Jari demoralizohet dhe nuk arrin të shkruajë mesazhin e radhës për demokratët

7 Dhjetor 2018, 18:44Antena TEMA

Dita e tretë e protestës së studentëve u prit me entuziasëm të madh prej Jarit, por në mbyllje të saj atë e kapi një trishtim i madh.

Megjithëse ata nuk pranuan të takoheshin me kryeministrin dhe me ministren e Arsimit, kjo nuk e ngushëlloi atë fare.

Sepse kur vinte puna tek Partia Demokratike, studentët ishin shumë të qartë, nuk donin ta shihnin me sy atë.

Sidomos po t’iu përmendje Lulin, shkonte gjaku në gju të kalit.

Ishte aq e rëndë situata, sa i kishin hequr mikrofonin nga dora Edmond Tupes,i cili në fakt ishte një pedagog i njohur dhe jo i angazhuar me politikë, vetëm se dikush kishte thënë se ai ishte kunati i Edi Palokës.

I ndodhur mes dy ndjenjave të kundërta, gëzimit që studentët e kishin protestën kundër qeverisë, dhe mërzisë, që ata nuk donin ta shihnin me sy Lulin, Jari guxoi dhe i ra sërish telefonit të Doktorit.

Për çudinë e tmerrshme të tij, përgjigja erdhi mënjëherë.

Kumbimi i zërit në “alooo-n” e zgjatur e shpoi si turrjelë tejpërtej.

-Doktor, Jari ju dëgjon, tha me gjysmë zëri, pa ditur se si të justifikohej që kishte marrë kurajon ta telefononte.

-Më more ti mua Bujar, urdho, u dëgjua zëri nga lart, dhe në ato çaste Jari ishte gati të vdiste vetëm që biseda të ndërpritej.

-Të mora për protestën Doktor, mirë po shkon deri tani, tha duke iu dridhur buza.

-Jo mor zotëri, se nuk është ashtu si mendon ti.

E para, një herë këta bythëpambukët e Forumit Rinor të PD u zbuluan që ditën e parë si organizatorë, bashkë me ata matrapazët e LRI-së.

Dhe kjo e nxorri jashtë loje ndikimin tonë tek studentët.

Tani ka mbetur vetëm Altin Qorri dhe kamikazët e vet atje, dhe kjo na e vështirëson shumë punën.

Ja bëri mirë Luli atij Belindit që e la si legen jashtë listës dhe zgjodhi Salianjin, se ai rezultoi një koleg i denjë për mua.

Nga ana tjetër, Lulin nuk e pranojnë gjallë në botë atje, madje na kanë dërguar lajm që jo vetëm të mos afrohet, por as të mos e mbështesë në distancë protestën, se e dëmton rëndë atë.

Do të vdes e nuk do ta kuptoj se çfarë aftësie jahtëtokësore ka ai djalë që të shuajë çdo zjarr që ndizet kundër qeverisë, edhe kur do që të bëjë të kundërtën.

Por këto nuk janë asgjë fare para asaj që po ndodh realisht, o zotëri.

Jam gati të mos pres Lulin, por t’i shuaj vetë këto protestat të gjitha, që nga Astiri e deri tek studentët, vetëm të mos bëhet ajo reforma në drejtësi.

Seç kam një dyshim të fortë që Luli po bën sikur nuk e ka mendjen dhe më ka shitur mua dhe “Komandantin e Përgjithshëm” tek Noriega i krimit dhe i drogës.

Sepse ky shorti që hodhi sot Gramoz Ruçi është një thikë pas shpine për kombin, Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike.

Kur mbaroi telefonata, Jari ishte bërë qull në djersë dhe e gjithë bota i dukej pa kuptim.

Ishte e vetmja ditë kur nuk kishte as fuqi dhe as dëshirë që të shkruante mesazhin e zakonshëm për demokratët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje