Jari sqaron arsyet e heqjes së përvjetorit të "RD"-së nga lista e festave të Lulit

5 Janar 2019, 18:10Antena TEMA

Jari sot u zgjuar i gëzuar, se do të kishte një motiv për të dalë nga shtëpia ku ishte mbyllur që përpara Vitit të Ri.

Sot mbusheshin 28 vjet nga themelimi i “RD”-së, dhe ishte një ndër mundësitë e rralla për t’u takuar, si me Doktorin, ashtu edhe me Lulin njëkohësiht.

Hera e fundit kishte qënë më 28 nëntor tek “Varrezat e Dëshmorëve”.

Por buzëqeshja i ngriu në buzë, kur lexoi një urim të Lulit për gazetën në Facebook, dhe e kuptoi se edhe kjo festë ishte fshirë nga lista.

I dëshpëruar, nisi të sillej vërdallë nëpër shtëpi, duke u përpjekur të gjente arsyet e kësaj drame për demokratët.

Pas shumë mundimesh, dikur i shkëlqyen sytë dhe vendosi ta kthejë dhimbjen në forcë, duke shkruar mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari ju sqaron!

Luli ka bërë shumë mirë që e ka anulluar këtë festën e themelimit të “RD”-së, se shumica e atyre që kanë punuar në atë gazetë na kanë dalë armiq.

Që nga Frrok Çupi që ishte i pari, e deri tek Astrit Patozi, që ishte kryeredaktori i fundit, se këtë Bled Kasmin akoma s’e ka marrë vesh njeri që është bërë, edhe pse ka 11 vjet që është aty.

Dhe t’i ftosh të gjithë ata që të hanë e pinë me lekët e tua, është si të bësh dasmë në ditën e mortit.

I vetmi që ka ngelur nga këta të vjetrit, që nuk ka tradhtuar fare, mund të konsiderohej Preçi, por edhe ai nuk e mbron fare Lulin për hallet kryesore, kur shkon në emision tek Fevzoja.

Në këto kushte, nuk ia vlente fare që të bëhej festë.

Me këtë rast, edhe atyre gazetarëve që duan të punojnë për PD-në, u jepet një mesazh, se duhet ta meritojnë financimin, sepse ndryshe i pret fati i “RD”-së, që në fakt është mbyllur ka një vit, por thjesht nuk deklarohet.

Le të marrin ata shembull nga gazeta “55″ dhe nga portali i Fred Lelës, që janë shembujt më të mirë të vetëfinancimit për shtypin afër Lulit.

Fahriu u merr lekë të gjithëve, duke u thënë që janë rritur shumë shpenzimet e shtypshkronjës, ndonëse ka një vit që nuk e printon fare gazetën.

Dhe kjo është një aftësi që nuk mund ta ketë kushdo.

Kurse Fred Lela nuk lodhet kot që të kapë shumë biznesmenë si Fahriu, por ka zënë për gryke Agron Shehajn, deputetin e Vlorës, dhe i mbyll të gjitha hallet me atë.

Edhe kjo është një meritë që i duhet njohur.

Çfarë e gjeti atë se i bën 4 fjalime në vit për parlament, 8 postime në FB, dhe në dhjetor ta shpallë si politikanin e vitit?

Mençuria e tyre është se e kanë kuptuar që Lulin dhe kunatin e tij nuk duhet ta shqetësojnë kurrë për lekë.

Se ata kanë dalë për të marrë, e jo për të dhënë, në këtë punë të vështirë dhe plot sakrifica që bëjnë, duke e udhëhequr opozitën si një familje e bashkuar.

Ndaj le të na shërbejë ky përvjetor i “RD”-së sot, për të kuptuar që edhe shtypi i lirë duhet ta kuptojë që jetojmë në një xhungël të rrezikshme, ku mbijetojnë më të fortët dhe më të zgjuarit.

Duke ju uruar të gjithëve që të keni fatin e “RD”-së, ju bëj thirrje që të mos dekurajoheni, sepse fitorja është e sigurt.

Ajo është thjesht çështje kohe.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje