Jari sqaron demokratët për tradhtinë e lartë të familjes Hajdari

11 Dhjetor 2018, 19:14Antena TEMA

Shpresat e Jarit për një rikthim të shpejtë në pushtet të Doktorit, dhe pas tij edhe të Lulit, duke përfituar nga protesta e studentëve, morën një goditje të rëndë mbrëmë.

Shkaku ishte deklarata e vajzës së Azem Hajdarit, Rudinës, e cila kishte shkaktuar një pështjellim të madh tek demokratët.

Pasi e lexoi 8 herë që ta kuptonte sa më mirë, në fund u plandos në kolltuk tërësisht i demoralizuar.

“Ia paskan shkruar amerikanët dhe e paska më shumë kundër Doktorit, se sa kundër Lulit”, mendoi Jari, dhe e quajti detyrë ushtarake që të ulej dhe të shkruante mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari ju sqaron!

Kjo vajza e Azemit gjeti momentin më të keq që t’i fusë thikën pas shpine Partisë Demokratike, por komploti i saj për fat të mirë u dekonspirua.

Njësoj si babai i saj, që ka qenë një ish-agjent i Sigurimit të Shtetit, një trafikant armësh dhe droge, që ishte dërguar me mision për të goditur Doktorin, edhe kjo gjeti rastin të nxirrte fytyrën e vërtetë, për të sulmuar Lulin (domethënë Doktorin prapë), pikërisht atëherë kur ne të gjithë po mendonim se fitorja e tij është çështje ditësh.

Të mos harrojmë që babai i saj ka qenë një rrugaç dhe një njeri i korruptuar, i cili bashkëpunoi me armiqtë më të egër të Partisë Demokratike, si Kurt Kola dhe Spartak Ngjela, por që mori dënimin e merituar kur Doktori e la si qen rrugëve në vitet 90′.

Për këtë nuk ka nevojë që të japim prova, por mjafton të shfletoni koleksionin e gazetës “Rilindja Demokratike” në vitet 1993-1996.

Por asgjë nuk ndalet këtu.

Ajo është gjithashtu, e bija e një gjykatëseje të korruptuar, për të cilën ka shkruar dhe gazetari më i pavarur në Shqipëri, që ndodhet në borderonë e LSI-së, i madhi dhe i mirënjohuri Bababababarararamo.

Ai ka zbuluar dhe ka shkruar që deputetja Rudina Hajdari po i shërben Edi Ramës, që e ëma e saj të kalojë vetting-un, dhe kjo është më se sigurtë, pavarësisht se ende nuk e ka konfirmuar “qytetari digjital”.

Pas kësaj që ndodhi, ka ardhur koha që të thuhen prapë disa të vërteta për demokratët.

Ndaj shumë shpejt gazeta “RD” do të ribotojë të gjithë arkivin e saj kundër babait trafikant të Rudina Hajdarit, ndërsa Qim Peka dhe Fahri Balliu janë ngarkuar që t’i hapin dosjen gjykatëses së korruptuar, Fatmira Hajdari.

Sot duhet ta marrë vesh i madh e i vogël në Shqipëri, që Azem Hajdari edhe vrasjen e tij e ka organizuar vetë, në bashkëpunim me kundërshtarët e Partisë Demokratike, vetëm që t’i prishte punë asaj.

Ndërkohë, në konsultim me Doktorin është vendosur që sa herë të flitet për Lëvizjen e Dhjetorit dhe të përmendet emri i babait të Rudinës, turmat e demokratët të thërrasin “Azem, Azem ti nuk je gjallë…”.

Kjo është përgjigja që meriton në këto momente historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, kushdo që tradhton Doktorin dhe Lulin.

I juaji, Jari!”

2 komente në “Jari sqaron demokratët për tradhtinë e lartë të familjes Hajdari”

  1. nirvana says:

    shume e goditur!

  2. Shaba says:

    Jari para se te shkruante kete shkrim , foli ne telefon me Berishen dhe i mori leje qe te shante Azemin ne shkrimin qe do botonte. Sala i tha i vdekuri me te vdekurit, i gjalli me te gjallet. Azemin e paketova ashtu si desha vete, por tani kemi kete cupaculken e tij qe po na bezdis si ato mizat e kalit. Nuk eshte e kenaqur qe vdekjen e babait ja shperbleva me pasuri dhe kariere. Pale e cova dhe ne Amerike dhe ajo u kethye ketu dhe po na ben karshilluk. Shiko i tha ai Jarit, ti shaje Azemin me soje e sorrolop, ndersa une do them qe cupaculka i ngjan Azemit. Njerzit do e kuptojne qe edhe kjo eshte si Azemi mendjefycke qe i ka hipur kalit seprapthi. Ti e kupton, i tha ai Jarit qe une do do them vetem kaq, qe ajo I ngjan babait dhe nuk do e shaj Azemin hapur. Aq me teper qe cupaculka eshte vajze dhe mua si malcor nuk me lejohet te shaje femrat. Do ishte ndryshe po te ishte fjala per djalin e Azemit, por ai i ngjan se jemes qe e ka mendjen tek leket. Po ti ngjante Azemit do mendonim se si ta paketonim. Vallai I madh je bre Sale, tha Jari. kesaj I thone edhe mishi te piqet edhe helli te mos digjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje