Unaza e Re dhe disa pyetje rreth pikëpyetjeve të ngritura rreth saj

11 Janar 2019, 09:13Ekonomia TEMA

Nga Altin Ketro

Çështja e Unazës së Re, specifikisht segmenti “sheshi Shqiponja – Pallati me Shigjeta”, vijon ende të marrë vëmendje publike, mediatike e politike. Shkak për këtë është bërë implikimi në falsifikim letrash të njërës prej tri kompanive pjesëmarrësve që do ndërtojnë këtë segment të rëndësishëm rrugor unazor të Tiranës e identifikuar me emrin tregtar “DH Albania”.

“DH Albania” operonte në Shqipëri si degë e shoqërisë së Huaj, për shkak se si subjekt i ri dhe pa historik punësh, do e kishte të pamundur nga legjislacioni ynë që të merrte kontrata publike. Duke qenë se legjislacioni i prokurimit publik nuk lejon që kompanitë ndërkombëtare të hyjnë drejtpërdrejt në tendera publikë pa pasur një regjistrim fillestar pranë Qendrës sonë të Regjistrimit të Bizneseve, ishte domosdoshmëri edhe për këtë shkak, që të themelohej ”DH Albania” si degë e shoqërisë amerikane “Danwell Huberman”, akronimin e shkronjave të së cilës ka marrë edhe kompania bijë shqiptare.

Dihet tashmë historia e falsifikimit të letrave të kompanisë amerikane për të justifikuar themelimin e kompanisë shqiptare, për të cilat publiku është njohur edhe nga emisioni TPZ i gazetarit Ylli Rakipi.

Deri këtu jemi në kushtet ku një individ (ose grup individësh) kanë guxuar shumë duke kryer falsifikimin e firmave dhe vulave zyrtare të përfaqësuesve të një shteti të SHBA-së të cilat më pas i kanë noterizuar si origjinale duke i paraqitur në institucionet shqiptare si të ligjshme.

Ajo çka është me rëndësi është se sa janë të përfshira institucionet shqiptare në këtë akt të paligjshëm dhe deri ku shkon përgjegjësia e tyre. Thënë troç, a kanë ata gisht dhe a janë pjesë e falsifikimit dhe implikimit të drejtpërdrejtë? Dyshimet e përfaqësuesve të opozitës si dhe analistëve mediatikë (me prirje antiqeveritare) janë se pjesë e këtij rrjeti falsifikimesh, përveç kompanisë “DH Albania”, janë edhe institucionet e shtetit, ARRSH dhe drejtori i saj, ministria e Infrastrukturës dhe ministri i saj, e deri tek kryeministri Rama.

Dyshimet janë mëse të arsyeshme në realitetin shqiptar, sepse kemi pasur precedentë të mëparshëm dhe si për ironi të fatit janë pikërisht këto precedentë të cilat krijojnë bindjen tek ta se domosdoshmërisht që bashkëpunimi qeveritar nuk mund të mos mungojë. Gjithsesi, për këtë çështje do flas pak më poshtë.

Njëra prej pyetjeve që shtrohet është habia se si një 26 vjeçar zotëronte qysh në këtë moshë një pasuri të atillë që do kryente punë me vlerë 20 milionë euro. Dhe për këtë i kërkojnë llogari drejtorit Qendro se përse nuk investigoi (nuk dihet se si) për të zbuluar a kishte mundësi financiare ky 26 vjeçar t’i dilte për zot një punë kaq voluminoze siç është edhe projekti i kësaj unaze me disa mbikalime të komplikuara. Ajo që harrohet të theksohet është fakti se “DH Albania” nuk është një kompani shqiptare me pronar shqiptar, por degë e kompanisë amerikane e cila (me letra) kishte autorizuar një shtetas shqiptar ta përfaqësonte në marrëdhënie me të tretët. Pra, për të gjithë barrën e financimeve, eksperiencës dhe gjithçka tjetër mbështetëse përgjigjej kompania amerikane “Danwell Huberman” e cila, po sipas letrave, i plotësonte të gjitha kushtet. Duke pasur këtë garanci, askush nuk mund të dyshojë se pas atyre letrave të noterizuara fshihet një akt kriminal falsifikimi.

Rëndom thuhet se përse këtë falsifikim nuk e zbuloi shteti. Shteti në përgjithësi operon si një burokraci shkresash dhe nëse me letra t’i i plotëson kriteret dhe kur për këto letra nuk ka asnjë dyshim se ato janë të falsifikuara, përpos faktit që ishin edhe të noterizuara, atëherë nuk mund t’i kërkosh zyrtarëve që të bëjnë dedektivin privat. Në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin me dhjetëra degëza bija të kompanive mëmë ndërkombëtare. Çfarë duhet të themi tani, që zyrtari të navigojë në internet për secilën prej tyre për të krahasuar nëse nënshkrimet nëpër dokumente janë të njëjta me ato të sekretarëve të shteteve diku gjetkë?! Natyrisht, këtë rol e luajti media, por të mos harrojmë se jo më kot ajo quhet edhe Pushtet i Katërt, për vetë faktin ndikues që ka në opinionin publik. Jo vetëm kaq, por media është një “hetuesi” më vete, sepse rrëmon kudo e për çdo gjë, jo vetëm për të bërë pis (me të drejtë) dikë, por edhe për të marrë ekskluzivitetin e një gjetje dhe kësisoj të rrisë autoritetin dhe besueshmërinë e saj në treg.

E gjithë çështja është se si reagon zyrtari apo qeveritari kur një aferë kriminale falsifikimi zbulohet. Me ç’kemi parë deri më tani, rezulton se ARRSH-ja dhe ministria e linjës kanë reaguar në kohë rekord, duke kërkuar qysh të nesërmen e emisionit televiziv, pranë ambasadës amerikane, konfirmimin e falsifikimit të letrave dhe me konfirmimin e tyre kanë bërë pezullimin e procedurave për kompaninë “DH Albania” dhe referimin e çështjes për ndjekje penale në organin e akuzës. 

Megjithatë dyshimi i kundërshtarëve të qeverisë është se nuk ka mundësi që në këtë çështje të mos ketë dijeni edhe vetë kryeministri Rama. Jo vetëm kaq, por e bëjnë atë e të tjerët ortakë në këtë falsifikim me qëllim përfitimin e 20 milionë eurove. Nuk e kam kuptuar kurrë se si mund të grabisësh 20 milionë euro e njëkohësisht të ndërtosh edhe segmentin për të cilin je kontraktuar. Sipas kësaj logjike, i bie që ose projekti kushton zero euro dhe 20 milionëshin e fusim në xhep, ose unaza nuk bëhet por ama eurot avullojnë sikur janë kryer punimet dhe ne, syleshët, e shohim mbretin lakuriq me rroba, ose projekti kushton pak më pak dhe diferencën e fusim në xhep. Gjithsesi kjo është punë ekspertësh që zbërthejnë situacionet e punimeve zë për zë, por e sigurtë është që vjedhja e hamendësuar nuk mund të jetë kurrsesi apriori 20 milionë euro, siç duan të na fyejnë inteligjencës me këto akuza idiote për konsum thjesht politik.

Më lart theksova se dyshimi për përfshirjen e zyrtarëve është i arsyeshëm për shkak të precedentëve të mëparshëm. Po cilët janë këto precedentë? Ja, për shembull, afera kriminale e municioneve që paketoheshin në Gërdec e që më pas u mori jetën 26 shtetasve të pafajshëm, shoqëruar edhe me shkatërrimin e qindra banesave përreth, është një rast ideal ilustrativ. Niveli i implikimit në atë aferë të ndyrë kishte arritur majat, deri tek ato ministrore e kryeministrore. Ishte pikërisht përfshirja e familjarëve kryeministrorë që e gjithë çështja të merrte tjetër rrjedhë, paçka se familjari kish lënë gjurmë, si në citim të emrin në shkresa zyrtare, regjistrim takimesh tek sekretarja për takime me ministrin e linjës, ashtu edhe në biseda telefonike me të implikuarit fill pas ndodhjes së shpërthimit. Dhe, për çudi, organet e qeverisë jo vetëm reaguan me shumë vonëse, e jo pa shkak me qëllim fshirjen e gjurmëve, por edhe shmangën përballjen e tyre në rang ministri apo djali kryeministri me organet e drejtësisë. Do thotë dikush, po ç’faj kanë këta kur prokuroria nuk i thërret? Natyrisht, po të kishe një prokurori të tillë me prokurorë që po skarcohen sot nga vetting-u, as mos prisje gjë që ata ta hidhnin hapin e guximshëm ta merrnin për veshësh djalin kryeministror e ta vinin përballë pyetjeve implikuese.

Kurse sot, si ARRSH, ashtu edhe ministria e linjës kanë vënë në dispozicion të prokurorisë gjithë dokumentacionin përkatës, bile ishin vetë ata që bënë të parët denoncimin në prokurori. Ndokush mund të thotë që edhe po të mos e bënin ata, do ishte prokuroria që do shkonte t’ua sekuestronte dokumentet. Fakti që institucionet qeveritare reaguan të parët, tregon se nuk kanë frikë të përballen me të vërtetën. Se, fundja, mund të kishin vepruar edhe ata si Berisha, po ta kishin mizën nën kësulë si ky i fundit. Se ja, meqë jemi në muajin janar dhe në prag të 8 vjetorit të ngjarjes së dhimbshme të 21 janarit, mund të hamendësonim që ashtu siç Berisha kreu disa veprime penguese: mos lejimin e prokurorëve të kqyrnin vendin e ngjarjes për të mbledhur provat e krimit, mos lejimi i gardistëve të largoheshin nga ambientet e Kryeministrisë për t’u pyetur, futja e qëllimtë e duarve tek serveri i kamerave në Kryeministri për të ndërruar hard diskun që vërtetonte me pamje filmike dinamikën e ngjarjes, mos ekzekutimi i urdhërave të prokurorisë për ndalimin e zinxhirit komandues të Gardës, nxjerrja në skenë e ekspertëve të rremë të mjekësisë për të aluduar se vrasjet ishin kryer nga afër, pra thënë të gjitha këto fakte që krijojnë shtratin e duhur për të ngritur akuzë se dikush në pozita të larta po bën çmos të fshehë krimin e vet, ashtu edhe kryeministri Rama, nisur nga ky precedent, po ta kishte mizën nën kësulë, do bënte çmos që institucionet e tij të varësisë të bëheshin pengesë për organin e akuzës.

Disa media shumë serioze jo shqiptare, kanë hedhur dyshimet se pas kompanisë “DH Albania” fshihet një tjetër kompani shqiptare, e mirënjohur në punët e infrastrukturës rrugore, telekomunikacionit dhe energjisë e që i ka zyrat tek kulla pranë ambasadës italiane. Kjo lidhje bëhet për shkak se përfaqësuesi i “DH Albania” është familjar i presidentit të kësaj kompanie, ashtu sikurse punonjës të kësaj kompanie janë paraqitur në QKB për të kryer regjistrimin e “DH Albania”. Jam paksa paragjykues në këtë rast, përderisa drejtësia nuk ka thënë fjalën e saj, por unë e besoj këtë gjë. Dihet që presidenti i asaj kompania ka qenë pjesë e enturazhit të lartë të kryeministrit Berisha. Shtëpia dhe zyra e këtij të fundit ndodhet në ndërtesa të ndërtuara nga ky president. Gjatë qeverisjes së tij ky president mori shumë punë publike, bile arriti që të çajë tej e tej në vijë lineare shumë rrugë, përfshi edhe Rrugën e Kombit, për të shtrirë kabllin me fibra optike.

Logjika pëdëiste e të menduarit është se meqë kjo kompani ka qenë pranë një qeverie, doemos qeveria pasardhëse që vjen prej radhëve të kundërshtarëve politikë, duhet të hakmerrej e ta çonte atë drejt falimentimit. Por pjesë e përkrahjes së qeverisë së shkuar kanë qenë edhe shumë kompani të tjera që sot vijojnë të qetë punën duke kryer punë edhe me fonde publike. Me atë çfarë kam parë unë gjatë gjithë viteve të Edi Ramës si ish kryetar bashkie e sot si kryeministër, ai nuk e ka si pjesë të karakterit të tij goditjen e një biznesi me bazë përkatësinë politike të bindjeve të pronarit.

Ai asnjëherë nuk ka marrë nëpër gojë as kompanitë, e as pronarët e tyre, as kur ishte opozitar, e sot si qeveritar jo e jo. Ky është sport pëdëist që të qepet me bukë në trastë, sa si çështje gjobëvënie, ashtu edhe të degradimit të personalitetit të pronarëve në sytë e opininonit publik, dhe rasti më ekstrem është përmendja vend e pa vend i emrit të biznesmenes Nushi, aq sa të krijohet bindja që nëse PD-ja do vijë ndonjë ditë në pushtet, kompanitë e saj do kapin fundin.

Po përse duhet të jetë doemos i implikuar kryeministri Rama, apo ministri Gjiknuri, makar edhe vetë zoti Qendro? Dhe me implikim kuptohet që ata, të tre, apo veç e veç, kanë pasur qysh në zanafillë dijeni të skemës së falsifikimit dhe i kanë inkurajuar të implikuarit që të kishin dorë të lirë të bënin gjithçka, sepse nga ana e tyre do i kishin dyert e hapura.

A mund të jetë Rama aq naiv saqë të hedh këtë hap në greminë duke bashkëpunuar me një përkrahës të kundërshtarit të tij më të madh politik, duke hyrë në një aferë kaq të rrezikshme falsifikimi, akt që shkonte deri në sekretarë shteti në SHBA, thjesht për të futur 20 milionë euro në xhep e me kosto zero euro për ndërtimin e rrugës? A mundet kryeministri Rama që me grupin e tij të kenë futur në këtë vorbull, që nga QKB, ARRSH, sekretariat licensimi, e ministrie? I gjithë ky zinxhir qenka bërë njësh e i është bindur, kujt urdhëri, gojor apo shkresor, që demek e ka burimin nga kryeministria?

Po mirë, kaq i besueshëm do ishte ky president kompanie, bashkëpunëtor i rivalit politik të Ramës, saqë ta ruante me fanatizëm këtë aferë kaq të rrezikshme, jo vetëm se grabiteshin 20 milione euro për një rrugë me kosto ndërtimi zero euro, jo vetëm se falsifikimi kalonte përtej Atlantikut, por edhe sepse në këtë aferë implikoheshin shumë e shumë njerëz që, në mos njëri, tjetri, dikur, qoftë edhe si anonim, do t’ia nxirrte bardhaku atë që ia mbante barku?!

Dikush do të thotë se biznesi kështu e ka, u përshtatet pushtetit të radhës dhe nuk sheh ngjyra politike, por ngjyra interesi. Edhe mundet xhanëm. Secili e vë dorën në zjarr veç për veten e tij e unë nuk dua të bëhem korraca mbrojtëse e asnjë qeveritari. Thjesht doja të ngrija disa pyetje mbi pikëpyetjet që ngrenë opozitarët, duke ua konkretizuar merakun që kanë me shembuj nga e kaluara e tyre e lavdishme se si i rregullonin çështjet e nxehta pasi u zbulohej afera korruptive.

E rëndësishme është që qeveria aktuale, në ndryshim nga koha e tyre, është treguar transparente dhe e hapur për hetime, duke mos e penguar për asnjë çast organin e akuzës. Nuk ka rezultuar deri më tani që as kryeministri Rama, as ministri Gjiknuri, e as drejtori Qendro, ta kenë mizën nën kësulë. Fjalën e fundit do ta thotë drejtësia dhe unë verdiktin e saj po pres. Secili, qoftë ofiqar apo pronar, le të marrë dënimin e merituar në bazë të ligjit.(TemA)

2 komente në “Unaza e Re dhe disa pyetje rreth pikëpyetjeve të ngritura rreth saj”

  1. poedheedhe says:

    goxha kurajo plako…dmth vjen nji buqqumsht, I bi ders, hyn mrena me ca letra ndor dhe nacut I japin kontraten se kishte ca letra ndort..dhe ne te tjeret nuk duhet te mendojme qe buzequmeshtin e kane mor per dore, I kan vu ni lapis nder gishta, I kan murr firmen, po ata nacu qe I dhane tener 20 million nje subjekti pa asnje rresht ne CV e vet, e qe sapo eshte kriju gati enkas per ket pune???
    kurajo plako, dhe suksese dhe integrime..dhe tendera ishallah

  2. Illi says:

    C’jane keto perralla more Ketro? Pse nuk pret te flasi drejtesia e re?!
    Sikur te mos jete asgje e vertete nga ato qe thuhen e shkruhen, sigurisht shpesh per arsye te caktuara, pergjegjesia e verifikimit te dokumentave eshte dhe mbetet pergjegjesia e drejtorit te rrugeve dhe ministrit perkates. Per tendera te tille, qe per ne numerohen me gishtat e dores, pse te mos verifikohet Dokumentation permes ambasades perkates, apo ambasades tone ne vendin perkates?! Psh u shpall fituesit i aeroportit te Kukesit, ku shfaqet edhe nje firme hollandeze. NUK e di a eshte verifikuar ajo para shpalljes. Po ashtu nuk mund te kapercehet aq lehte fakti qe nie firme huaj caktoka nje perfaqesues shqiptar?! paje lloj kualifikimi per tenderin perkates?! Pra vjen ere dhe shqetesuese eshte parfumosja!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje