FOTOT: Bora zbardh Llogoranë, destinacion i turizmit të bardhë

Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, që u mbulua nga flokët e dëborës në ditët e para të janarit u frekuentua nga një numër i madh vizitorësh.

Ishte dëbora e parë, që ra gjatë kësaj stine dimri në këtë zonë. Një pjesë e madhe e vizitorëve ishin nga qyteti i Vlorës, por edhe nga qytete të tjera të vendit, të cilët kanë shkuar për të prekur e shijuar dëborën, të përjetojnë bardhësinë e saj, shkruan ata.

Ata kanë zgjedhur të kalojnë orë, apo ditë të këndshme në këtë park, të njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër. Shëtitjet e gjata në mjedisin pyjor të zbardhur nga dëbora, janë një nga argëtimet më të bukura për të rriturit, por edhe për fëmijët.

Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dendura të dëborës, kalimi i automjeteve në këtë park u bë pa asnjë problem, falë punës së palodhur ditë-natë gjatë gjithë këtyre ditëve nga kontraktorët e rrugës, si dhe nga institucioni i Prefektit të Vlorës.

Klara nga Vlora, e cila ka vizituar këtë park bashkë me familjen e saj, shprehet se “kaluam disa orë të këndshme me fëmijët, të cilët u kënaqën shumë duke luajtur me dëborë”.

Sipas saj, rruga ishte e hapur dhe nuk patëm probleme për të mbërritur në Llogora.

Ndërsa Iliri, 48 vjeç nga Tirana thotë se vjen shpesh në Llogora gjatë verës.

“Por, të dielën zgjodha të vij me familjen bashkëshorten dhe dy fëmijët të shikojmë bardhësinë e dëborës në Llogora, si dhe të drekojmë në një nga lokalet e këtij parku, që shquhet për gatimet tradicionale të zonës veçanërisht për mishin e pjekur të qengjit, apo të kecit”, shprehet ai.

Vajza e tij, Dea, 17 vjeç thotë se “nuk e kisha parë ndonjëherë Llogoranë me dëborë. Kalojmë gjatë verës, kur shkojmë në bregdet për pushime, por me bardhësinë e dëborës qenka një magji e vërtetë”.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ajo ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi.

1 komente në “FOTOT: Bora zbardh Llogoranë, destinacion i turizmit të bardhë”

  1. lavdosh says:

    o gazetar idiot, Llogara edhe pse perle, nuk mund te behet qender ose destinacion i turizmit te bardhe.
    Thjesht per faktin qe 2-5 dite me bore nuk jane te mjaftueshme per nje gje te tille
    Llogaraja eshte qender turizmi 12 muajsh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *