Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Gentian Trenova

19 Nëntor 2018, 19:16Kronika TEMA

Trupa gjykuese e KPA vendosi në dhomë këshillimi kundër apelit të ish-prokurorit Gentian Trenova, duke lënë në fuqi vendimin e KPK-së që e shkarkon atë.

Nga Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi unanimisht të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur për shkarkimin e prokurorit Gentian Trenova.

Trupa e kryesuar nga Ina Rama, me relatore  Natasha Mulaj dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, shqyrtoi çështjen në dhomë këshillimi dhe la në fuqi vendimin e marrë më 20 qershor nga KPK.

“Në përfundim të gjykimit, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht:    Lënien në fuqi të vendimit nr. 25, datë 20.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Gentian Trenova”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e shpërndarë nga KPA.

Trenova u shkarkua në qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi u shqyrtua në të tre kriteret, ndërsa u cilësua i papërshtatshëm në dy prej tyre.

Sipas vendimit të zbardhur të KPK, Trenova nuk kishte aftësitë minimale, ndërsa është penaliziuar pas pushimit të hetimeve për një rast të dyshuar për pasuri të paligjshme në Gjirokastër dhe pushimin e hetimeve për një koleg prokuror, të dyshuar për marrje rryshfeti.

KPK thotë se gjeti në të dyja rastet se Trenova nuk kishte kryer hetime të plota. Trenova u mbrojt duke thënë se në rastin e parë, kallëzimi nga policia nuk kishte qenë i plotë, ndërsa në rastin e dytë, “hetimet e kryera në momentin e marrjes së vendimit të pushimit kishin qenë të plota”.

Ish-Prokurori po ashtu u gjet me një mori problemesh edhe në deklarimin e pasurisë. Në vendimin e zbardhur, KPK shprehet se ai nuk kishte qenë në gjendje të justifikonte pasuritë, kishte bërë deklarim të rremë, kishte ndërmarrë veprime fiktive, kishte pamjaftueshmëri të ardhurash për blerjen e një apartamenti, mungesë burimi të ardhurash në vitin 2007, kishte mosdeklarim të gjendjes së parave kesh e të ngjashme.

Trenova ishte pjesë e listës prioritare të vetingut, për shkak të zgjedhjes së tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai mbaroi Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2002 dhe në vitin 2005 u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë e më pas në Apel. Shkarkimi i tij solli reagime nga politika. Përfaqësues të opozitës e cilësuan atë si sulm nga kryeministri.

Trenova apeloi vendimin, por KPA të hënën ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit. KPA deri tani nuk ka rrëzuar asnjë vendim të marrë nga KPK.

1 komente në “Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Gentian Trenova”

  1. Genci says:

    Trenova shko te goca dajes te japi ndonje lek

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje