Qeveria gjermane e dyzuar për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën

11 Janar 2019, 13:24Rajoni TEMA

Ndërsa ministri i jashtëm Heiko Maas del hapur pro liberalizimit të vizave për Kosovën, Ministria e Brendshme e Gjermanisë për DW shprehet me rezerva.

Mga Anila Shuka, DW

Një ditë pas deklarimit të ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, pro liberalizimit të  vizave me Kosovën, Ministria e brendshme e Gjermanisë deklaron se qeveria gjermane ende nuk e ka përcaktuar qëndrimin që do të mbajë ndaj kësaj çështjeje.

Krimi i organizuar, korrupsioni dhe migracioni

I pyetur nga Deutsche Welle zëdhënësi i kësaj ministrie, Stefan Ruwwe-Glösenkamp, tregoi se shkaku se përse Kosovës nuk iu dha drita e gjelbër për liberalizimin e vizave në fund të vitit të kaluar, ishte opinioni i presidencës austriake se “ende nuk janë pjekur kushtet”.

Sipas zëdhënësit, në fokus të diskutimeve të bëra për këtë temë në instancat përkatëse të BE-së në fund të nëntorit, kishte qenë “bilanci i arritjeve në parandalimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe risku i migracionit”.

Në prononcimin e tij për DW, zëdhënësi thotë më tej se edhe Ministria e Brendshme e Gjermanisë (BMI) mendon se “këtu ka ende vend për përmirësim” dhe shton se “qeveria federale ende nuk e ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj kësaj çështjeje”.

Ministria e punëve të jashtme pro

Një ditë më parë ministri i jashtëm, Heiko Maas, i cili vetë është nga partia socialdemokrate tha në konferencën e shtypit (10.01), pas takimit me homologun kosovar, Behgjet Pacolli, se e mbështet liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe premtoi se do të angazhohet si tek qeveria e tij, ashtu edhe tek partnerët evropianë që ta miratojnë rekomandimin e Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. “Premtimet e dhëna duhen mbajtur”, tha Maas dhe shtoi se  “procesi i reformave në Kosovë vazhdon me vendosmëri”, por shtoi edhe se “ka ende shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

Edhe ministri i shtetit për Evropën, Michael Roth, u shpreh dje hapur për liberalizimin e vizave, me anë të një mesazhi për rrjetin social Twitter: “Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Kështu që është vetëm e drejtë që tani të jepet dritë e gjelbër për kosovarët.  Ne do të angazhohemi me forcë për këtë në Bruksel”, shkruan politikani socialdemokrat.

Qeveria pa qëndrim të unifikuar

Por, para se të bindë partnerët evropianë, ndoshta politikanëve socialdemokratë të qeverisë gjermane do t’u duhet të bëjnë punë bindëse me partnerët e tyre që i përkasin krahut konservator. Prononcimi i rezervuar i ministrisë së punëve të brendshme që drejtohet nga ministri kristiansocial, Horst Seehofer nxjerr në pah një dyzim të qeverisë gjermane në lidhje me këtë çështje.

Një situatë e ngjashme ishte edhe një vit më parë, kur ishte në pyetje çështja e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Edhe atëherë socialdemokratët dhe ministria e jashtme u prononcuan shumë herët pro fillimit të negociatave, ndërsa grupi parlamentar konservator CDU/CSU, ndikuar edhe nga qëndrimi refuzues i Francës dhe fushata elektorale që po zhvillohej në atë kohë në Bavari, ngulte këmbë te mangësitë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çka bëri që Gjermania të  shkonte pa qëndrim të unifikuar në samitin e BE-së në qershorin e vitit 2018 dhe ta shtynte me një vit marrjen e një vendimi zyrtar.

Nëse do të kemi një skenar të ngjashëm edhe këtë vit, kjo nuk mund të parashikohet. Ngjashmëria me vitin e kaluar qëndron te qëndrimi ende refuzues i disa shteteve të BE-së, ndër ta, Franca, dhe te zgjedhjet për Parlamentin e Evropës. Por, ndryshe nga një vit më parë, kur vendimi i qeverisë gjermane duhej të konfirmohej nga parlamenti, vendimi për liberalizimin e vizave nuk ka nevojë për miratimin e parlamentit, por vetëm të qeverisë. Dhe kjo, me siguri që është një rrethanë lehtësuese.

1 komente në “Qeveria gjermane e dyzuar për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”

  1. says:

    Racizëm made in Germany.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje