Jari shpjegon strukturën e re të përballjes mediatike të opozitës me qeverinë

Jari sot u zgjua pa ankthin e ditëve të fundit, sepse e kishte mbledhur mendjen që nga protesta e studentëve nuk kishte ca të pritej më ndonjë gjë e re, që mund të zgjonte optimizëm tek opozita.

“Më mirë të fillojnë mësimin, se sa të kuptohet që nuk na do njeri, dhe që studentët më shumë dëgjojnë Altin Qorrin, se sa Lulin dhe Monën”, mendoi dhe i hodhi një sy televizorit dhe portaleve.

Ndërkohë, u përpoq të bëjë një përmbledhje të ngjarjeve të fundit politike, që kur të shkruante mesazhin për demokratët, të ngjante si njeri i informuar.

Ndenji nja dy orë ashtu i plandosur në kolltuk me sy mbyllur dhe gjëja që i vinte më shumë në kujtesë dhe që e kuptonte më mire, ishin paralajmërimet e egra dhe të përditshme të djalit të Fahri Balliut për qeverinë tek protesta e Astirit.

“Nuk ke ç’i thua, është gjeni në politikë- tha me vete- dhe shyqyr që u zbulua vonë, sepse mund të kishte rrezikuar edhe Lulin, po ta kishte njohur më përpara Doktori”.

Por pastaj u kujtua se me një lule nuk vinte pranvera dhe se për të sjellë PD-në në pushtet, kërkohej një strategji më e madhe.

Dhe me këto mendime të vyera, nisi të shkruajë tesktin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari ju informon.

Për t’i paraprirë fitores së shpejtë dhe të padiskutueshme të opozitës mbi qeverinë e drogës dhe të krimit, është vendosur që të ndahen punët dhe sektorët sipas aftësive personale të figurave më të rëndësishme politike të PD.

Ngaqë qeveria e ka mbështetur luftën e saj kundër nesh tek shpifjet dhe trillimi, Doktori është vetëcaktuar që t’i përgjigjet asaj me atributet e kalorësit të fjalës së lirë, i cili, së bashku me qytetarin dixhital, nuk kanë gënjyer dhe mashtruar kurrë publikun shqiptar në këto 29 vjet.

Tani dihet që morali dhe vlerat e familjes janë ato që na dallojnë qartë me të majtën dhe PS-në.

Për këtë arsye është vendosur që këtë sektor ta mbulojnë Salianusi dhe Grigja, si dy modele ëngjëllore për shoqërinë tonë në këto fusha.

Ka qenë shumë prekëse ndërhyrja e Salianusit sot për atë gjykatësin e Fierit, që i kishte kërkuar favore seksuale një qytetareje.

Por asnjëri prej tyre nuk e ka thënë ende fjalën e fundit.

Për planin afatmesëm dhe afatgjatë në luftën kundër alkoolit dhe të duhanit, është caktuar Arben Ristani.

Me atë rast edhe na nuk mërzitet që do të hiqet nga sekretar i Përgjithshëm i PD.

Ndërsa Edi Paloka është ngarkuar që të mbulojë luftën kundër basteve dhe të lojërave të fatit, por na ka gjetur belaja me të.

Sepse ai mendon që duhet të përpiqet t’i rikthejë prapë bastet, meqë Edi Rama i ka mbyllur ato.

Dhe meqë Tritan Shehu është caktuar të mbulojë bujqësinë për shkak të njohurive të thella që ka për preshin, Doktori ka thënë se me këtë rast është mirë që për politikën e jashtme ta jetë përgjegjës Flamur Noka.

Është njësoj si ajo barcoleta, që përderisa Bullgaria ka ministri Kulture, edhe Zvicra duhet të ketë ministri të Detrave dhe Peshkimit.

Kurse djali i Fahriut është caktuar që të mbulojë luftën e pakompromis të PD-së kundër ish-komunistëve dhe veglave të diktaturës.

Kemi vetëm një hall të vogël këtu, se sa herë që hapet kjo temë, na mërzitet Nebil Çika, por do ta kapërcejmë.

Do t’i themi që nuk vjen gjë nga fjala, se po të ishte që ndodhte gjë, Edi Rama do të ishte rrëzuar nja 65 herë deri tani, sepse ai djali i Fahriut e paralajmëron për herë të fundit çdo natë tek Astiri.

Postet e tjera për mbulimin mediatik janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për çdo të re do t’ju lajmërojmë në kohë reale.

I juaji, Jari!”

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *