Makinat Elektrike në Europën Lindore – Firmat e energjisë konkurrojnë në ndërtimin e stacioneve të karikimit

6 Dhjetor 2018, 22:00Hi-Tech TEMA

Në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore të BE, udhëtarët preferojnë makinat me naftë për rrugë të gjata, ndërkohë që është vështirë të gjenden stacione të karikimit të makinave elektrike.

Numri i këtyre të fundit ka qenë i ulët dhe ndërtimi i rrjeteve të karikimit nuk ka qenë deri më tani prioritet për Qeveritë. Megjithatë kjo pritet të ndryshojë, ndërkohë që numri i makinave elektrike në rajonin që ka një popullsi prej 100 milionë banorë, të shtrirë nga Polonia në Veri e deri te Bullgaria në Jug, pritet të rritet prej rregullave më të ashpra të ndotjes të BE.

Rrejti më i madh i karikimit super të shpejtë në rajon drejtohet nga kompania private GreenWay, me 112 stacione në Poloni dhe Sllovaki.

Ndërkohë që Bashkimi Europian synon një ulje me 35% të emetimit të gazrave ndotës deri në vitin 2030, disa prej kompanive më të mëdha të rajonit po përgatiten që të hyjnë në treg.

Kompania çeke e energjisë CEZ dhe homologu hungarez MOL, kanë bërë të ditur se planifikojnë të zgjerojnë rrjetet e karikimit në rajon. Kreu i kompanisë çeke, Tomas Chmelik tha se deri në 2020-ën do të ketë rreth 10,000 makina elektrike në rrugët e vendit dhe kjo shifër do të rritet në 250,000 deri në 2030-ën.

CEZ deklaroi se do të shpenzojë mbi 44 milionë dollarë në 10 vitet e ardhshme për të ndërtuar stacionet. Banka zvicerane UBS, ka vlerësuar se duhet mbi 360 miliardë dollarë në 8 vitet e ardhshme për të ndërtuar një infrastrukturë globale të karikimit, raporton SCAN.

Megjithatë, qeveritë në Europën Qendrore dhe Lindore pritet të lëvizin në mënyrë të ngadaltë për të nxitur tregun, që mbetet pas vendeve perëndimore të Europës.

Në Hungari dhe Republikën Çeke, ka 3,128 dhe 2,473 makina elektrike në mënyrë respektive. Megjithatë, lideri europian, Norvegjia, ka 239 mijë makina në rrugë, ndërsa Gjermania ndjek me 198 mijë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje