Jari i shpjegon zbythjet e opozitës si tërheqje taktike!

30 Nëntor 2018, 18:36Antena TEMA

Sot ishte dita e fundit e nëntorit dhe bilanci politik i opozitës ishte aq përtokë, saqë Jarit i dukej se më mirë kishte qenë më 29 nëntor 1944, kur kishte ardhur në pushtet Enver Hoxha. 

Solli në mendje ngjarjet më të rëndësishme dhe vetëm 10 ditët e fundit kishin ndodhur 3 zbythje shumë të rënda që e kishin çuar në zgrip moralin e demokratëve.

Kishte nisur me tërheqjen e Komandantit të Përgjithshëm nga mosdekretimi i Sandër Lleshit, megjithëse u ishte betuar me jetë si Fahri Balliut, ashtu edhe Qim Pekës, e kishte dredhur në fund.

Kishte vijuar më Doktorin, i cili pasi e kishte sulmuar ashpër policen që u plagos me kapsollë nga protestuesit e Astirit, në darkë e tërhoqi postimin si legen i vogël. 

Pas kësaj, police Ina shkoi të kurohej me ceremoni në Stamboll, kurse Doktorit i ngeli vetëm që e kishte quajtur “ndrikull” kur asaj i këputën gishtat me zë e me figurë.

Kurse dje ishte radha e Mond Spahos që të bëhej i famshëm.

Ai çuditi të madh e të vogël, kur uroi gëzuar festën e 29 nëntorit, të cilën Doktori i ka shpallur si ditë të zezë që më 1993.

Ai ditëziu, në fakt, nuk kishte faj. Sepse ishte xhelozuar si devolli që ishte për Ridvan Boden, që po shkonte tek Bordi i Bankës së Shqipërisë me firmë të Edi Ramës.

Dhe sajoi një gjë që të vihej edhe ai në qendër të vëmendjes.

Dhe gjuha i shkoi aty ku dhemb dhëmbi, tek 29 nëntori, si familje komuniste që kishte qenë.

Por kur besnikët e Doktorit dhe të Lulit e masakruan, u detyrua dhe ai të zbythej dhe ta tërhiqte postimin.

I ndodhur në këto rrethana të vështira, Jari mendoi se duhet të ishte sa më lakonik me demokratët. Ndaj edhe shkroi vetëm dy rreshta për ta:

“Të nderuar miq, Jari iu sqaron:

Nuk ka vend fare për shqetësim nga ngjarjet e fundit, sepse janë zbythje të përkohshme.

Kur ishim në Shkollën e Bashkuar na mësonin se këto quhen tërheqje taktike dhe nëse nuk keni besim tek unë pyesni Fred Pezën dhe Land Qafokun, se kemi qenë bashkë në shkollë.

Luli i ka marrë të gjitha masat dhe ka ngarkuar që aksioni politik i opozitës të përqëndrohet tek Astiri dhe ka ngarkuar si përgjegjës kryesor atje Kleves Balliun.

Ndaj mbajeni lart moralin se fitorja është e sigurt dhe përqëndrohuni tek ato që thotë Klevesi”.

Mesazhin e shkurtër të Jarit e mori seriozisht edhe vetë djali i Fahriut, i cili u nis me “Range Roverin” e vet tipi i fundit me urgjencë tek Unaza e Re për të mbajtur këtë fjalim historik:

-Qeveria e krimit dhe e drogës po kërkon të ju përçajë, sepse dje Lali Plehu ka paguar një socialist të ndyrë, nga Tropoja që të bëjë sikur po i prish vetë shtëpitë e paligjshme, që ka ndërruar, por ju do t’i jepni përgjigjen e duhur këtyre maskarenjve provokatorë.

Në turmë ra një heshtje varri për disa sekonda.

Por pastaj shpërthyen disa sharje të egra në adresë të deputetit.

“Mbaj gojën, mor këlysh sigurimsi, se Uka është më demokrat se ti dhe se babai yt, që ka qenë spiun që në kohën e Hekuran Isait.

Dhe ta dish që ai burrë Tropoje i besës ka luftuar për fitoret e Lulit si më 2013-ën, ashtu dhe më 2017-ës, që haram i pastë ato vota.”

Përfundimi dihet, çuni i Fahriut u trondit dhe ia mbathi nga sytë këmbët.

Lajmi për zbythjen e tij e gjeti Jarin duke dremitur në vaktin e akshamit, kur ndërsa gjumi po e kaplonte, ai po lutej me zë të ulët “O Zot bëje ëndërr!

1 komente në “Jari i shpjegon zbythjet e opozitës si tërheqje taktike!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje