Kryeministri, thjesht ta marrë vetë portofolin e ministrit

Nga Ben Andoni

Nga mënyra sesi kryeministri i vendit, Edi Rama po bën pjesën e kortezisë me Ministrin Ditmir Bushati, kuptohet se nuk ka më kthim pas. Këtij të fundit tashmë do t’i bëhet e qartë ndoshta se duhet të japë dorëheqjen, qoftë dhe të parevokueshme, për të mos e lënë kabinetin e Z.Rama me dy ministra të Jashtëm. Për t’ia bërë më të vështirë punën Edi Ramës po mendon dhe presidenti i vendit, Ilir Meta, që qesëndinë e tij e mbulon me të gjithë frazeologjinë e dokumentacionit, që ka tagri presidencial.

Me çfarë po duket, Ilir Meta jo vetëm nuk e shkarkon Bushatin por as nuk e ka ndërmend të dekretojë Gent Cakën, duke e bërë krizën Kryeministri-Presidencë të mbajë realisht era politikë dhe karshillëk. Këtë e kupton nga reagimi i LSI-së, formacionit politik të origjinës së tij, që i është përveshur Ramës, por edhe justifikimet që ata gjejnë kundër diplomatit të ri Cakaj. Për fat të keq, Rama, tashmë është në një rrethim të vogël dhe krejt i mënjanuar dhe nga njerëzit e tij. Dhe, mllefin e kryeministrit e morën indirekt dhe diplomatët e huaj në takimin vjetër të kortezisë, ku në vend të fjalëve të mirësjelljes, ai e mbushi me fjalë për Metën diskursin e tij të ngatërruar për problemet e brendshme të vendit.

Në të njëjtin aktivitet, këtë dialog të vështirë me presidentin e vendit, publiku e kuptoi dhe nga tonet e larta që kryeministri përdori për Kosovën, duke i marrë krahun dhe qarë hallin në situatën e rëndë ku ndodhet. Veçse kryeministrit Rama i ka mbetur në derë, ideja se është për ndryshimin e kufijve Serbi-Kosovë, kurse nga mënyra e kamufluar sesi është bërë, ajo ka qenë pak e sfumuar, ndërkohë që Meta ka mbrojtur fort parimin e mosndryshimit të kufijve, një qëndrim që e ka mbështetur fort dhe Ministri i Jashtëm, z. Ditmir Bushati. Jo më kot, në një intervistë të ditëve të fundit, ish-kolegu i tij grek Kocias e tha qartë se ministri shqiptar po largohej për hir të kundërshtive ndaj ndarjes së Kosovës, fakt që ndihte staturën e Bushatit.

Duke u kthyer në rastin e ngërçit shqiptar ka një ngjashmëri me episodin grek, por ndërkohë që ikja e Kocias u bë për të mbajtur të bashkuar qeverinë greke dhe interesat e Ministrit të Mbrojtjes Kamnenos për të mos e shkërmoqur atë. Dhe, Cipras bëri atë që ishte më e lehtë por edhe më e arsyeshme: e mori vetë portofolin e Ministrit të Jashtëm, paçka se roli i Kocias është i madh për arritjet e fundit diplomatike të Greqisë. Ndoshta është momenti që Edi Rama të bëjë të njëjtën gjë dhe të na kursejë nga diskursi patetik dhe kundërshtitë me presidentin Ilir Meta, që e bëjnë komunikimin politik të turpshëm  dhe me mungesa tipike të parametrave bazë normalë.

Zoti Cipras e gjeti zgjidhjen, paçka se ishte në një qeveri jo krejt të tijën, kurse z.Rama ka gjithçka në dorë dhe mund ta menaxhojë si të duhet këtë situatë, duke e marrë vetë portofolin dhe duke iu kushtuar problematikave reale të vendit.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Kryeministri, thjesht ta marrë vetë portofolin e ministrit”

  1. Portofoli merret kur shteti ka falimentuar.Një për të gjithë të gjithë për një. I premtuam ministrin e punëve të jashtëme Kosovarit. ,të mbajm promessen.

  2. kastriot says:

    ne greqi kishte probleme mes koalicionit ketu po vazhdon prej kohesh nje grusht shteti i bute.Pse nuk thoni qe qeverine ta beje presidenti?Pse sju pelqen edi duhet te shkelet kushtetuta.Pse nuk godisni presidentin qe shkel kushtetuten.Vemje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *