Sipërmarrjet e reja janë thelbësore për të ardhmen e Evropës dhe më gjerë

14 Nëntor 2018, 16:22Ekonomia TEMA

Nga Mariya Gabriel, komisionere e BE-së për Ekonominë dhe Shoqërine Digjitale

Çdo epokë ka industrinë e saj emblematike: pas kompanive hekurudhore, fabrikave të makinave, transmetuesve radiofonikë dhe televizivë, si dhe kompanive ITC, kjo është tani koha e sipërmarrjeve të reja.

Çfarë i bën ato kaq emblematike dhe të ndryshme nga kompanitë e tjera, duke përfshirë edhe një NVM që përdor teknologjitë digjitale? Vlerat që janë të rrënjosura në ADN-në e tyre, të cilat janë në përputhje me kohën tonë digjitale dhe shtrojnë udhën për të ardhmen tonë.

Së pari, sipërmarrjet e reja janë për nga natyra ambicioze. Fati i një sipërmarrjeje të re është që të rritet, nëse është e mundur, në një mënyrë të vrullshme, me objektivin përfundimtar për t’u bërë globale dhe në qendër të ekosistemit të tyre. Nëse është e mundur, edhe ta dominojnë atë.

Së dyti, sipërmarrjet e reja janë këtu për t’i ndryshuar gjërat, për të bërë një dallim, për të ndrequr problemet që nga lëvizshmëria deri te ndryshimet klimatike ose ndërlidhja e njerëzve. Shikoni “Spotify” apo “Blablacar”, për të përmendur histori suksesi të sipërmarrjeve të reja të famshme. Të dyja filluan pothuaj në të njëjtën mënyrë: themeluesit kishin një ide që u takua me një nevojë konkrete dhe reale të konsumatorëve.

Së treti, drejtimi i një sipërmarrjeje të re është një veprimtari me rrezik të lartë dhe dështimi është gjithnjë më i sigurt se fitorja. Por frika nga dështimi është më pak e rëndësishme sesa gatishmëria për të mësuar prej tij, si një mënyrë për t’u afruar më shumë me suksesin.

Së fundi, sipërmarrjet e reja janë një burim i madh frymëzimi për të gjithë ne. Mitologjia e sotme ka të bëjë me njëbrirësha dhe heronj që kanë luftuar ditë e natë në garazhin e tyre për të shkatërruar gjigantë të mëdhenj.

Natyrisht, ekonomia jonë moderne është shumë më tepër se sipërmarrjet e reja, por ato janë guri i provës i kapacitetit tonë për ta shfrytëzuar sa më mirë revolucionin digjital. Në fund të fundit, ato janë thelbësore për të siguruar shfaqjen e kampionëve evropianë digjitalë të së nesërmes, të cilët janë thelbësorë për të mbajtur hapin me garën teknologjike dhe për të siguruar që e ardhmja jonë bazohet në vlerat tona.

Këtu duhet të pranojmë se Evropa po përballet me një sfidë shumë të madhe dhe nuk po ia del edhe aq mirë: midis 266 njëbrirëshave të listuar në botë në vitin 2018, vetëm 13 janë evropianë, që përfaqësojnë më pak se 3% të vlerës totale të tyre. Shumica dërrmuese e tyre janë kinezë ose amerikanë. Dhe duke parë shifrat e fundit të kapitalit të riskut, tendenca nuk është pozitive: kapitalet e riskut të disponueshme në Evropë përfaqësojnë vetëm 20% të kapitalit të disponueshëm në SHBA.

Kjo duhet të jetë një zile alarmi për të gjithë ne, që të bëjmë më shumë dhe më mirë për të nxitur rritjen e sipërmarrjeve tona të reja evropiane.

Së pari, ne duhet ta bëjmë tregun unik një realitet: asnjë biznes i ri nuk mund të rritet në Evropë me nivelin aktual të fragmentimit, pengesave dhe pasigurisë ligjore në shtetet anëtare. Me bashkë-ligjvënësit ne duhet të vendosim të gjithë energjinë tonë për t’i bërë 60 nismat e tregut unik digjital një realitet në muajt në vijim.

Së dyti, ne duhet të sigurojmë që investime të mjaftueshme publike dhe private janë në dispozicion për të financuar zhvillimin e rrezikshëm të sipërmarrjeve të reja. Përtej planit Juncker, ne bëmë një propozim shumë të guximshëm si pjesë e MFF-së së ardhshme, me një propozim të Programit të Evropës Digjitale prej 9 miliardë Eurosh në fushën e AI-së, kibernetikës dhe HPC-së. Ne tashmë mund të shohim se financimi po fillon të rrjedhë, duke përfshirë edhe vendet e Lindjes. Investimi në fazën e hershme është rritur nga 10 në 283 milionë në vetëm pesë vjet. Më lejoni të marr shembullin e Bullgarisë. Fondi Evropian i Investimeve ka nënshkruar 11 marrëveshje me ndërmjetësuesit financiarë, çka do të nxisë 1.2 miliardë Euro në investime dhe do të financojë rreth 7000 kompani – kryesisht NVM. Fondet rajonale evropiane po përdoren gjithashtu për ta ndihmuar biznesin që t’i qaset financimeve, për të krijuar shërbimet e duhura këshillimore të biznesit, si dhe për të mbështetur specializime inteligjente rajonale. Për shembull, grupimi bullgar TIK apo i telekomunikacioneve është një fushë ku ne mund të shkëlqejmë si vend. Kjo është arsyeja pse fondet kërkimore të BE-së po i ndihmojnë novatorët bullgarë digjitalë. Qendrat e Inovacionit Digjital, siç është ajo në Parkun Teknologjik të Sofjes, kanë filluar t’i ndihmojnë NVM-të që ta përmirësojnë biznesin e tyre dhe t’ia përshtatin atë moshës digjitale. Dy qendra të tjera, dy në Sofje dhe një në Varna, po krijohen. Një shembull konkret i sipërmarrjeve të reja që ka përfituar nga mbështetja e BE-së është “Coursedot”, tregu vendor i trajnimit IT nga Sofja mori 100.000 Eurot e tij të para nëpërmjet “Eleven Ventures” me mbështetjen e Fondit Evropian të Investimeve.

Por disponueshmëria e financave nuk mjafton: menaxherët e sipërmarrjeve të reja duhet të kenë qasje në një përzierje njohurish për të nxitur reagimin mes inovacionit dhe financave. Këtu nis projekti “Startup Europe”. Ai ka ndihmuar

më shumë se 700 sipërmarrje të reja evropiane për të pasur qasje në financa nga investitorët gjatë tre viteve të para të ekzistencës, duke i ndihmuar ata të tërheqin 160 milionë Euro në investime private. Ky projekt i financuar nga BE-ja kontribuon gjithashtu për shtrirjen e kulturës sipërmarrëse: nëpërmjet veprimtarive në bazë në të gjithë Evropën, mijëra profesionistë të rinj dhe studentë kanë mësuar se është e mundur të fillohet një biznes në Evropë dhe si ta krijojnë dhe ta rrisin projektin e tyre.

Më 15 nëntor, në Sofje, Evropa ka një takim të rëndësishëm me sipërmarrjet e saj të reja, për të bërë një vlerësim, si dhe për të parë përpara. Së bashku me kryeministrin Borisov, unë do të drejtoj samitin e katërt “Startup Europe”, i cili do të mbledh 500+ aktorë kryesorë nga “ekosistemi” i sipërmarrjeve të reja evropiane, duke përfshirë novatorët më të mirë evropianë me investitorët, median dhe BE-në, si dhe politikëbërësit kombëtarë.

Për sipërmarrësit, kjo është një mundësi e mirë për t’u shoqëruar me njerëzit që ndërtojnë ekonominë e re evropiane, si dhe për të identifikuar mundësi ose projekte të reja financimi. Për hartuesit e politikave si unë, ky do të jetë një rast i shkëlqyer për të dëgjuar botën e sipërmarrjeve të reja, për të dëgjuar projektet e tyre dhe idetë e tyre se si t’ia dalin mbanë edhe më mirë.

Gjithashtu, jam veçanërisht e kënaqur që këtë vit kemi një fokus të veçantë në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe në rajonet e Ballkanit Perëndimor, që do të përfaqësohen fuqishëm në Samit, si në nivel biznesi ashtu edhe në atë politik. Do të ketë shumë diskutime konkrete se si të ankorohet dinamizmi dhe kreativiteti i sipërmarrjeve të reja në këto rajone me nismën e BE-së dhe me Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor, të cilën e prezantova qershorin e kaluar. Rajoni ka pasuri të mëdha, me grupin e tij të madh të njerëzve të talentuar me aftësi të forta ICT, një komunitet sipërmarrjesh të reja që po rritet në mënyrë dinamike, si dhe me infrastrukturën e tij që po përmirësohet me shpejtësi, me ndërlidhjen dhe afërsinë me tregjet e mëdha.

Nga Beogradi në Prishtinë, është shfaqur një rrjet qendrash të sipërmarrjeve të reja. Më shumë se 1200 sipërmarrje të reja në të gjashtë vende dhe shifrat janë në rritje. Shembujt përfshijnë “CarGo”, “Nordeus” dhe “Strawberry Energy”. Me qëllim që të konsolidohet ky rrjet në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe në Ballkanin Perëndimor, unë do të prezantoj samitin “Startup Europe” për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe “Startup Europe” për rrjetet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarët e këtyre partneriteteve nga 14 vende po angazhohen për të lehtësuar lidhjet mes sipërmarrjeve të reja brenda rajonit, për të nxitur edukimin mbi sipërmarrjen për krijim e sinergjive, si dhe për të rritur disponueshmërinë e financimit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të siguruar që “kontinenti

evropian i sipërmarrjeve fillestare” të përfshijë plotësisht pjesën lindore të Evropës, si dhe Ballkanin Perëndimor.

Duke parë sfidat e ardhshme për ta bërë Evropën një kontinent të sipërmarrjeve të reja, më vjen në mendje një frazë. “Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal: është guximi për të vazhduar ai që ka rëndësi”. Nëse Winston Churchill do të ishte ende gjallë, nuk do të befasohesha po ta shihja të drejtonte një sipërmarrje të re. Sidoqoftë, kjo fjali është ende një burim frymëzimi dhe reflekton shumë mirë faktin që Evropa mund të gjejë në rrënjët e saj të thella një pasuri thelbësore për të pasur sukses në frontin e sipërmarrjeve të reja: një frymë të pashuar luftarake dhe besim në të ardhmen.

1 komente në “Sipërmarrjet e reja janë thelbësore për të ardhmen e Evropës dhe më gjerë”

  1. ????? says:

    Shtetet e BE-së janë bashkuar për tu pasuruar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje