Jari tregon për postin e ri që përfiton “komandanti i përgjithshëm” pas trimërisë së fundit

Refuzimi i dekretit për ministrin e Jashtëm nga “komandanti i përgjithshëm” e kishte bërë me krahë Jarin, saqë, megjithëse ishtë drekë, harroi të hante bukë.

E kapi një si ngulç gëzimi që nuk po dinte si ta nxirrte dhe nuk kishte me kë ta ndante, pasi kishte frikë se mund të mos i ngrinin telefonin, po të merrte Doktorin, ose Lulin.

Por papritmas u kujtua për ndarjen e posteve të opozitës, që e kishte nisur dje, dhe aty për aty vendosi që të integronte edhe drejtuesit e LSI tek organika e re, që të ngjante tamam një lëvizje e strukturuar.

Dhe pa humbur kohë nisi të shkruajë sa më poshtë vijon:

“Të nderuar demokratë, Jari ju informon.

Zhvillimet e fundit politike kanë qenë shumë optimiste, ndaj dhe është vendosur me unanimitet që politikën e jashtme dhe integrimin e vendit për opozitën e bashkuar, ta përfaqësojë në mënyrë ekskluzive ‘komandanti i përgjithshëm’, i cili sot mund të quhet pa frikë heroi ynë konsensual.

Sepse i dha një goditje të rëndë përpjekjeve të Noriegës së Ballkanit në Shqipëri dhe veglave të Beogradit në Kosovë, për ta shitur kombin tonë sa më lirë tek të huajt.

Por më shumë se për të gjithë të tjerët, më është bërë qejfi për atë Baton Haxhiun, që mori përgjigjen e merituar për çdo fjalë të keqe që ka thënë kundër Lulit dhe Doktorit në gjithë këto vite.

Vendimi i formës së prerë i ‘komandantit të përgjithshëm’ pritet të ndikojë shumë pozitivisht në shëndoshjen e financave të Fahri Balliut, i cili tani ka arsye më të forta që të mbledhë fonde në emër të gazetës “55”, megjithëse ajo ka një vit që është mbyllur.

Në respekt të këtij ekskluziviteti, LSI na ka pranuar që për çështjet e zgjedhjeve të caktojmë si përgjegjës Jemin Gjanën.

Si Mona, ashtu edhe Tit Vasili, kishin ngelur të impresionuar nga rezultati i fundit në Kuvendin Kombëtar të PD, ku kishin dalë 200 vota më shumë se sa ishin votues.

Kjo tregon se Doktorin dhe Lulin i mbështesin edhe ata që nuk votojnë fare, aq të pagabueshëm janë për demokratët.

Ndërsa tezorier i opozitës së bashkuar kemi vendosur që të jetë pa asnjë votë kundër vetë Lulin.

I cili do ta bëjë këtë sakrificë, megjithë barrën e rëndë që ka mbi supe, për shkak të vetive të veçanta që ka, ndryshe nga gjithkush tjetër.

Sepse ai nuk ngatërron kurrë numrat dhe nuk bën asnjëherë gabim në numërimin e lekëve, megjithëse për aritmetikë apo për shifra ordinere nuk ia ka haberin fare.

Kurse marrëdhëniet me publikun është vendosur që t’i mbulojë Dit Kaba.

Se i kishte ngelur qejfi që Doktori nuk i paska dhënë dekoratë dhe që Luli nuk i paska përmendur asnjëherë emrin, që ka pasur punuar tek gazeta “RD” në vitin 1991.

Zemërimi i qenka shtuar kur ka marrë vesh që të hënën paskan shpallur si themelues të gazetës Flor Mimën, sepse paska qenë korrektor nja tre ditë, kurse ai ka qenë fotograf për disa muaj rresht, dhe asnjeri nuk ia di për nder.

Kaq për sot, sepse jemi të emocionuar me këtë trimërinë e ‘komandantit të përgjithshëm’, të gjithë si opozitë.

Për çdo të re do t’ju njoftoj në kohën e duhur.

I juaji, Jari!”

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *