Vjedhja e identitetit, dy herë burg me emrin e vëllait emigrant

11 Janar 2019, 19:36Kronika TEMA

Denoncimi i kryer prej kompanisë “Aleat Safran” zbuloi se një 42 vjeçar nga Fieri, i dënuar disa herë për mashtrim, përvetësoi emrin e të vëllait emigrant dhe po vuan 2 dënime me burg me emrin e tij, pa u diktuar nga sistemi gjyqësor. 

Nga Edmond Hoxhaj

Pak vite pasi kishte kryer një dënim 10 vjeçar me akuzat e “mashtrimit, falsifikimit dhe përvetësimit të detyrës shtetërore”, Alban Muço, një 42-vjeçar nga Fieri aplikoi për t’u pajisur me pasaportë biometrike dhe kartë të re identiteti.

Ndërkohë që emri i tij lidhej me një dënim 10 vjeçar, Muço vendosi në formular emrin e të vëllait që jeton në Itali. Aplikimi i parë me emrin e vëllait, sipas prokurorisë që nisi hetimet pas sinjalizimit të kompanisë është bërë në qershor 2015 dhe Alban Muço është pajisur me pasaportën me emër L.Muço në fillim të vitit 2016.

Por 42 vjeçari e përdori këtë identitet të ri dhe të pastër për të kryer krime të reja. Nga verifikimet e kryera prej Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier rezulton se ai u dënua dy herë të tjera në vitet 2016 dhe 2017 për akuzat e “mashtrimit” dhe “kallëzimit të rremë”.

Në të dy rastet, ai u paraqit në gjyq me emrin e të vëllait dhe u dënua sikur ishte ai, pa u diktuar nga sistemi gjyqësor. Mashtrimi u zbulua vetëm pasi i vëllai aplikoi në konsullatën shqiptare në Milano dhe përplasja e të dhënave vuri në alarm sistemin. Menjëherë pas kësaj, kompania denoncoi identitetin e dyfishtë në Ministrinë e Brendshme dhe në fillim të vitit 2016 prokuroria filloi hetimet.

I fshehur pas identitetit të vëllait

Rasti i Albano Muços nuk është i vetmi i denoncuar për mashtrim me identitetet në qarkun e Fierit. Kompania “Aleat Safran Group” ka denoncuar së fundmi 38 raste të vjedhjes së identitetit apo të ndryshimit të gjeneraliteteve.

Hetimet e kryera nga prokurori i Fierit, Çlirim Muço arritën në përfundimin se Albano Muço vuante dy dënime me emrin e të vëllait emigrant, vetëm pas verifikimit të shenjave të gishtave.

42-vjeçari, i cili u mor në pyetje në burgun e Drenovës në Korçë, i tha prokurorit se nuk e njihte Albano Muçon [veten], ndërsa mohoi të njihte edhe të vëllanë kur iu paraqit një fotografi e këtij të fundit.

Muço rezulton i dënuar tre herë për një sërë veprash penale. Sipas dokumentit të lëshuar nga prokuroria, ai ishte dënuar fillimisht në vitin 2002 me 10 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së parë Fier për veprat penale të “mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, përvetësimit të titullit të detyrës shtetërore dhe mbajtjes pa të drejtë të uniformës”.

Ai ka dalë nga burgu në vitin 2010 dhe më pas ka aplikuar për t’u paisur me pasaportë dhe kartë identiteti. Prokurorisë i rezulton se ai ka bërë disa aplikime. Një aplikim me emrin Albano Muço është refuzuar, pasi ai nuk kishte dorëzuar një kartë të vjetër identiteti.  Por në qershor 2015, ai ia ka dalë të marrë një të tillë duke përdorur emrin e të vëllait që jetonte në Itali.

Prokuroria vërtetoi se pasaporta e lëshuar në Fier në fakt nuk kishte bërë udhëtime jashtë vendit. Ndërkohë duke përdorur identitetin e ri, Muço i është rikthyer mashtrimit. Duke pretenduar se ishte zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, ai kishte mashtruar tregtarë të ndryshëm dhe dy persona që i kishte punësuar si truprojë dhe shofer.

Pretendimin se kishte qenë punonjës në Ministrinë e Drejtësisë ai e ka bërë edhe para prokurorit që e mori në pyetje, ndërsa ndodhej në qeli në Drenovë i dënuar për këtë mashtrim. Muço sipas prokurorisë jetoi 6 vjet duke përdorur publikisht emrin e të vëllait.

I denoncuar nga personat që kishte mashtruar, ai u arrestua në vitin 2016 dhe mbajti gjatë hetimit dhe gjykimit emrin që kishte vjedhur. Një sërë artikujsh në media që raportojnë dënimin e tij për mashtrim e më pas për kallëzim të rremë, i referohen autorit me emrin L.Muço.

Pas hetimeve ai u dënua dy herë nga Gjykata e Tiranës në vitin 2016 “për mashtrim” dhe një vit më vonë për “kallëzim të rremë”. Të dy këto dënime figurojnë në emrin e L.Muços dhe jo të Albano Muçës.

Por kjo rezultoi vetëm pas verifikimeve të kryera prej Prokurorisë së Fierit për të zbuluar “vjedhjen e identitetit”. Pokuroria gjeti se aplikimet për pasaportë dhe kartë identiteti me emrin L.Muço ishin bërë nga persona me gjurmë gishtërinjsh të ndryshme.

Krahasimi i këtyre gjumëve zbuloi se aplikimet e bëra në Shqipëri, dy prej të cilave nga burgu i Peqinit dhe Drenovës, i përkisnin në fakt Albano Muçës dhe jo të vëllait L.Muço, i cili ndërkohë kishte aplikuar për dokumente me emrin e tij në Itali.

Pas këtyre verifikimeve në janar të këtij viti, prokuroria e Fierit rregjistroi ndaj 42-vjeçarit procedimin penal me akuzën e “falsifikimit”, ndërsa prokurori urdhëron që veprat penale të rregjistruara deri tani në emrin L.Muço t’i atribuohen Albanos.

Ky i fundit nuk ka pranuar akuzat dhe i ka pretenduar se ishte L.Muço, madje i pyetur nga prokurori ka thënë se nuk njihte asnjë person me emrin Albano Muço. Ai ka pretenduar se në vitin 2016  ka qenë i punësuar pranë Ministrisë së Drejtësisë si jurist në Sektorin e Marrëdhënieve me Publikun. Madje, ka deklaruar se nuk e njihte personin në foto që kishte bërë aplikimin në Itali, që në fakt është vëllai i tij.

Më tej ai ka shtuar se më datë 15 janar 2016 ka bërë kallëzim pranë komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë për humbjen e dokumenteve të identifikimit, kartë identiteti, pasaportë biometrike dhe të kartës së bankës. Por prokuroria ka verifikuar se një kallëzim i tillë nuk ishte bërë ndonjëherë.

4 komente në “Vjedhja e identitetit, dy herë burg me emrin e vëllait emigrant”

  1. ?? says:

    Ka ikur ndershmëria në jetën e përditshme.

  2. G.Karagjozi says:

    Pervec personit fajtor per rastin e identitetit FALLCO fajtor gjithashtu eshte dhe Shteti Shqipetar (Ministria e Brendeshme) qe ka lejuar nje firme private (Me koncesion,Firme Belge) te nxjerri Pasaportat dhe Kartat e Identitetit te shtetasve Shqipetare. Kjo eshte nje pergjegjesi e Ministrise se Brendeshme sepse aty jane te regjistrura gjithe te dhenat e Qytetareve Shqiptare(pra Informacioni eshte ne duar te privatit dhe i pa kontrolluar me pergjegjesi Juridike). Gjithashtu eshte nje rast i mire per marjen e te ardhura nga shteti Shqipetar ,dhe jo nga nje Sipermares i Huaj. Ky eshte nje tjeter rast qe tregon papergjegjesine e Shtetit ne dhenien e Koncensineve. Jetoj ne Austri dhe e di mire qe Shteti Austriak e ben kete pune vete me pergjegjesi dhe korektese dhe natyrisht me cmime te arsyshme.

  3. ''....nese gervish sadopak nje muslimon shqipfoles,do te zbulosh ''arabin'' qe ai fsheh mes veti.......! says:

    Muco dhe ”alban” !!!??? pafytyresi suniti……………

  4. Kevin says:

    I ke ngatrruar komplet gjerat , osé ndoshta te kan dhen informazione te gabuara.

    Ky tipi quhet LEDJON MUCARAKU eshte 32 vjec dhe eshte denuar per mashtrim.

    Ledjoni ka mar identitetin e albanit dhe jo e kunderta .

    ? ore mos keni futur gabimisht ndonje tjeter ne burg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje