INTERVISTA: “Para se të të them… Të dua!”, rrëfehet gazetari që i shkruan dashurisë

16 Nëntor 2018, 16:55Kulturë TEMA
INTERVISTA: “Para se të të them… Të dua!”,

Nga Luçiano Golemi

Vargje me doza të forta sinqeriteti, që të bëjnë ta rrokësh librin me një frymë dhe si në paçudi, para se të lexosh poezinë vijuese, i thua vetes: “Hej, kjo duhet rilexuar”.

Dhe kështu nis vijëzon fjalë, lexon me zë të lartë vargje që të trokasin e të zhveshin nga kompleksiteti i ditëve të zhurmshme, shfleton çdo faqe dhe qetësia mbërrin në fund. Kjo është magjia e poezisë, asaj të vërtetës, me tinguj mbërthyes dhe efekt determinues për shpirtrat e trazuar dhe të lirë gjithashtu.

Një shkrimtar i ri, guxon, guxon pikësëpari të afrohet në qoshkun e të vërtetës, të paqtës dhe emocioneve që na brofin nga vendi, nga fjalët e natyrshme që rrjedhin prej poezisë. Këtë zhanër për dreq a merak shkrimtarët e rinj nuk e zgjedhin shpesh, kjo për shkak të sentencave të gatshme që sjell letërsia komercialiste, ajo e enturazheve copy-paste apo subjektet e njëjta me personazheve të maskuar që shfaqen me kopertina të reja, si për të na hedhur hi syve.

Dhe këtu shfaqet guximi, veçmas talenti i Andrea Dangllit, gazetarit dhe shkrimtarit premtues, që siç shkruan në parathënie Sadije Agolli, nëse bashkëshorti i saj Dritëro do të ishte ende fizikisht mes nesh, do të thoshte me krenari:

“…ja, doli një poet i ri nga Menkulasi ynë. Ky poet 23-vjeçar po sjell mënyrën e tij duke përdorur fjalorin e kësaj periudhe dhe duke i kthyer në fjalë poetike edhe fjalët e zakonshme. Ja, kjo është poezia e vërtetë…”

Andrea, falëminderit që pranuat ftesën time për intervistë. Ju njohim si gazetar aktiv, ndërkohë së fundmi po na prezantoheni me një libër edhe si poet. Ka ndonjë gjë që ende nuk dimë rreth jush?

Së pari, falëminderit juve Luçiano për vëmendjen që i kushtoni letërsisë në këto kohë aspak të favorshme për të. Për mua gazetaria dhe letërsia ndahen nga një kufi shumë i hollë, të cilin aq sa jam mundur ta respektoj për ta mbrojtur, po aq edhe e kam përdorur në funksion të njëra-tjetrës. E përditshmja në media, ti e di që doemos na vendos përballë mori ngjarjesh të cilat duhet të përcillen tek njerëzit. Unë përpiqem që përpos raportimit klasik, t’i shoh edhe me syrin letrar personazhet që takoj, të përcaktoj modelin që sjellin në shoqëri, fenomenin që përfaqësojnë apo çfarë mesazhi mund të përçojnë. Deri tani këto dy pasione dhe misione kam zgjedhur të bëj publike, mbase ndonjë ditë e them me shaka se do shfaqem si peshkatar në ndonjë anije meqë e adhuroj peshkimin.

Duke shfletuar librin, vërej një pasion të madh për letërsinë, sa i hershëm është për ju? Si e gjykoni që mjaft të rinj ndajnë tjetër mendim nga sa i përket librave?

Më pushton një gjendje ankthi dhe frike kur dëgjoj se pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk lexojnë libra. Është një lloj ankthi për të tashmen ku gjendemi dhe një lloj frike për të ardhmen se si do jetë. Këtë nuk e them se jam unë i apasionuar pas leximit dhe t’u imponoj të tjerve sjelljen time, por e sjell në vëmendje për të kërkuar më tepër përgjegjësi shoqërore dhe institucionale që t’i rikthejmë njerëzit tek libri. Injektimi me leximin duhet të vijë nga prindërit, shkolla, oraganizatat kulturore, klubet letrare dhe të tjera instrumente në bashkëpunim me njëra-tjetrën. Pa harruar këtu edhe median e cila bën mirë të pasqyrojë vlera dhe jo t’u tregojë të rinjve “Ujkun e Cërrikut” dhe 40 shokët e tij.

I kujtohet Andreas poezia e parë, mund ta dimë se cila ishte ajo?

Puthja dhe poezia e parë nuk harrohen edhe aq lehtë. Kujtoj që kanë qenë vargje disi naive për atdheun si detyrë në klasë të gjashtë. Tani që përpiqem t’i risjell ndër mend, kuptoj se në sytë e një fëmije bota duket disi më origjinale.

“…Atëdhe, ngjyë e artë,
Po ikin bijtë refugjatë,
Ikën se si mban ngrohtë,
Dhe lenë pas, veç dhimbje e lotë…”

Në atë kohë vargjet e kësaj poezie u botuan në disa revista letrare për fëmijë duke më bërë të ndjehem disi i privilegjuar në sytë e mësuesve, shokëve/eve të shkollës dhe lagjes ku banoja. Qëlloi që ishte një reflektor i mirë për rrugën që zgjodha të ndjek.

Si dhe kur lindi pasioni për të shkruar?

Të jem i sinqertë, e shkruara ka lindur si një detyrim edhe pse s’kam një datë apo orë për ta shënuar. Detyrat e para letrare të shkollës, mi punonte nëna ime për shkak të ndikimit që kishte emigrimi në shtetin grek. Mësueses i bënin përshtypje dhe nisi të më identifikonte dhe prezantonte si “talent”. Nga sedra nisa t’i punoj vetë detyrat për t’i shpëtuar ndonjë përqeshje në klasë duke u dashuruar spontanisht me artin e të shkruarit. Këtë histori që sot më bën për të qeshur, para pak kohësh kam pasur kompleksitet për ta rrëfyer. Gjithësesi, e vërteta është e vërtetë dhe duhet thënë një ditë.

Libri juaj i parë që prezantohet në panair titullohet: “Para se të të them…Të dua!”

Pse zgjodhe poezinë, një ndjesi brendie apo një “trik” për t’u afruar me lexuesin disi ndryshe?

Si kërkesë e vazhdueshme e miqve që të vija me një libër, mendova të prezantohem para lexuesve fillimisht me vargjet. Shumë thonë se poezia është jashtë mode sot, por unë e konsideroj si një fenomen natyror që nuk më pyet mua se kur vjen dhe ku. Ajo është si puna e vullkanit që shpërthen dhe llava duhet kanalizuar. Ashtu edhe poezia, vjen në makinë, rrugë, mbledhje, zyrë dhe duhet kanalizuar në copëza letre. Uroj që panairin tjetër vullkani të ketë shpërthim edhe më të madh se ky i këtij viti.

Sa kohë ju është dashur për ta shkruar e kuruar librin para së të shihte dritën e botimit?

Për të shkruar një libër, gjykoj se nuk ka segmente kohore të përcaktuara. Ai mund të nisë në çdo moment, mund të ndalet për një perjudhë, mund të rifillojë sërish dhe fundi kurrë nuk i parashikohet. Këtë fat ka pasur edhe krijimtaria ime modeste e cila ka ardhur në kohë të ndryshme si rezultat i nevojës për t’u rrëfyer dhe shfryrë diku. Të jem i sinqertë, ky libër mund të ishte botuar vite më parë por gjithnjë kam dashur të mos i bashkohem xhunglës së botimeve ku gjithkush që posedonte dëshirën dhe gjen paratë mund të nxierrë një libër në treg. Ndaj edhe prita që të krijoja bindje duke u konsultuar edhe me njerëz të fushës për të ardhur me këtë botim modest.

Poezia e parë me të cilin nis libri i dedikohet pikërisht nënës, ju mes të tjerash, shkruani:

“Të qarat e djepit nisin prapë të klithin…

Lëmoj gishtërinjtë e butë që më shëruan,
Ata që plagë bekojnë sa herë që i lidhin,
Ata që për të nesërmen nga gjumi më zgjuan.”
Një “shpërthim” emocionesh, si nisën të shkruhen këto vargje?

Jeta e njeriut nis nga nëna dhe jeta e një libri nuk ka më bukur se të nisë nga ajo. Na ndodh që kur bëjmë bilancet e kohës që kemi jetuar, nëna qëndron në krye edhe pse shumë njerëz ikin dhe vijnë. Ajo është gjithnjë aty për ty, duke pritur të kthehesh. Dhe s’ka më bukur se këtë kthim ta bësh qoftë duke i dhuruar një libër që nis me dashurinë ndaj saj.

Mes poezive qe ke shkruar, diferencon ndonjë që ka një vlerë disi më të veçantë për ty?

Edhe unë bëj pjesë te grupi i krijuesve që nuk e kam të lehtë të bëj diferencime dhe të bëj një zgjedhje. Edhe nëse do ta shfletojmë librin së bashku, do shohësh që do përzgjedh disa.

“Para se të të them…Të dua!” pse ky titull Andrea?

Unë mendoj që “Para se të të them…Të dua!” është më e rëndësishme se thjesht “Të dua!”. Kur mbërijmë te kjo e fundit, kemi kaluar në një kalvar mjaft të gjatë. Kemi gjetur dashurinë, kemi investuar tek ajo, kemi besuar, ëndërruar dhe më pas kemi artikuluar para patneres/it ca nga ato fjalët e filmave dhe përrallave. Në fakt

Ka mesazh të fshehur mes atyre vargjeve, pasi thuhet se poetët janë mjeshtrat e gjuhës së koduar?

Po, mesazhe fshihen edhe në pyetjet e tua edhe në përgjigjet e mija. Poezia është e bukur sepse ka misterin brenda, nëse s’do ta kishte atëhere mund ta konsiderojmë si bejte ku gjithçka është më e drejtpërdrejtë.

Jam kureshtar, si e percepton dashurinë një shkrimtar?

E di që mbase lexuesit presin që unë të flas për yje që bien, hënë që fshihet dhe petale trëndafilash që i merr era. Përtej letërsisë, këto nuk janë edhe aq të rrënjosura në karrakterin tim sa mund të duken mes vargjesh. Mendoj se kraharori rreh njëlloj te çdo njeri dhe i vetëmi ndryshim është koha kur pompon, njeriu që e shkakton dhe mënyra se si shprehet apo përshkruhet. Për mua përveçse dridhje gjunjësh dhe shtërngim në gjoks, është edhe nevojë, pritje, respekt, mirënjohje apo mirëkuptim. Gjithësesi, kureshtarëve që duan të dinë më tepër se si e preceptoj unë dashurinë i ftoj të shfletojnë librin. (qesh)

Para se të të them… suksese, ky libër nuk do të ngelet vetëm, do pasojë edhe nga të tjerë apo jo?

Nëse do të vazhdojë të pritet mirë “Para se të të them… Të dua!” ashtu si këto tre ditë në panair, natyrisht që do të përpiqem që të jem sa më pranë lexuesve. Besoj se në të ardhmen e afërt, do të mund të kopsis disa shënime të hershme që kanë në bosht një histori mjaft interesante jo shumë larg Tiranës. Është nga ato historitë që edhe pse i kemi fare pranë, nuk i kemi njohur kurrë.

Një mesazh për lexuesit…

Padyshim që ka libra shumë herë më të fuqishëm së imi dhe shkrimtarë më të dashur. S’kam qëllim të ulem në fronin e kurkujt, thjesht përmes këtij vëllimi dua të rrëfej kodin tim të ndjenjave që kushdo e ka të shkrirë në ADN-në e tij dhe e shpreh në mënyra të ndryshme. “Para se të të them… Të dua!”, është kodi i parë që prezantoj dhe sugjeroj që mes librave të tjerë, të mundohen të gjejnë kohë edhe për të. Unë besoj se nuk do t’i zhgënjej pasi kam punuar shumë që të vij më një botim që do t’i rrezistojë viteve.

Faleminderit për intervistën, suksese! /Lexo.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje