Denoncim i ri ndaj Gentjan Osmanit, Komisioneri Publik apelon vendimin e konfirmimit

16 Nëntor 2018, 09:46Kronika TEMA

Një denoncim i ri sipas Komisionerit Publik i paraqitur në nëntor vë në dyshim figurën dhe profesionalizmin e prokurorit Gentjan Osmani. Komisioneri Publik ankimoi në KPA vendimin për konfirmimin e Prokurorit të Krimeve të Rënda, duke kërkuar shkarkimin e tij. Konfirmimi nga KPK u kundërshtua edhe prej ONM.

Nga Vladimir Karaj

Duke u bazuar kryesisht në vërejtjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) dhe pas një analize të vetën, Komisioneri Publik Darjel Sina apeloi vendimin për konfirmimin në detyrë të Prokurorit të Krimeve të Rënda Gentjan Osmani dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit Shkarkimin e tij.

Sina po ashtu njofton në ankim se një denoncim i ri nga publiku i rregjistruar në nëntor pranë këtij institucioni dhe ONM-së mund të ndryshojë vlerësimin për Osmanin edhe në kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë të profesionalizmit. Për këto dy kritere deri tani nuk kishte dyshime.  Komisioneri  kërkon që denoncimi të shqyrtohet nga KPA, ndërsa thotë se edhe bazuar në gjetjet e hetimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ai duhej të shkarkohej.

“Gjithashtu pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, protokolluar me nr.*** datë ***.11.2018, nga ana e ONM-së është përcjellë një denoncim nga ana e publikut, i cili bazuar në nenin 53 të ligjit nr.84/2016, ndër të tjera parashtron fakte dhe rrethana të cilat meritojnë vëmendjen e Kolegjit, pasi nga hetimi dhe vlerësimi tërësor i tij, në varësi të rezultateve të hetimit mund të përbëjë shkak për vlerësimin edhe për dy kriteret e tjera, atë të figurës dhe aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit”, thuhet në ankim.

Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 9 gusht prej trupës gjykuese të kryesuar nga Firdes Shuli, Roland Ilia relator dhe Pamela Qirko anëtare. KPK e gjeti atë të përshtatshëm në të tre kriteret. Megjithatë thuajse menjëherë pas konfirmimit ONM i kërkoi Komisionerit të ankimonte vendimin. Në qëndrimin e tyre përfaqësuesit ndërkombëtarë arritën në përfundime të ndryshme nga ato të KPK-së duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi pasuritë e prokurorit dhe justifikimin e tyre.

Komisioneri bazuar edhe te vërejtjet e ONM-së dhe shqyrtimin e dokumentacionit mbi të cilin është marrë vendimi i KPK-së, argumenton se Osmani duhej të shkarkohej. Në ankimin që i paraqitet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik shkruan “Nisur nga rezultatet e hetimit dhe vlerësimit të Komisionit, Komisioneri Publik konstaton se përfundimet nuk janë në pajtueshmëri me aktet dhe provat e administruara”.

Sipas Komisionerit “Subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kontrollin e pasurisë” dhe KPA-së i kërkohet që të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të vendosë për shkarkimin e tij.

Ankimi i Komisionerit është bazuar në hetimin administrativ në kriterin e pasurisë. Komisioneri Publik thotë në vendim se duke u nisur nga të njëjtat prova që kishte shqyrtuar KPK, vendimi duhej të ishte i ndryshëm.

Sipas komisionerit Osmani nuk kishte mundur të provonte të kundërtën e gjetjeve të hetimit të KPK-së dhe se argumentet e tij kishin qenë deklarative dhe nuk duhej të ishin marrë parasysh nga KPK.  “Provat e paraqitura prej tij për të provuar të kundërtën, nuk janë të mjaftueshme për të rrëzuar rezultatet e hetimit”.

Duke u nisur fillimisht nga vlerësimi i ligjshmërisë së një huaje 20 mijë euro marrë nga një i afërm emigrant Komisioneri thotë se megjithëse KPK e kishte pranuar atë si burim të ligjshëm, Osmani “nuk ka paraqitur asnjë dokument ligjor justifikues, i cili të vërtetojë dhe provojë marrëdhënien e huas, palët apo mënyrën e marrjes dhe shlyerjes së saj”. Komisioneri Sina vë në dukje se nuk kishte asnjë të dhënë mbi mënyrën se si ishte marrë kjo hua.

Po ashtu sipas Komisionerit nuk është provuar se huadhënësi i kishte mundësitë ekonomike. Në këtë pikë qëndrimi i Sinës është i ngjashëm me atë të ONM-së, kur vlerëson se të ardhurat e provuara të huadhënësit duke u nisur nga zona ku ai banonte mjaftonin vetëm për siguruar kushte minimale jetese.

Komisioneri vë në dyshim edhe aftësitë e Gentjan Osmanit për të kthyer siç ishte deklaruar huanë. “Konstatojmë gjithashtu se subjekti, në analizën financiare të paraqitur në përgjigje të rezultateve të hetimit administrativ, ka paraqitur fakte të ndryshme nga çfarë ka deklaruar në deklaratat periodike vjetore”, thuhet në ankim.

Duke rrëzuar argumentet ekonomike të paraqitura prej  Osmanit, Komisioneri vlerëson se prokurorit i mungonin rreth 3 milion lekë për të justifikuar shpenzimet e jetesës, pagesat e huasë, kursimet e mbajtura në bankë dhe në shtëpi dhe këstet e kredisë.

Sipas Komisionerit argumentet e Osmanit për të justifikuar kursimet nuk qëndronin, duke arritur në përfundimin se ato ishin të qëllimshme për të mbuluar diferencat. “Këto mospërputhje të subjektit në deklarimet periodike vjetore dhe argumentimi i diferencave vetëm gjatë procesit të hetimit administrativ, vlerësojmë se kanë për qëllim justifikimin e diferencave të konstatuara nga Komisioni në mbulimin e pasurive me të ardhura të ligjshme dhe nuk mund të shërbejnë për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, thuhet në ankim.

Ankimi për dhurimin dhe pagesën e kësteve të apartamentit

Komisioneri Publik thotë në ankimim se Osmani nuk kishte justifikuar mjaftueshëm as dhurimin e marrë nga bashkëshortja prej prindërve të 1.5 milion lekëve. Sina thotë se duke u nisur nga fakti që bashkëshortja e Osmanit ishte po ashtu subjekt deklarues nëse kjo shumë ishte kursim i saj siç pretendohej ajo duhej të ishte deklaruar prej saj në vitet e mëparshme.

Po ashtu sipas Komisionerit prindërit e bashkëshortes nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar dhurimin. “Sa më sipër, veç faktit se dhurimi nuk rezulton të jetë konfirmuar dhe provuar si fakt i pretenduar, mbetet i pajustifikuar ligjshmëria e burimit të krijimit të kësaj shume të dhuruar”, thuhet në ankim.

Komisioneri thotë se Osmani nuk mund të justifikonte edhe një shumë prej rreth 700 mijë lekësh në vitin 2009 bazuar në pagesën e një kësti 32.680 mijë euro për apartamentin. Sina rrëzon pretendimin e prokurorit se kjo shumë ishte paguar për gjatë gjithë vitit 2009 edhe pse fatura ishte prerë vetëm një herë në fillim të tij.

Në arsyetim Komisioneri thotë se pretendimi i Osmanit dhe i kompanisë ishte në nivel deklarativ dhe se KPK në këtë rast duhej të kishte kontrolluar librat e llogarisë së kompanisë për të provuar vërtetësinë e këtij pretendimi.

“Komisioneri Publik vlerëson se argumentet që paraqet shoqëria në përgjigje të subjektit të rivlerësimit mbeten të nivelit deklarativ dhe nuk shërbejnë për të vërtetuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, thuhet në ankim.

Komisioneri thotë se “provat dhe argumentet e dhëna nga subjekti vetëm pas njoftimit për rezultatin e hetimeve dhe kalimit të barrës së provës” nuk ishin të mjaftueshme për të rrëzuar rezultatet e hetimit.

Në fund Komisioneri rendit tre shkaqe që i cilëson përcaktuese për të rrëzuar si të padrejtë vendimin e KPK-së. Sipas tij “nuk provohet dhe vërtetohet ekzistenca e marrëdhënies së huas (20 mijë euro), si dhe mundësia financiare e personit tjetër të lidhur”, “nuk provohet dhurimi në shumën prej 1.500.000 lekë”. Po ashtu Komisioneri thotë se bazuar në analizën financiare edhe nëse dy shumat e mësipërme merren të mirëqenë, përsëri Osmanit i mungonin burimet e ligjshme për vitet 2005-2013. Komisioneri thotë se Osmani rezultonte me minus 3.760.305 lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje