“Cakaj”, Meta kërkesë Ruçit: Komision Hetimor për veprimtarinë e DSIK

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një kërkesë kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi për ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e DSIK për rastin e dhënies së certifikatës e sigurisë për zv/ministrin e Jashtëm, Gent Cakajt.

LETRA E PLOTË

Lënda:​Kërkohet ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK)

Drejtuar:​Z. GRAMOZ RUÇI
KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Z. TAULANT BALLA
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË
​SOCIALISTE NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

Z. EDMOND SPAHO
​KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË
​DEMOKRATIKE NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

Z. PETRIT VASILI
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË
LËVIZJA SOCIALISTE PËR INTEGRIM
TIRANË

I Nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare

Presidenti i Republikës, pasi u njoh me propozimin e Kryeministrit me nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, për emërimin e z Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në përmbushje të të gjithë të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta, realizoi procedurën e verifikimit të integritetit dhe figurës së z. Gent Cakaj me qëllim krijimin e besimit përpara vendimit për emërimin e tij në këtë detyrë.

Nga informacioni i administruar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përcjellë me shkresë nr.09/1 prot, datë 8.01.2019, konfirmohet se; z.Gent Cakaj është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme me VKM nr.342, datë 07.06.2018. Me shkresën e mësipërme, MEPJ konfirmon gjithashtu se me Urdhrat e Ministrit nr.187, nr.187/1, nr.187/2, datë 19.04.2018, janë përcaktuar pozicionet zyrtare të nëpunësve të MEPJ dhe misioneve Diplomatike e konsullore të RSH, të cilët do të njihen me informacionin e klasifikuar prodhuar nga institucionet shtetërore dhe/ose të përfituara në kuadër të bashkëpunimit dy- ose shumëpalësh me shtete dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, me informacion e klasifikuar të NATO-s dhe BE-së.

Duke qenë se posti i zv.ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme përfshihet brenda listës së funksionarëve që detyrimisht duhet të njihen dhe të kanë akses në informacione të klasifikuara “sekret shtetëror”, Zyra e Nën-regjistrit të informacionit sekret shtetëror e krijuar pranë kësaj ministrie, më datë 29.06.2018 e ka njoftuar z.Gent Cakaj që të plotësojë formularin përkatës dhe të japë pëlqimin për t’u verifikuar për pajisjen me certifikatat përkatëse të sigurisë. Z.Gent Cakaj, ka refuzuar për një periudhë 7 mujore përmbushjen e detyrimeve institucionale dhe zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, që sipas parashikimeve të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar përbëjnë shkelje dhe janë të dënueshme.

Vetëm më datë 03.01.2019, moment ky kjo që përkon me bërjen publike të propozimit të Kryeministrit për emërimin e tij në postin e Ministrit për Evropën për Punët e Jashtme, (si dhe 3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ), ai ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga dita e marrjes së detyrës si zv.ministër i MEPJ.

Ky fakt konfirmohet nga informacioni i përcjellë nga MEPJ, me shkresë nr.09/1 prot, datë 8.01.2019.

MEPJ konfirmon se ky institucion e ka përcjellë menjëherë më 03.01.2019 aplikimin e z.Gent Cakaj pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe kjo e fundit e ka pajisur atë me certifikatat përkatëse të sigurisë 1 (një) ditë më pas më datë 04.01.2019.

DSIK me shkresë nr.87 prot, dt. 07.01.2019, i konfirmon Presidentit të Republikës se: “Z.Genc Shkëlzen Cakaj, lindur në Prishtinë më 06.07.1990, është i pajisur me CSP të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së. Këto CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024.”

Pra rezulton se, procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite).

Nga këto të dhëna të administruara, provohet se procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK vetëm brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”.

Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj ai nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Z. Gent Cakaj, mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë.

Referuar këtyre të dhënave, si dhe atyre që kërkohen dhe pasqyrohen të detyrueshme për deklarim në pyetësorin e sigurisë në aplikim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte për detyrë në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës. Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”. Gjithashtu në detyrën si zv.ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe si kandidaturë e propozuar nga Kryeministri për pozicionin e ministrit të MEPJ, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë z. Gent Cakaj.

Referuar fakteve, dhe të dhënave të Gent Cakaj, konstatohet qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015.

Një proces verifikimi i realizuar në më pak se 24 orë, krijon dyshime të rënda për veprimtarinë aspak objektive dhe në kundërshtim me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr.836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare,

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Përgjegjësitë tona janë jo vetëm kombëtare por dhe ndërkombëtare. Sjellja e institucioneve të Republikës së Shqipërisë duhet të jetë në përputhje me të gjitha detyrimet dhe angazhimet që burojnë nga ky anëtarësim jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Në këtë kontekst besueshmëria dhe serioziteti ndaj partnerëve tanë strategjikë dhe përkundrejt politikave të jashtme dhe të sigurisë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian janë jetike dhe çdo sjellje tjetër cenon rëndë besueshmërinë e Shqipërisë e lëkund themelet e partneritetit strategjik që mbështetet në konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Duke qenë se nga ky proces shqyrtues i Presidentit të Republikës, janë evidentuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtij institucioni mbi këtë rast.

Nisur nga fakti që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, është e qartë se procesi i hetimit administrativ nuk mund të kryhet nga organe të tjera në varësi të Kryeministrit, pasi krijohet një situatë e pastër e konfliktit të interesit, gjë e cila mund të cenojë objektivitetin dhe cilësinë e hetimit të këtij rasti, Presidenti i Republikës, vlerëson se, për rastin konkret, Kuvendi i Shqipërisë mund të realizojë objektivisht këtë proces hetimor.

Përsa më sipër, në zbatim të nenit 78, pika 2 dhe 3, si dhe nenit 92/h, të Kushtetutës, ligjit nr.8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, i kërkon deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të vlerësojnë këto konstatime, me qëllim ngritjen sipas ligjit, të një Komisioni Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë, për hetimin e veprimtarisë së institucionit të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar mbi procesin e pajisjes me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Shpreh besimin se Kuvendi i Shqipërisë do të përmbushë me përgjegjësinë dhe seriozitetin e një institucioni, vend anëtar i NATO-s, angazhimet e tij në shqyrtimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për vendin tonë dhe përgjegjësitë e tij kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sinqerisht,

Ilir META

FAKSIMILE TË LETRËS SË METËS

.

8 komente në ““Cakaj”, Meta kërkesë Ruçit: Komision Hetimor për veprimtarinë e DSIK”

  1. Ermal says:

    Po verifikimi i Lulzim Bashes eshte bere? Ai eshte me shtetesi hollandeze dhe ka jetuar gjysmen e jetes jashte, ne Kosove dhe ne Hollande. Ka punuar me UNMIKUN ne dosje ne kontakt direkt me Serbine. Megjithate ka qene Minister i Jashtem dhe i Brendshem i Shqiperise. Sic !

  2. Johani says:

    Po mire more i mjere si president qe je si nuk te ra nder mend se ne shqiperi kishte dhe vazhdon te kete edhe serb 100% dhe ate kriminel lufte dhe te deshmuar si gjakpires te shqiptareve qe edhe sot jane kshilltar te ish presidentit,ish kryeministrit dhe te dy kryetareve qe sot ka PD dhe ty ta paska rrezikuar z.Caka sigurine kombetare,si ste vjen turp more i gjore e i mallkuar,pasi per serbine dhe sali berishen e lul bashen e dinim se z.Caka eshte i padeshiruar ne shqiperi siq sikur edhe Rugova,Demaqi,Adem Jasahri me shoke,por me gjithe poshtersite tuja more faqezi nuk e kemi menduar kete dite,po ti ske faj,ka faj Ruqi dhe mazhoranca qe presibn akoma qe ti te zhytesh ne skandale e poshtersi para se te te shkarkojne e te hudhin ne plehra.

  3. petriti says:

    Kuvendi ka detyre te ngrje komision hetimor per te zbuluar vjedhjet e likese mones, qe ne fakt ato dihen nga te gjithe, por duhen certifikuar nga nje komision hetuesie. Ky duhet te jete objektivi i kuvendit dhe km.

  4. kasem gahinji says:

    eshte kohe e shkuar dhe e larget.me aktuale eshte akuza ne shtyp per nje keshilltar te presidentit,shef i kabinetit te presidentit si agjent i zbulimit rus.A e ka bere verifikimin e akuzes presidenti yne i nderuar?pse nuk del me nje deklarim publik ku te pergenjeshtroje akuzen e bere?Apo le te ecim perpara keshtu,me spiune neper krye,se te ishin neper kembe ia benim kabull.

  5. 🇦🇱 says:

    Në vënd që të merremi me hallet e qytetarëve,humbim kohë me fantazit e këtyre të LSI-së.

  6. Emigranti says:

    Zoti Meta kërkon të krijoj një krizë institucionale-politike .Nëse e ka Kuvendi kompetencën për të vepruar sipas kërkesës që i është drejtuar,bazuar në të drejtën që i njeh ligji do t’i japë këtij momenti zgjidhjen e duhur në interes të shtetit dhe kombit shqiptar.

  7. Drini says:

    Po sali qeni qe futi ne mbledhjen e sigurise kombetare Fasllicin a eshte e drejte Sekretet tuaja te medha pika ju rafte President hajdut don me gjet gjilperen ne kashte

  8. X says:

    Shoku Ilir. Per ceshtjen ne fjale ne Republiken e Shqiperise ka nje baze ligjore e nenligjore (1 ligj, 12 VKm, 1 rregullore dhe nje marreveshje bashkepunimi) dhe ne baze te tyre posedimi i këtij dokumenti (CSP) përben një nga kriteret që duhet të plotësojë një individ, përpara se të njihet me informacionin e klasifikuar, me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar” që nuk kërkohet CSP. Pra, aplikimi dhe pajisja me CSP është e detyrueshme vetëm për një individ që do të njihet me informacion të klasifikuar bazuar në parimin “nevojë për njohje”.
    Po nese Genti gjate punes si zv/minister nuk eshte njohur me asnje dokumente sekret, cfare shkelje ka bere?
    Duhet ti thuash Bledar Dervishit dhe Bahri Shaqirit te mos merren me politike por me pune (meqe ti nen masken e patriotizmit do te merresh me politike)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *