Babai dhe nje shaka e Isuf Lazes më 1 Janar!

 

Kristo  MËRTIRI

 

Në kujtim të ushtarakut dinjitoz Isuf Laze

 

Bashkë me natën e fundit të vitit që shkoi, shoku im i fëmijërisë, ushtaraku e njeriu i mirë Isuf, gremisi sytë përgjithmonë. Iku në paqe e pa zhurmë. Iku kur njerëzia sapo kish uruar e ngritur gotat për shëndet e mbarësi, për ditë më të mira në këto kohëra të trazuara. Mirëpo nganjëherë, fati të sjell gëzime e urime, por edhe hidhërime. Pas një sëmundjeje e bisede optimiste në telefon, e lamë të takoheshim shpejt. Por zemra ime “nuk ther vetëm kur vetëtin, por edhe në ëndërr, edhe kur qielli është i kaltër”. Në agun e parë të Janarit ajo theri fort. Ndoshta ishte për ty, Isufi ynë ! Me vëllain tim pitë kafe e kuvenduat gjatë. Si bashkëfshatarë. Si vëllezër. Si trashëgimtarë të një miqësie të mocme familjare…Por cudirat nuk kanë të sosur: Dy netë më parë, mes disa tepelenasve të ardhur vonë në kryeqytet, vec të tjerave, u ndez natyrshëm një dialog polemikë rreth mirënjohjes e mosmirënjohjes. Episode e mendime të ndryshme. Me kunja e pa kunja krahinore. Pasionante e të shtruara si valët e Vjosës në dimër a verë. Të gjitha nga qyteti ku u rritëm e u bëmë burra. Nga burimi që s’shteron e që s’bëhet pis kurrë. Përjetësisht i kulluar. Unë nuk zbraza komente akademike dhe as thënie të lashta filozofike. Rrëfeva dicka gjurmëlënëse për Myftarin dhe nënë Sherinën (babai dhe gjyshja e Isufit). Sot po e publikoj për herë të parë, jo hollësisht, pas 40 vjetëve si gazetar profesionist. Jo më kot e futa te përsiatjet nga cikli “ Antiharresa “.

…Isha nxënës në shkollën 8 vjecare. Po realizoja ëndrrën time dhe të babait, duke u strehuar në një barakë me dërrasa e katrama mu në zemër të qytetit, mbështetur te muri i shtëpisë së Kahreman Shehut. Një ditë prej ditësh, një urdhër anadollak solli befas punëtorët e komunales për të na hequr catinë. Histori që lidhet ngushtë edhe me juristin e ri zagorit e dinjitoz, Kleanthi Kocin e paharruar…Vecse ky veprim arbitrar e plot ligësi, po tentonte të kryhej në një moment shumë të vështirë mbijetese: Babain e kishin larguar nga puna dy drejtues të paaftë e shpirtkatran në rreth. E, jo vetëm një herë ! Po të mos ishte djersa e nënës në fshat, jeta do të merrte tjetër rrokullimë. Babai besonte jo pak “atje Lart në Tiranë”. Dhe gati nuk dyshonte hic te Drejtësia. Priste përgjigjen e letër-ankesës. Idealist i pandreqshëm. I heshtur e jo qaraman dhe asnjëherë kërkues dëmshpërblimi për merita jo të vogla qysh në orët e para të Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare. Dinjitoz në varfërinë e ndershme. Nga shokët e tij, shumë vonë mësova se paska shkuar me ta si fshehurazi për të shkarkuar me krahë makinat e mëdha në depot e rezervave të shtetit. Punë që sot emërtohet “në të zezë”.

Por atë mbrëmje dimërore akullirë, nuk e heq dot nga memoria. Babai më dukej cdo ditë e më shumë i vetmuar. Kur mësoja pranë një mangalli të vogël “ilegal”, me prushin e dhuruar nga kuzhina e Ali gegës zemërmadh(se zjarri nuk lejohej!), ai vishej e dilte në udhën-shëtitore të shurdhuar nga zhurmat e ditës. Era brisk e Tepelenës nuk poi a largonte dot ankthet, trishtimin, hallet e marazet. “ Këtë burrë që e nxjerrin herë pas here të papunë nga dyert e shtetit, me siguri do ketë ndonjë cen a njollë të thellë e të mbuluar tinëzisht.

Më mirë bëj sikur nuk e vë re ose shtyje kontaktin me një “shikon mendja, nuk shikon syri”. Përndryshe do gjesh belanë, jo sevdanë…”. Por ky mentalitet e qëndrim neveritës, nuk kishte asgjë të përbashkët me Myftar Lazen, djalin e vetëm të nënë Sherinës së rrallë në Peshtan, Tepelenë e më tej. Zëri i tij në atë errësirë akullirë dhjetori, sikur e zgjoi dhe e shkundi babanë. Shoku i hershëm i Rinisë Antifashiste në fshat, komisari i Dritës së Diturisë pas Clirimit të Atdheut, nëpunësi i devotshëm e korrekt gjatë viteve heroike të Rindërtimit të vendit e më vonë, nuk mund ta duronte atë situatë paradoksale e ligësi të pashoqe : Një shënim me bojë të kuqe mbi Letrën e babait(shkruar me dorën e Komandantit në Tiranë), po mbahej i kycur në kasafortë celiku e “tepër sekrete”(?!). Shënim që normalisht duhej të lëvizte gurin e drurin (pas shumë vitesh, kur po punoja korrespondent në Jug, ma lexoi miqësisht Sulo Gërbi, zyrtar i vjetër e mjaft dashamirës me peshtanakët). Por atëhere kishte dijeni vetëm Myftari(babai i Isufit) dhe një drejtues rrethi, dallkauk e me plot zullume. Përfytyroni, cdo hapje goje për “sekretin”, të kushtonte shtrenjtë e të nxihej jeta. Brezi i asaj kohe më kupton mirë. Por Myftar Laze e tha të vërtetën e plotë, me zë të ulët e me besë të patundshme, përqafoi babanë dhe nxitoi hapat për në shtëpi. Atë natë, drita e mekur e barakës nuk u fik asnjë minutë. Priti agun e mëngjezit të mardhur. Në drekë do të binte një “rrufe nga Lart” në Tepelenë, tamam si nga maja e Olimpit ! Qetësia, mencuria, guximi e besnikëria e tim ati, i dhanë fund në kohë rekord kalvarit torturues të pamerituar. Shpëtoi veten, por edhe Myftarin…

Ti, Isuf i dashur, e mësove këtë episode 16 vite më parë, kur biseduam gjatë në katin e tretë të Ministrisë së Drejtësisë. Kur po të rrëfeja me hollësi, mbi uniformën tënde të oficerit ranë edhe dy pika lotë. Ngashërim apo nderim për baballarët tanë ?! Gati nuk fole hic. Sidomos kur të thashë se ikja e babait tonë nga Tepelena (kur u transferua vëllai në Tiranë) ia shkurtoi jetën. Mbaj mend makinën e ngarkuar me orenditë shtëpiake dhe castet e tij të fundit në atë qytet të shenjtë. E hoqi si mënjanë shoferin e kamionit dhe iu lut t’ia bënte hallall një vonesë 15 deri 20 minuta. Dhe u nis nxitimthi e si me një frymë përmes pallateve. Nuk mund të largohej pa takuar gjyshen tënde të sëmurë, nënë Sherinën e bekuar për të gjithë. Se mirënjohja qelibare, njeriun e ndershëm e shoqëron edhe kur shkon në atë botë. Ajo shkëlqen si pikë loti. Dje, sot, nesër, përgjithmonë.

Ama, jo rrallë dardha bie nën dardhë(ushtarakut Isuf, ndoshta i shkon shumë ky llaf). Jo më kot thosh shpesh me seriozitet : Fjalët që nuk ndiqen nga veprat, nuk vlejnë asnjë grosh !…Ndërsa unë meditoj e kujtoj kolegun tim më të vjetër, tropojanin shpirtnjeriu Halil Katana, kur më solli revistën ushtarake me një shkrim të bukur, botuar për Isufin e Myftar Lazes në Tepelenë. Ligjërime zemre nga viti i zi 1997, kur Ushtria jonë do të merrte rrokopujën. Se ti nuk e harroje kurrë betimin dhe rënien e vetme në gjunjë para Flamurit Kombëtar ! Ishe dhe mbete nga të vetmit që sakrifikove gjithcka për shpëtimin e depove të armatimit nëpër malet e Lopësit. Patriot e ushtarak i vërtetë. Nuk e di ende sa mirënjohëse janë treguar institucionet e shtetit demokratik. Sengushëlluese nuk janë vetëm fjalët…

Në 1 janar, kujtuam edhe një ngjarje të jetuar në nahijen tonë që dikur u pagëzua ndoshta padrejtësisht si “shaka me zarar” apo “lajthitje moshe”. Një burrë po e shtynte pleqërinë në vetmi në fshat dhe askush nuk i trokiste në derë. Shkoi në qytet, drejt e në Postë. Nisi disa telegrame për të afërmit, miqtë e shokët e dikurshëm të zemrës. I njoftoi për ndarjen e “papritur” nga jeta të vetes ! U kthye në fshat shend e verë dhe theri disa bagëti për drekën e nesërme “mortore”. Dhe ajo shtëpi bosh në vite, u mbush plot e përplot. Dreka e jashtëzakonshme u kthye në humor, në këngë e valle jo dosido. Donte të vriste vetminë që po e hante për së gjalli. Por vrau edhe atë sentencën drithëruese të njohur : “Vdis, pa të të dua !”…Ja pse e rrëfeva këtë cudi.

Kur lexova frymëndalur mesazhin pikëllimtar për vdekjen tënde(dërguar nga celulari yt), zemra nuk ma qaste brenda atë mandatë zezonë. Duke tymosur cigaret, po flisja me veten : Ah, sikur të jetë një shaka ky mesazh nga Isufi…

 

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Babai dhe nje shaka e Isuf Lazes më 1 Janar!”

  1. Afrimi says:

    Ky eshte nje shkrim dinjitoz i gazetarit te njohur Kristo Mertiri. Ne qe e njohim ate dhe penen e tij ne vite, i presim me endje shkrimet e tij. Sa ceshte i ashper me padrejtesite, me qeveritaret e pacipe e te korruptuar, lum i rrjedh dashurie per njerzit e thjeshte e sidomos per ata qe nuk kane me se ta nxjerrin muajin. Humbja e shokeve, e miqve te tij eshte dhembje e madhe per te, ndaj dhe ne leter, sic ben dhe per vdekjen e ushtarakut te mire e te sakrifices, Isuf , vjen kjo dhembje ashtu si mund ta ndjej Kristua yne i mire e qelibar, gazetar qe nuk iu perkul asnje shefi a qeveritari. Ne miqte e tij krenohemi me te. Isufit te ndjere, qe Kristua e jep ashtu te mire e trim si gjithe soji i tij, i qofte dheu i lehte dhe ngushellime familjes se tij.

  2. Dilaveri says:

    Me ke perlotur z.gazetar.Largimi nga jeta i njerezve,i shokve, i miqve na e rendon shpirtin. E njoh Isuf Lazen, nje ushtarak i devotshem dhe zemer te bardhe, kemi qene dikur ne te njejtin repart. Keshtu ka qene si e pershkruan zemervrare autori i artikullit. Ngushellime te sinqerta familjes se tij per kete njeri te mire dhe ti rrojn femite.

  3. Sokoli says:

    Bukur. Ah, sikur te ishte nje shaka ky mesazh nga telefoni i Isufit. Keshtu do te thoshja dhe une per Isuf Lazen. I ndrite shpirti ne parajse.

Lini një Përgjigje te Afrimi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *