Tradita që zbehu epoka dixhitale: Në SHBA miratohet ligji që rikthen në shkolla mësimin e bukurshkrimit

10 Dhjetor 2018, 14:13Lifestyle TEMA

Shkrimi i dorës po kthehet në një traditë të vjetëruar në epokën e smartfonëve. Ndryshe nga vite më parë, këtij shkrimi nuk i jepet më rëndësia e dikurshme në vitet e para të arsimimit. Ligjvënësit e Ohajos kanë miratuar së fundmi një ligj, që parashikon orë mësimore gjatë të cilave u mësohet fëmijëve se si të shkruajnë bukur me dorë.

Ligji i kaluar në Senatin e Ohajos e detyron bordin shtetëror të arsimit të zhvillojë një program mësimor që përfshin mësimin e fëmijëve nga kopshti deri në klasën e 5-të për të shkruar me dorë.

Ligji i ri parashikon që nxënësit duhet “të zhvillojnë deri në fund të klasës së pestë aftësinë për të shkruar letra dhe për të krijuar dokumente të kuptueshme duke përdorur shkrimin e dorës”.

Ligji është propozuar për herë të parë në shkurt të 2017-s, por u kundërshua nga disa ligjvënës, që e cilësuan shkrimin e dorës si aftësi jo shumë të rëndësishme.

Ligji i miratuar këtë javë nuk i detyron mësuesit të përfshijnë mësimin e shkrimit të dorës në programin e tyre, duke e bërë atë fakultativ.

Mbështetësit e kësaj nisme thonë se shkrimi i dorës nuk duhet të përfundojë në “koshin e historisë”, pasi ai rrit aftësinë e nxënësve për të nxënë.

Një prej tyre thotë se studimet “kanë treguar se të mësuarit e shkrimit të dorës i ndihmon nxënësit të mësojnë si të gërmëzojnë dhe lexojnë, sidomos fëmijët me disleksi”.

Për më tepër, fëmijët që nuk njohin mirë shkrimin e dorës mund të mos kenë aftësinë për ta lexuar atë dhe për këtë arsye nuk do të jenë në gjendje të deshifrojnë dokumente historike si Deklarata e Pavarësisë. “Historia jonë është e gjitha e shkruar me dorë”, thonë ata që kanë votuar ligjin.

Projektligji duhet të marrë dritën jeshile të Dhomës së Përfaqësuesve të Ohajos para se të nënshkruhet nga guvernatori. Shteti i Ohajos nuk është i vetëm në përpjekjen për të kthyer në shkolla shkrimin kursiv të dorës. Ligje të ngjashme kanë kaluar edhe shtete të tjera.

Mësimi i shkrimit kursiv (i pjerrët) ka qenë i detyrueshëm për nxënësit amerikanë deri në vitin 2010, kur u paraqit një standard i ri arsimor që nuk e sheh si të domosdoshme këtë praktikë. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje