Sergio Ramos bëhet “një shekull”, ja “skaneri” i 100 golave të mbrojtësit-goleador

Kapiteni i Real Madridit, mbrëmë u bë “një shekull” në karrierë. Ai shënoi golin e 100-të si profesionist, falë penalltisë ndaj Leganés.

Në fakt, ky ishte goli i 80-të me “Los Blancos” nga mbrojtësi i njohur spanjoll, ndërsa ka realizuar 3 të tillë me fanellën e Sevilla dhe 17 me ekipin kombëtar (La Roja).

Lojtari andaluzian është bashkuar me një listë të rëndësishme, atë të mbrojtësve që kanë kapur shifrën e 100 golave, e cila udhëheqet nga Ronald Koeman, me 193 gola, dhe Daniel Alberto Passarella, me 134 gola.

Goli dhe Sergio Ramos kanë një lidhje shumë të ngushtë. Herën e parë që Ramos festoi një gol të tij ishte 16 shtatori 2004, në një ndeshje të Kupës UEFA, me Sevilla.

Kjo e fundit fitoi 2-0 kundër skuadrës portugeze të Nacional; ndërkohë që hera e parë, kur e gjeti rrugën e rrjetës me fanellën e Real Madridit, daton më 6 dhjetor 2005 (kundër Olympiacos), në Ligën e Kampionëve. Pak më përpara, më 12 tetor, ai festoi dy golat e tij të parë me Spanjën, në fitoren 6-0 kundër San Marinos.

Golat e tij, që mbahen mend më shumë janë dy, realizuar në finale e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madrid. Njëri prej tyre në minutën e 93-të, në Lisbonë, i cili hapi rrugën e “Decima” për të bardhët, ndërsa tjetri në finalen e Milanos dy vite më vonë.

100 golat e Sergio Ramos janë të shpërndarë si vijon: 59 në La Liga (58 me Real Madridin), 5 në Kupën e Mbretit, 11 në Ligën e Kampionëve, 1 gol në ‘Europa League” me Sevilla, 7 në gara të tjera, si Superkupa e Spanjës dhe Botërori i Klubeve; 17 me kombëtaren e Spanjës (5 gola në miqësore, 5 gola në kualifikueset e Kupës së Botës, 4 gola në kualifikueset e Europpianit dhe 3 gola në Ligën e Kombeve).

Në këtë sezon, numri i golave të kapitenit të bardhë ka arritur në 7, plus 4 të tjerë me kombëtaren spanjolle. Duke përfshirë atë të djeshmin ndaj Leganés, gjashtë prej tyre kanë ardhur nga pika e penalltisë. Largimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi e ka bërë Ramosin ekzekutesin e parë dhe tejet efektiv nga pika e 11-metërshit.

Deri më tani, ai e ka 100% efikasitetin e penalltive, për këtë sezon. Këto shtatë gola e mbajnë andaluzianin vetëm tre gola larg nga sezoni i tij më i mirë (2016-2017), kur Sergio Ramos e mbylli me 10 “rrjeta”. Malaga është skuadra, ndaj së cilës ai ka shënuar më shumë (5 gola në 19 ndeshje).

Në këtë listë, “viktimë” të preferuar ka edhe Barcelonën; me 4 gola në 29 ndeshje. Shkurtimisht, një mbrojtës shumë i rëndësishëm qendror te “Los Blancos” dhe “La Roja”, por me shifra goleadori. Një “snajper” i vërtetë, që bën xhelozë edhe sulmuesit më të mirë në kontinent.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *