori, unë do të sakrifikohesha pa asnjë dhimbje për të rënë në vend të tij, megjithë vështirësitë fizike që kam.

Sepse pastaj Doktori nuk do të kishte më asnjë pengesë që të fitonte prapë e të na mblidhte edhe një herë të gjithëve.

Mbase në atë rast mund të gjendej ndonjë vend edhe për Jozefinën, me gjithë baltën që ka hedhur kundër nesh kohët e fundit.

Ndaj mos i humbni shpresat, se asgjë nuk është ashtu siç duket.

Fitorja po afron.

I juaji, Jari!”

1 komente në “ Jari vendos të bëhet shahist në vend të Doktorit”

  1. Shaba says:

    Kjo puna e shahut ne politike eshte krijese e Rames. Duke pare qe Rama ua ka marre doren dhe fiton me lehtesi ndaj Bashes dhe Likes, Jari para gjumit vrau mendjen se pse ndodh kjo. Basha dhe Likja mendoi ai jane me te zgjuar se Rama. Basha ka mbaruar shkollat e perendimit ndersa Likja shkollen e jetes, ndersa Rama eshte nje piktor i lajthitur. E vrau aq shume mendjen sa nuk vuri sy ne gjume gjithe naten.
    Shyqur mendoi, qe nuk fle ne nje krevat me gruan se do e kishja lene dhe ate pa gjume, nga perpelitjet dhe ofshamat ne krevat. Por befas kerceu nga krevati dhe thirri: e zbulova te verteten. Nuk eshte mencuria, por hilet qe Rama ben. Jo me kote thone qe Rama e genjen Lulin me karamele. E genjen Lulin sa here qe luan shah. I premton karamele dhe Lulin e le vete Ramen te fitoje. Edhe me Liken perdor te njejten taktike. Duke qene se Likja pelqen floririn, Rama sa here qe luan i jep paraprakisht nje grusht me “gjela”. Likja si ekspert I floririt llogarit shpejt e shpejt vleren e monedhave dhe pergjithesisht ja fal lojen Rames. Kur nuk eshte i kenaqur me vleren e caktuar, kundershton dhe luan eger me te, por duke qene se ai eshte thjeshte nje shtangist Rama e mund ate me pak mundim. Problematik eshte Sala. Ai nuk merr vesh nga shahu por edhe Rama e shmang ate me lezet. Si malesor qe eshte, Sala e mendon politiken si princip, njelloj si Xhozefina dhe jo si shah,prandaj me Ramen jane marre vesh: me lere rehat te te le te qete. Kjo nuk eshte mire per opoziten sepse nuk ka kush ta mundi Ramen ne shah. Prandaj ai i kerkoi llejen Sales qe ndeshjet e tij me Ramen ti luaj ai vet JJari Presidenti. Une thote ai shokevete vet nga Presidenca,jo vetem qe kam mesuar shah qe nga shkolla Skenderbe por jam nje luftetar “perpete mobile”. Me levizjet e mija te papritura do e mund Ramen. Eksperienca ime ne ndryshimin e shpejte nga komunist ne demokrat apo nga Enverist ne Ballist do jja beje mendjen corbe Rames. Mos te mendoj Rama qe do me bleje me karamele apo flori.Une jam si Donald Tramp, I pasur qe skam nevoje per para. Per mua e rendesishme eshte qe Shqiperine ta bej “great again “si ne kohen e Enverit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje